Deklaratat e Ramës nga Rinasi, Erl Murati: Spektakël, kryeministri ishte i nervozuar

Analisti Erl Murati ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me dosjen e Vlora Hysenit, duke u ndalur te masa “arrest në shtëpi”, por edhe te regjistrimet e lidhura me Ergys Agasin.
I ftuar në "News 24", Murati ironizoi duke thënë se në rastin e Hysenit “çudia e madhe zgjati vetëm 3 orë”. Sipas tij, kjo lidhet me numrin e madh të skandaleve dhe akuzave që dalin vazhdimisht në publik dhe që përfundojnë duke mbivendosur njëra-tjetrën.
“Në rastin e Vlora Hysenit çudia e madhe zgjati vetëm 3 orë. Ne jemi mësuar si vend me skandale të tilla. E quajta ‘çudia më e madhe zgjat 3 orë’, jo për shkak se nuk janë habitur njerëzit. Por këtu ndodhin kaq shumë skandale, kohët e fundit dhe vitet e fundit, saqë skandalet mbivendosin njëri-tjetrin”, tha Murati.
Lidhur me regjistrimet e Ergys Agasit, Murati theksoi se ende qarkullojnë në formën e thashethemeve, raportimeve mediatike apo akuzave të opozitës, por shtoi se në materiale të tilla nuk ndodhet vetëm Hyseni.
“Këto janë në formën e thashethemeve dhe në formën e akuzave nga mediat dhe opozita. Këto raste janë ditur më herët. Ne që jemi profesionistë të fjalës, e dimë se jo vetëm Vlora Hyseni, por dhe drejtoresha të tjera janë në ato regjistrimet, videot e Ergys Agasit”, u shpreh Murati.
Analisti nuk përmendi emra konkretë të drejtuesve të tjerë, por argumentoi se edhe në raste të tjera, akuza të caktuara kanë qarkulluar fillimisht në publik dhe vetëm më vonë kanë pasur zhvillime të tjera.
“Do të kalojë koha deri sa të zyrtarizohen akuzat. Tuneli i Llogarasë, apo dhe akuzat për Agasin, kanë qenë akuza publike, si në rastin e opozitës”, u shpreh ai.
Murati komentoi gjithashtu qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, duke iu referuar deklaratës së tij në Rinas. Sipas analistit, dalja publike e kreut të qeverisë kishte elementë spektakli, ndërsa shtoi se Rama dukej i nervozuar.
“E patë deklaratën për shtyp të Ramës në Rinas, ishte vetëm për spektakël. Ai ishte i nervozuar. Një drejtues qeverie mund të distancohej publikisht. Ai nuk ka asnjë detyrim ndaj Hysenit, nëse është i pastër”, tha Murati.
Gjithashtu, analisti kritikoi edhe mënyrën se si Rama reagoi ndaj masës së marrë nga SPAK, duke u shprehur se kryeministri përpiqet t’i mbrojë bashkëpunëtorët e tij për aq kohë sa mundet.
“Ai relativizoi dhe u mor një masë, sipas tij, e rëndë nga SPAK. Rama i mbron aq sa mund t’i mbrojë, si në rastin e Vlora Hysenit”, përfundoi Murati.
Lexo edhe
POLITIKE
Bardhi takon Ambasadoren e re të Holandës në Shqipëri: Krimi dhe korrupsioni kanë kapur shtetin

Zhupa: I vetmi akt që i shërben sigurisë kombëtare është dorëheqja

Deklaratat skandaloze të kryeministrit, Garo: Edi Rama bëri sot, akt shantazhi politik në zemër të Europës

Luftë për “Territor”/ “Doni ta votoni hartën e re për ta pasur për zgjedhjet!”, Bozdo thirrje PS: Lërini urdhrat politikë!

Blushi te Ligjet: Sot në konsultë, subjekte të filmave të Gysit. Harta e PS si tenderat e paracaktuar të Ramës e Ballukut





