“Në Strasburg bleva më lirë se në Shqipëri”, Berisha: Rama prenoton hotelin 15 mijë euro nata

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vendosur çmimet, pagat dhe pensionet në qendër të fjalimit të tij në “Foltoren e Ripërtëritjes” në Korçë. Berisha deklaroi se gjatë një vizite në Strasburg, ku mori pjesë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kishte hyrë në një market dhe kishte krahasuar çmimet me ato në Shqipëri.
“Absolutisht të gjithë çmimet, që të gjitha ose baras ose dy herë më të ulëta se këtu. Po rrogat e francezëve janë të paktën pesë herë më të larta se tonat”, tha Berisha.
Sipas tij, problemi kryesor qëndron te raporti mes të ardhurave dhe kostos së jetesës. Kreu i PD-së pretendoi se nga viti 2013 çmimet janë rritur shumë më tepër se pagat dhe e përshkroi situatën me krahasimin mes Shqipërisë së vitit 1990 dhe gjendjes së sotme. “Sot i kemi xhepat bosh, dyqanet plot, por nuk i blejmë dot”, deklaroi ai.
Berisha ia atribuoi këtë situatë korrupsionit dhe keqpërdorimit të parave publike nga qeveria. Ai kaloi më pas te shpenzimet e kryeministrit, duke deklaruar se “Edi Rama prenoton hotelin me 15 mijë euro natën”.
Berisha ngriti gjithashtu akuza për banesën e kryeministrit dhe kompaninë që, sipas tij, e ka ndërtuar atë. Ai pretendoi se kompania ka përfituar më pas tendera publikë. Gjatë të njëjtës pjesë të fjalimit, Berisha përmendi edhe një pallat që ia atribuoi familjes së bashkëshortes së Ramës dhe e lidhi kompaninë ndërtuese me projektin Qukës-Qafë Plloçë.
Kreu i PD-së deklaroi se rruga ishte prokuruar në vitin 2009 me një vlerë prej 73 milionë eurosh, ndërsa pretendoi se kostoja përfundimtare ka arritur në 320 milionë euro. Berisha i përdori këto shifra për të mbështetur akuzën e tij për korrupsion në investimet publike.
Në pjesën e dytë të fjalimit, Berisha u ndal te pensionistët dhe mundësia e tyre për të përballuar ushqimet dhe barnat. Ai solli rastin e një pensionisti, i cili, sipas tij, kishte llogaritur se vetëm një ilaç kundër mpiksjes së gjakut do t'i kushtonte gjatë një viti vlerën e tre pensioneve.
Berisha e lidhi këtë situatë me atë që e quajti humbje të “bashkëndjesisë” në shoqëri dhe akuzoi qeverinë se nuk përballet me pasojat sociale të kostos së jetesës.
“Varfëria të duket paaftësi e tjetrit dhe vetë lan duart, unë nuk kam përgjegjësi. Atëherë padrejtësia të duket një gjë normale. Atëherë dobësia të duket faji i tij”, tha Berisha.
Kreu i PD-së deklaroi se opozita do t'i japë përparësi çështjeve ekonomike dhe sociale, duke përmendur veçanërisht pensionet, barnat dhe fuqinë blerëse të qytetarëve.
Berisha premtoi se opozita do të synojë ndryshimin e kësaj situate, por nuk paraqiti në deklaratat e dhëna masa konkrete financiare apo një paketë të detajuar për pagat, pensionet dhe çmimet.
Lexo edhe
POLITIKE
Protesta e 125-të/ Nis marshimi i qytetarëve drejt Kryeministrisë: Rama jepe dorëheqjen

Nesho: Yeffet, SHISH dhe armët, skandali që çon te pushteti

“Rruga Qukës-Qafë Plloçë kushtoi 320 mln euro”, Berisha: Rama thotë se askush nuk vuan për bukë, por vetë hap verë 36 mijë euro!...

Ivi Kaso: Shpopullimi është problemi më i madh, opozita ka vetëm një kundërshtar, Edi Ramën

“Mijëra pensionistë humbin jetën se nuk marrin dot ilaçet”, Berisha nga Korça: 8 mijë km larg Tiranës, Ramën e gjuajnë me vezë





