“Qëndroja dy orë në makinë duke qarë”, Leon Dajaku rrëfen dramën e jetës: Nga vuajtjet e karrierës te rroga qesharake te Bayern

Leon Dajaku ka rrëfyer anën e panjohur të karrierës së tij, duke zbuluar periudhat e vështira që ka kaluar, presionin psikologjik dhe sakrificat që ka bërë për të vazhduar rrugëtimin në futbollin profesionist.
Sulmuesi shqiptar i Kosovës, aktualisht pjesë e Hansa Rostock në Ligën e Tretë gjermane, ka dhënë një intervistë për “HSTRYSTORIES”, ku është ndalur edhe te eksperienca e tij te Bayern Munich. Në vitin 2020, FSHF-ja thuhet se kishte shfaqur interes për ta afruar në Kombëtaren shqiptare, por Dajaku zgjodhi të përfaqësonte Gjermaninë në ekipet e moshave. Megjithatë, ai nuk arriti të debutonte asnjëherë me përfaqësuesen A të “Pancerave”.
Duke kujtuar aventurën te gjigantët bavarezë, 25-vjeçari ka treguar emocionet e takimit të parë me yjet e skuadrës, mes tyre edhe Robert Lewandowskin.
“Kur hyra për herë të parë në dhomat e zhveshjes, përballë kisha lojtarë që deri atëherë i njihja vetëm nga televizioni. Për shembull, kisha Lewandowskin përballë dhe, sinqerisht, nuk dija as si ta përshëndesja.
Ndihesha i intimiduar, edhe pse gjithmonë kam pasur besim te aftësitë e mia. Bayerni pagoi 1.5 milionë euro për transferimin tim, por njerëzit mendonin se përfitoja shuma marramendëse. Në realitet, paga ime ishte rreth 10 mijë euro në muaj, jo 60 mijë apo shifra të tilla”, rrëfeu Dajaku.
Sulmuesi zbuloi gjithashtu edhe arsyen që e shtyu të pranonte një ofertë nga Dubai, ku i ishin premtuar 60 mijë euro neto në muaj. Në atë periudhë, ai sapo ishte bërë baba dhe rrezikonte të mbetej pa skuadër.
“Më ofruan 60 mijë euro neto në muaj. Sapo isha bërë baba dhe rrezikoja të mbetesha pa klub. Mendova se ishte më mirë ta pranoja ofertën për disa muaj, sesa të mbetesha pa ekip”, tregoi futbollisti.
Por rrëfimi më prekës i Dajakut lidhet me vuajtjet psikologjike që ka përjetuar larg fushës së blertë. Ai pranoi se kishte momente kur nuk arrinte ta përballonte emocionalisht atë që po kalonte dhe kishte nevojë të qëndronte vetëm përpara se të kthehej pranë familjes.
“Kur kthehesha në shtëpi, ndonjëherë qëndroja edhe dy orë në veturë. Më duhej të qetësohesha dhe të mblidhja veten, sepse nuk doja t'ia përcillja gjendjen time emocionale bashkëshortes dhe vajzës”, përfundoi Leon Dajaku.
Një rrëfim i sinqertë i sulmuesit shqiptar, i cili tregon se pas emrave, transferimeve dhe miliona eurove në futbollin profesionist, fshihen edhe beteja personale që jo gjithmonë duken në publik.
Lexo edhe
SPORT
Rrëfimi tronditës i kapitenit të Çekisë: Depresioni gati më ndërpreu karrierën

Maran lë 4 lojtarë në tribunë për ndeshjen me Finlandën, e pëson edhe risia e grumbullimit

Barcelona ka treshen më të frikshme në Europë: Yamal, Raphinha dhe Fermin

Fury-Joshua në Cardiff: biletat shiten të gjitha, vendet më të shtrenjta arrijnë 13,128 stërlina

Pato kujton periudhën te Milani: Berlusconi më tha duhet të vish në shtëpinë time …!





