SHBA hap arkivat dhe zbulon të vërtetën për “Këmbëmadhin”! Sekuenca filmike që ngriti ‘stuhi” për 'gjigantin' me qime

Shteti amerikan i Oregonit ka hapur arkivat dhe brenda tyre ndodhet edhe Bigfoot-i. Jo vetë krijesa, me mish, kocka dhe qime, sigurisht, por tre dosje. Shërbimi Pyjor i ka publikuar ato në internet më 15 tetor, pa asnjë njoftim zyrtar dhe pa konferencë për shtyp, njësoj si të lësh një pjatë në prag të derës për një kafshë të egër. Publiku i vuri re vetëm një muaj më vonë.
Titulli i dosjeve është tipik administrativ: “Bigfoot/Sasquatch Records”. Adhuruesit e teorive konspirative, të cilët ushqehen me dyshime, kanë nxituar të bëjnë lidhjen: pas UFO-ve, të cilave Trump u dha njëfarë legjitimiteti, tani është radha e tij. Çfarë po na fshehin?
Por, po t'i lexosh dokumentet, ato tregojnë diçka krejt tjetër.
Në dokumentin e parë, të vitit 1980, një burrë nga Montana kujton një ekspeditë gjuetie në vitet 1940, në Petty Creek. Ata nuk panë asgjë. Gjetën gjurmë, ndien një erë të fortë dhe dëgjuan një gërhimë. “Më vonë, kur folëm për këtë ngjarje, zbuluam se të gjithë kishim përjetuar një ndjenjë të madhe shqetësimi”. Është rrëfimi më i sinqertë që mund të bëhet për një mister të tillë: askush nuk e pa përbindëshin, por të gjithë u frikësuan.
Gjurmët gjigante që zbuluan të vërtetën
Dokumenti i dytë është i vitit 1982 dhe vjen nga Pylli Kombëtar Umatilla, në shtetin e Uashingtonit. Një rojtar pylli me kohë të pjesshme, Paul Freeman, raporton për gjurmë të çuditshme dhe shumë të mëdha përgjatë përroit Mill Creek: një shputë 38 centimetra të gjatë, me hapa që kalonin një metër, të cilat zhdukeshin në moçal.
Shteti dërgon dy ekspertë për të hetuar rastin. Njëri prej tyre është Joel Hardin, gjurmues i Patrullës Kufitare, i mësuar të lexojë shenjat në terren për të ndjekur personat që kalojnë kufirin. Tjetri është Rodney Johnson, biolog i faunës së egër.
Hardin shkruan se gjurmët ishin krijuar me anë të një objekti në formën e një shpute këmbe. Ato shfaqeshin dhe zhdukeshin përgjatë shtegut, pa ardhur nga ndonjë drejtim dhe pa u larguar drejt ndonjë vendi tjetër.
Johnson vëren një detaj që i jep fund legjendës: çizmet e njerëzve të tij fundoseshin në baltë më shumë sesa ato gjurmë gjigante.
Pavarësisht se çfarë i kishte lënë ato gjurmë, përfundimi i tij ishte se nuk bëhej fjalë për një krijesë dykëmbëshe që peshonte më shumë se 130 kilogramë.
Ky është paradoksi i kësaj historie: shteti hap arkivat dhe, në vend që të konfirmojë misterin, e rrëzon atë. Askush nuk do ta besojë, sepse Bigfoot-i nuk ndodhet në dosje, por në një sekuencë filmike.
Është 20 tetor 1967, pak pas mesditës. Bluff Creek, në Kaliforninë Veriore. Roger Patterson dhe Bob Gimlin janë mbi kuaj, përgjatë rrjedhës së një përroi. Patterson mban në duar një kamerë filmike dhe regjistron një figurë të errët, të mbuluar me qime, që ecën me dy këmbë. Në kuadrin e 352-të, krijesa kthehet dhe hedh vështrimin pas, mbi shpatull, drejt tij. Pesëdhjetë e nëntë sekonda filmim që hodhën themelet e një besëtytnie. /PiranjatNews/
Lexo edhe
LIFESTYLE
Hëna e plotë e nëntorit sjell trazira emocionale për këto 3 shenja të zodiakut

VIDEO- “Jam një qenie njerëzore”/ Politikani në Nju Jork mohon se është…reptil apo demon pas videos virale

VIDEO/ Nxënësit dhunojnë barbarisht drejtorin e shkollës pasi ndërhyri për të...

Tregoni si bisedoni dhe t’ju themi shenjën tuaj të zodiakut!

Gabimet më të shpeshta që bëni me shampon e thatë: Ja si ta përdorni siç duhet





