Shqipëria me pabarazi më të ulët në të ardhura sesa disa nga vendet e zhvilluara evropiane

Shqipëria pozicionohet më mirë se një sërë vendesh europiane, përfshirë Italinë, Spanjën, Portugalinë, si dhe Serbinë dhe Malin e Zi, sa i përket barazisë në shpërndarjen e të ardhurave. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat për vitin 2025, koeficienti Gini për Shqipërinë rezulton 30.4 pikë, duke e renditur vendin në të njëjtin nivel me Francën dhe me një tregues më të favorshëm se disa prej ekonomive më të mëdha europiane.
Të dhënat e publikuara tregojnë se Shqipëria ka një shpërndarje më të barabartë të të ardhurave krahasuar me Italinë, ku koeficienti Gini arrin në 31 pikë, Spanjën me 30.8 pikë dhe Portugalinë me 30.9 pikë.
Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria paraqitet në një pozicion relativisht të favorshëm. Serbia regjistron një koeficient Gini prej 32 pikësh, ndërsa Mali i Zi 31.6 pikë, të dyja me nivele më të larta të pabarazisë në shpërndarjen e të ardhurave. Maqedonia e Veriut, me 29.2 pikë, rezulton me një tregues më të ulët se Shqipëria. Për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, të dhënat më të fundit të përfshira në krahasim i përkasin vitit 2024.
Një tjetër element pozitiv është pozicionimi i Shqipërisë në të njëjtin nivel me Francën, një nga ekonomitë më të mëdha të Bashkimit Europian. Të dyja vendet regjistrojnë një koeficient Gini prej 30.4 pikësh, ndërsa diferenca me Gjermaninë, ku treguesi është 30.1 pikë, mbetet relativisht e vogël.
Në renditjen e 34 vendeve europiane të përfshira në statistikat e Eurostat, Shqipëria qëndron larg vendeve me nivelet më të larta të pabarazisë, si Turqia, Bullgaria, Letonia dhe Lituania.
Koeficienti Gini mat mënyrën se si shpërndahen të ardhurat e disponueshme ndërmjet familjeve, duke marrë parasysh madhësinë dhe përbërjen e tyre. Sa më i ulët të jetë treguesi, aq më e barabartë konsiderohet shpërndarja e të ardhurave.
Në këtë kuptim, rezultati i Shqipërisë tregon një pozicion konkurrues në krahasim me disa vende të rajonit dhe ekonomi të zhvilluara europiane, megjithëse treguesi mbetet pak mbi mesataren e Bashkimit Europian, prej 29.2 pikësh.
Turqia dhe Bullgaria kryesojnë Europën për pabarazinë në të ardhura
Sipas Eurostat, diferencat në shpërndarjen e të ardhurave mbeten të konsiderueshme ndërmjet vendeve europiane.
Turqia regjistron koeficientin më të lartë Gini, me 43.9 pikë, ndërsa Bullgaria renditet e dyta me 37.7 pikë dhe rezulton vendi me pabarazinë më të madhe ndër anëtarët e Bashkimit Europian.
Pas tyre renditen Letonia me 35.6 pikë, Lituania me 35.5 pikë dhe Serbia me 32 pikë.
Në krahasim me këto vende, Shqipëria paraqet diferenca të konsiderueshme në favor të një shpërndarjeje më të barabartë të të ardhurave. Koeficienti Gini i Shqipërisë është 7.3 pikë më i ulët se ai i Bullgarisë dhe 13.5 pikë më i ulët se ai i Turqisë.
Pabarazia e lartë në Bullgari lidhet me disa faktorë, përfshirë sistemin e taksimit, kapacitetin e kufizuar të transfertave sociale për të rishpërndarë të ardhurat, informalitetin dhe diferencat ekonomike ndërmjet rajoneve.

Pabarazia në Bashkimin Europian në nivelin më të ulët që nga viti 2010
Në nivel europian, të dhënat tregojnë një tendencë të përgjithshme drejt një shpërndarjeje më të barabartë të të ardhurave.
Në vitin 2025, koeficienti Gini i Bashkimit Europian zbriti në 29.2 pikë, nga 29.4 pikë në vitin 2024, duke shënuar nivelin më të ulët të serisë statistikore që nis në vitin 2010.
Për periudhën 2010–2024, mesatarja e këtij treguesi ishte 30.2 pikë, çka tregon se niveli aktual është një pikë më i ulët se mesatarja e 15 viteve të mëparshme.
Rumania është një nga shembujt më domethënës të përmirësimit të shpërndarjes së të ardhurave. Koeficienti i saj Gini ka zbritur në 27.3 pikë, ose 6.4 pikë më poshtë se mesatarja historike prej 33.7 pikësh.
Përmirësime të ndjeshme janë regjistruar edhe në Poloni, Maqedoninë e Veriut, Serbi dhe Mal të Zi.
Disa ekonomi të zhvilluara kanë pabarazi më të lartë se vendet e Europës Lindore
Të dhënat e Eurostat evidentojnë gjithashtu se niveli i zhvillimit ekonomik nuk përcakton automatikisht shkallën e barazisë në shpërndarjen e të ardhurave.
Për shembull, Suedia regjistron një koeficient Gini prej 28.6 pikësh dhe Danimarka 28.2 pikë, ndërsa Polonia ka një tregues më të ulët, prej 24.9 pikësh.
Ndërkohë, Sllovakia rezulton vendi me shpërndarjen më të barabartë të të ardhurave, me një koeficient Gini prej 23 pikësh, e ndjekur nga Belgjika me 23.4 pikë, Norvegjia me 23.7 pikë dhe Çekia me 24 pikë./Ekofin
Lexo edhe
SOCIALE
Gati 28% e shqiptarëve kanë një plan konkret për të emigruar

Raporti i KLSH: Kamza me ujë vetëm 4 orë në ditë, humbjet në rrjet arrijnë në 63%

Ushqimet në Shqipëri shtrenjtohen 5.5 herë më shpejt se në BE/ Familjet përballen me vështirësi

Pothuajse 1 në 2 familje shqiptare nuk përballon dot një shpenzim të papritur prej 1,000 eurosh pa marrë borxh

100 € në muaj për qytetar! Eurostat nxjerr Shqipërinë të fundit në Europë për mbrojtjen sociale





