Studentët çojnë në Kushtetuese tre aktet e qeverisë për protestat
Studentët dhe organizatat e shoqërisë civile i drejtohen sot Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar tre aktet e miratuara nga qeveria

Studentët dhe organizatat e shoqërisë civile i drejtohen sot Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar tre aktet e miratuara nga qeveria më 28 tetor, të cilat lidhen me kufizimin e protestave, kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë tubimeve dhe krijimin e një regjistri policor për personat e përfshirë në akte dhune.
Grupimet “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, së bashku me katër organizata të shoqërisë civile, do të depozitojnë sot, në orën 14:00, tre ankimet.
Në reagimin zyrtar ata deklarojnë se aktet e miratuara nga qeveria krijojnë hapësirë për ndëshkimin edhe të personave që nuk kanë kryer vetë akte dhune, ndërsa i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese që çështjet të shqyrtohen me përparësi dhe të pezullohet zbatimi i dispozitave të kundërshtuara deri në një vendim përfundimtar.
“Ne, studentët e grupimeve “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, kemi nënshkruar tre ankime së bashku me katër organizata të shoqërisë civile: Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH), Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë (AOS) dhe EcoAlbania.
Kundërshtojmë:
Aktin normativ nr. 5/2026 i cili i jep policisë të drejtën të ndalojë ose të kufizojë protestat rreth institucioneve, të largojë qytetarë nga “zonat e mbrojtura”, të kërkojë fshirjen e postimeve në rrjete dhe të vendos gjoba deri në 500 mijë lekë, sa dhjetë paga minimale;
Aktin normativ nr. 6/2026 i cili i bën organizatorët përgjegjës solidarisht për dëmet e shkaktuara nga të tjerë gjatë protestave të tetorit dhe vendos gjoba për sjellje të kryera para se këto gjoba të ekzistonin;
VKM-në nr. 815/2026 i cili krijon një regjistër policor në prokurori që personit t’i refuzohet dalja nga vendi pa vendim gjykate ose të njoftohet shteti ku udhëton, policia njofton për të edhe hotelet.
Tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat. Qeveria thotë se me këtë paketë “protesta paqësore mbrohet” dhe se “përgjegjësia është gjithnjë vetjake”, paketa “antidhunë” ndëshkon edhe ata që nuk kanë ushtruar dhunë.
Për këtë arsye, kërkojmë që Gjykata Kushtetuese t’i shqyrtojë ankimet me përparësi. I kërkojmë gjithashtu që, deri në vendimin përfundimtar, të pezullojë zbatimin e dispozitave për të cilat kemi kërkuar pezullim. Edhe nëse Kuvendi i miraton aktet normative, ankimet nuk mbeten pa objekt, i kemi kërkuar Gjykatës ta shtrijë kontrollin edhe te ligji miratues”,– thuhet në reagim.
Lexo edhe
POLITIKE
Tabaku: Shqiptarët kërkojnë më shumë Europë, Rama më shumë pushtet

Drejtësia shqiptare mbetet jashtë ‘epokës’ së Inteligjencës Artificiale

Protesta vijon, Rama përsërit ftesën për dialog ndaj studentëve dhe pedagogëve

U arrestua pasi refuzoi gjobën/ Goxhaj: Janë të paligjshme, nuk e arsyetuan

Parti apo lëvizje politike? Gazetari Stafa jep lajmin: Studentët po organizohen





