Studentët e Politeknikut protestojnë me postera, denoncojnë problemet në arsim dhe premtimet e parealizuara
Studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës kanë zgjedhur këtë të mërkurë një formë ndryshe proteste, duke vendosur në muret e

Studentët e Universitetit Politeknik të Tiranës kanë zgjedhur këtë të mërkurë një formë ndryshe proteste, duke vendosur në muret e korridoreve dhe dyert e ambienteve universitare postera që pasqyrojnë problematikat në arsim, shëndetësi, ekonomi, emigracion dhe investime publike.
Përmes artikujve të publikuar në media, të dhënave nga raporte të ndryshme dhe deklaratave të përfaqësuesve të qeverisë, të shoqëruara me mesazhe ironizuese të shkruara me dorë, studentët kanë sjellë në vëmendje një sërë premtimesh që, sipas tyre, vijojnë të mbeten të parealizuara.
Një prej posterave të vendosur në universitet pasqyron shpenzimet për tenderë të Universitetit Politeknik të Tiranës, të cilat, sipas të dhënave të afishuara, arrijnë në 47.23 milionë euro në tre vite, ndërsa me TVSH vlera shkon në 56 milionë euro.
“Miliona euro tendera, po nuk na punon as Wi-Fi ‘FTI-student’”, shkruajnë studentët.
Në një tjetër poster, studentët rikthejnë në vëmendje premtimin për ndërtimin e godinës së re të Fakultetit të Arkitekturës dhe atij të Inxhinierisë së Ndërtimit, e cila ishte parashikuar të vihej në dispozicion të tyre në fillim të vitit 2026.
“Ku është ky xhevahir sot?” dhe “Po godinën e arkitektëve tanë të ardhshëm, kush e ideon?”, janë dy prej mesazheve të afishuara në korridoret e universitetit.
Protesta e studentëve nuk kufizohet vetëm te problematikat e arsimit. Në posterat e tyre ata ngrenë shqetësime edhe për rritjen e kostos së jetesës, çmimet e apartamenteve, qiratë e papërballueshme në kryeqytet dhe kapacitetet e pamjaftueshme të konvikteve.
Një tjetër çështje e ngritur nga studentët është emigrimi i profesionistëve të rinj. Duke iu referuar një studimi mbi tregun e punës në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ata evidentojnë se nga 2,822 profesionistë që janë larguar nga kompanitë e përfshira në studim gjatë një periudhe 12-mujore, 1,271 prej tyre janë larguar për arsye emigracioni.
“Po përdorim pasaportën europiane pra…!” dhe “Çfarë aspiratash pune ke për të ardhmen?”, shkruhet në posterat që shoqërojnë këto të dhëna.
Studentët kanë rikujtuar gjithashtu premtimet për furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë në Tiranë, vonesat në realizimin e projektit hekurudhor Tiranë-Durrës, si dhe shpenzimet që qytetarët përballojnë nga xhepi për shërbimet shëndetësore.
“Sa breza duhet të kalojnë që të vijë treni?”, “Fund viti 2026, e akoma flasim a kemi ujë!” dhe “Shëndetësi falas?!?”, lexohet në afishet e vendosura në muret e universitetit.
Në fokus të protestës janë edhe largimi i mjekëve dhe infermierëve nga vendi, detyrimi i studentëve të mjekësisë për të punuar në Shqipëri pas përfundimit të studimeve, si dhe denoncimet për përdorimin e administratës arsimore gjatë fushatave zgjedhore.
“Arsimi nuk është shtab elektoral!”, është një tjetër mesazh i studentëve, i vendosur në një poster ku shfaqet një fotografi e Ogerta Manastirliut dhe Elisa Spiropalit duke folur në një ambient mësimor.
Në korridoret e Universitetit Politeknik janë afishuar gjithashtu fotografi nga përballjet mes policisë dhe protestuesve, të shoqëruara me mesazhet ironizuese “Shoqërim me ‘komoditet’!” dhe “Ja vlen 2500 euro”.
Lexo edhe
AKTUALITET
Përplasen 3 makina në aksin Lezhë-Milot, disa të plagosur, mes tyre një i mitur

Atentati i dyfishtë në Fier, policia kërkon informacione nga Kosova dhe Suedia për makinën e vjedhur, dyshime për përfshirjen e shtetasve...

Pagat vjetore në Shqipëri, sa një e katërta e mesatares së BE-së, ndër më të ulëtat në Europë

Erion Vishkulli dëshmon në Prokurori për plagosjen me plumb gome në sy

IGJEUM paralajmëron reshje intensive nesër, rrezik për përmbytje në shtatë qarqe





