IGJEUM paralajmëron reshje intensive nesër, rrezik për përmbytje në shtatë qarqe

Instituti i Gjeoshkencave (IGJEUM) ka paralajmëruar për reshje intensive gjatë ditës së nesërme, të enjten, më 26, në disa qarqe të vendit, duke ngritur alarmin për rrezik përmbytjesh dhe rrëshqitjesh dherash.
Sipas njoftimit të IGJEUM, reshjet më intensive priten në qarkun e Shkodrës, ndërsa në Kukës, Dibër dhe Lezhë parashikohen reshje intensive deri lokalisht shumë intensive. Reshje intensive priten gjithashtu në qarqet Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve, në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër ekziston rreziku i vërshimeve të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, si dhe i rrëshqitjeve të dherave.
Ndërkohë, në zonat urbane të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së sistemit të kanalizimeve.
IGJEUM paralajmëron gjithashtu se reshjet do të sjellin rritje të prurjeve në lumenjtë e mëdhenj dhe të mesëm, përfshirë Drin-Bunën, Matin, Ishmin, Erzenin, Shkumbinin, Semanin dhe Vjosën.
Në qarqet Elbasan dhe Fier parashikohen reshje mesatare deri lokalisht intensive, ndërsa në të gjithë territorin e vendit priten edhe shtrëngata.
Sa i përket temperaturave, gjatë së enjtes ato pritet të luhaten nga 11 deri në 17 gradë Celsius në zonat bregdetare, nga 12 deri në 18 gradë në vendet e ulëta dhe nga 3 deri në 13 gradë në zonat malore.
Edhe era do të jetë një tjetër element i motit problematik. Ajo pritet të fryjë me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa në bregdet do të jetë e fortë deri shumë e fortë.
Lexo edhe
AKTUALITET
Vrasja e Santiago Malkos, Apeli dënon Erlis Dukën me 28 vite burg, lë në fuqi dënimet e të tjerëve

“S’janë kumbullat e dardhat, bahçja është kontaminuar”, Spiropali shpërthen ndaj Ramës: S’mban më pa besim! Protestat? Nuk zgjidhet me po...

Bllokohen 54 ton mish pule nga Brazili, certifikatat nuk përputheshin me të dhënat në sistem

Inceneratorët/ Ish-deputeti socialist, Alqi Bllako paraqitet në GJKKO

Fshati Zboq i Korçës prej më shumë se 10 vitesh pa ujë të pijshëm, rrjeti jashtë funksionit





