Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Vrasja e “Papagallit” në Greqi, zbardhet dëshmia e bashkëpunëtorit: Kisha frikë t’i thoja jo Seancë e rëndësishme në Kuvend, buxheti 2027 dhe aktet për protestat në rend dite Katër ditë pushim, nga 55 në 2,700 euro; Ku do të udhëtojnë shqiptarët për festat e Nëntorit? Çerdhet pa drekë dhe me orar të kufizuar, pengesë për punësimin e nënave Sot paralizohet për 3 orë transporti publik në vend, rritja e TVSH do të shtrenjtojë biletat Reshje të dendura dhe shtrëngata në vend, ja qarqet në rrezik për përmbytje Horoskopi/ Zbuloni çfarë kanë rezervuar yjet për secilën shenjë, kush do të ketë fat në dashuri dhe financa... Kazinoja te ‘Air Albania’/ Zbardhen fijet që të çojnë te Olsi Rama Karteli i kazinove dhe pushteti i Olsi Ramës/ Toka 320 mijë euro u vlerësua 26 milionë euro për licensimin ... Debati për operacionin e Veliajt, deputetja socialiste propozon ndryshime të ligjit “Jam polic!”/ Zbardhet plagosja me thikë në Maliq, 30-vjeçari sulmoi i pari autorin, shpallet në kërkim... Mesazhi i fortë i Ambasadorit Wendt për rritjen e bizneseve amerikane: Të garantohet konkurenca, të investo...
AKTUALITET

Tenderët e pastrimit dhe gjelbërimit në Tiranë, si u anashkaluan kriteret për shpalljen e fituesve

Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit në Tiranë ka shpallur fitues në 27 tendera operatorë ekonomikë që nuk plotësonin kushtet

P
Piranjat26 November 2026, 08:54 · 6 min lexim
Tenderët e pastrimit dhe gjelbërimit në Tiranë, si u

Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit në Bashkinë Tiranë ka shpallur fitues në 27 procedura prokurimi operatorë ekonomikë që nuk plotësonin të gjitha kriteret e tenderave, për kontrata me vlerë rreth 479.1 milionë lekë pa TVSH. Ndërkohë, në 33 procedura të tjera të shqyrtuara, me kontrata në vlerën 747.2 milionë lekë, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar kritere të papërshtatshme kualifikimi, të cilat mund të kufizojnë konkurrencën dhe të pengojnë pjesëmarrjen e bizneseve në tenderë.

Sipas raportit, gjatë viteve 2022-2025, Bashkia  ka zhvilluar 84 procedura prokurimi me vlera të larta, me një fond limit prej rreth 1 miliard e 128.3 milionë lekësh pa TVSH. Vlera e kontratave të lidhura ka arritur në 1 miliard e 58.9 milionë lekë.

Nga këto procedura, KLSH ka audituar me zgjedhje 42 tenderë, me vlerë kontratash prej 816.4 milionë lekësh pa TVSH, duke mbuluar rreth 77% të fondit limit të prokuruar gjatë periudhës.

Fitues pa përmbushur të gjitha kushtet e tenderit

Si shkelje kryesore KLSH ka gjetur mënyrën se si Komisionet e Vlerësimit të Ofertave kanë shqyrtuar dokumentacionin e operatorëve ekonomikë.

Në 27 procedura, me fond limit prej 517.2 milionë lekësh dhe vlerë kontratash prej 479.1 milionë lekësh pa TVSH, audituesit kanë konstatuar se operatorët e shpallur fitues nuk përmbushnin të gjitha kriteret e përcaktuara në dokumentet e tenderit.

Këto procedura përfshijnë një gamë të gjerë blerjesh dhe shërbimesh për mirëmbajtjen e qytetit.

Mes tyre janë tenderët për furnizimin dhe vendosjen e drurëve dhe shkurreve dekorative, blerjen e pemëve për Pyllin Orbital, pastrimin dhe riparimin e koshave dekorativë, furnizimin me uniforma dhe veshje speciale, blerjen e pjesëve të këmbimit për automjetet, si edhe ndërtimin e rrjeteve ujitëse.

Probleme janë konstatuar edhe në procedura për rikonstruksionin e lulishteve, blerjen e stolave dekorativë dhe furnizimin me mjete transporti.

Sipas KLSH-së, Komisionet e Vlerësimit të Ofertave nuk kanë vepruar në përputhje me kërkesat e legjislacionit për prokurimin publik, duke kualifikuar operatorë që nuk plotësonin të gjitha kushtet e miratuara nga vetë autoriteti kontraktor.

Audituesit kërkojnë që drejtuesit e institucionit të analizojnë arsyet e këtyre parregullsive, të përcaktojnë përgjegjësitë dhe të marrin masa për të shmangur përsëritjen e tyre.

Kritere që mund të pengojnë konkurrencën në tendera me vlerë 747 milionë lekë

Problematika tjetër lidhet me hartimin e kritereve të kualifikimit, përpara se bizneset të paraqesin ofertat.

Në 33 procedura prokurimi, me fond limit prej 796.3 milionë lekësh dhe kontrata të lidhura në vlerën 747.2 milionë lekë pa TVSH, KLSH ka konstatuar kritere që nuk përputheshin me kushtet e zhvillimit të procedurave.

Sipas auditimit, kërkesat e vendosura ndaj operatorëve ekonomikë duhet të jenë në përpjesëtim me natyrën, vlerën dhe objektin e kontratës, si edhe me aftësinë e nevojshme për realizimin e saj.

Vendosja e kritereve të paargumentuara ose joproporcionale mund të krijojë pengesa për pjesëmarrjen e bizneseve dhe të sjellë skualifikimin e ofertave ekonomikisht më të leverdishme.

Kjo problematikë është konstatuar në tendera për blerjen e karburantit, drurëve dhe shkurreve dekorative, mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra, sistemet e vaditjes, pajisjet dhe materialet e punës, si edhe riparimin e objekteve në administrim të Drejtorisë.

Gjithashtu,  KLSH vëren se në shtatë procedura prokurimi, me kontrata në vlerën rreth 114.7 milionë lekë pa TVSH, janë përdorur specifikime teknike të paargumentuara. Në disa raste ato përmbanin parametra tepër specifikë ose referenca ndaj markave dhe modeleve të caktuara, pa argumentimin e nevojshëm teknik apo pa përdorur formulimin që lejon produkte ekuivalente.

Kërkesa të tilla mund të kufizojnë konkurrencën, duke favorizuar karakteristika të caktuara produktesh në vend të përcaktimit të nevojave reale të institucionit.

KLSH kërkon nxjerrjen e përgjegjësive dhe ndryshimin e praktikave

Gjetjet për operatorët e shpallur fitues pa plotësuar kriteret dhe ato për kushtet e papërshtatshme të pjesëmarrjes përfshijnë procedura që mund të mbivendosen. Për këtë arsye, vlerat e dy kategorive nuk përfaqësojnë një total të përbashkët kontratash me shkelje.

Gjithashtu, shumat e konstatuara nga KLSH janë vlera kontratash ku janë identifikuar parregullsi procedurale dhe nuk përbëjnë automatikisht dëm ekonomik të provuar.

Megjithatë, përmasat e gjetjeve ngrenë shqetësime mbi mënyrën e administrimit të fondeve publike, transparencën e procedurave dhe garantimin e konkurrencës për kontratat e pastrimit dhe gjelbërimit në kryeqytet.

Në rekomandimet e tij, KLSH kërkon që Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Gjelbërimit të analizojë parregullsitë në vlerësimin e ofertave dhe të nxjerrë përgjegjësitë për rastet kur janë kualifikuar operatorë që nuk përmbushnin kriteret.

Njëkohësisht, institucioni duhet të garantojë që kriteret e ardhshme të pjesëmarrjes të mbështeten në argumente teknike dhe ligjore, të jenë proporcionale me objektin e kontratave dhe të mos krijojnë pengesa të pajustifikuara për operatorët ekonomikë./ekofin.al

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.