Çerdhet pa drekë dhe me orar të kufizuar, pengesë për punësimin e nënave
Një ditë pune me tetë orë, por një çerdhe që e përfundon shërbimin në mesditë. Mospërputhja ndërmjet orarit të institucioneve të kujdesit për fëmijët dhe atij të tregut të punës mbetet një nga pengesat për punësimin me kohë të plotë të grave në Shqipëri. Raporti i fundit i UN Women, “Vlerësimi i punës së kujdesit: […]

Një ditë pune me tetë orë, por një çerdhe që e përfundon shërbimin në mesditë. Mospërputhja ndërmjet orarit të institucioneve të kujdesit për fëmijët dhe atij të tregut të punës mbetet një nga pengesat për punësimin me kohë të plotë të grave në Shqipëri.
Raporti i fundit i UN Women, “Vlerësimi i punës së kujdesit: Përafrimi i Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian”, evidenton se mungesa e shërbimeve të përshtatshme dhe të përballueshme të kujdesit për fëmijët vijon të kufizojë pjesëmarrjen e grave në aktivitetin ekonomik.
Një nga problemet konkrete të identifikuara është se shumë çerdhe në vend nuk ofrojnë vaktin e drekës, duke i detyruar prindërit t’i marrin fëmijët në mesditë. Në mungesë të alternativave të tjera të kujdesit, kjo kufizon mundësinë e nënave për të punuar me orar të plotë.
Shqipëria mbetet ndjeshëm pas mesatares së Bashkimit Europian sa i përket përdorimit të shërbimeve formale të kujdesit për fëmijët.
Sipas të dhënave të Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës (SILC), të cituara në raport, në vitin 2023 vetëm 13.7% e fëmijëve deri në moshën 3 vjeç në Shqipëri kalonin të paktën 25 orë në javë në institucione formale të kujdesit, kundrejt 26.7% në BE.
Diferenca është edhe më e theksuar për fëmijët nga mosha 3 vjeç deri në fillimin e arsimit të detyrueshëm. Në Shqipëri, vetëm 29% e tyre frekuentonin institucionet e kujdesit për të paktën 25 orë në javë, krahasuar me 68% në Bashkimin Europian.
Mungesa e çerdheve dhe kostot për familjet
Problematika është më e theksuar në zonat rurale. Një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit, i zhvilluar në 13 njësi të vetëqeverisjes vendore për periudhën 2019–2023, konstatoi se në pothuajse 80% të bashkive të audituara, mbulimi me çerdhe dhe kopshte në zonat rurale ishte shumë i ulët krahasuar me zonat urbane.
Ndërkohë, në qendrat urbane, problemet lidhen kryesisht me mbipopullimin e klasave dhe numrin e lartë të fëmijëve për edukator.
Përveç disponueshmërisë së shërbimeve, një pengesë tjetër është përballueshmëria financiare. Tarifat e kopshteve që ofrojnë drekë konsiderohen të papërballueshme për familjet në nevojë, ndërsa kostot shtesë dhe vështirësitë në transport e kufizojnë më tej aksesin.
Raporti evidenton gjithashtu mungesën e personelit ndihmës dhe psikosocial, pagat e ulëta dhe mundësitë e kufizuara për zhvillimin profesional të stafit.
Bashkimi Europian ka përcaktuar si objektiv deri në vitin 2030 përfshirjen në shërbimet e edukimit dhe kujdesit të hershëm të 45% të fëmijëve nën moshën 3 vjeç dhe 96% të fëmijëve nga mosha 3 vjeç deri në fillimin e arsimit të detyrueshëm.
Sipas UN Women, Shqipëria nuk ka ende objektiva kombëtarë të regjistrimit të fëmijëve dhe një kuadër të unifikuar të cilësisë së këtyre shërbimeve. Mungojnë gjithashtu rregulloret për oraret fleksibël dhe organizimin sistematik të kujdesit jashtë orarit shkollor.
Në kushtet kur bizneset shqiptare përballen me mungesën e fuqisë punëtore, zgjerimi i rrjetit të çerdheve dhe kopshteve, si dhe përshtatja e orareve të tyre me nevojat e prindërve që punojnë, përbëjnë jo vetëm një nevojë sociale, por edhe një instrument për rritjen e punësimit./Monitor
Lexo edhe
SOCIALE
Pa mbaruar autostradën 300 mln euro Tiranë-Durrës, qeveria planifikon një rrugë 210 mln euro për ta shmangur atë

13 viktima dhe 113 raste të reja me HIV, çfarë tregojnë shifrat për 10 muaj e parë të 2026 në Shqipëri

Shteti braktis të moshuarit, 80% e tyre nuk përballojnë dot një kujdestar

Raporti tronditës i OKB: Shtëpia mbetet vendi më i rrezikshëm për gratë

Gjithçka po shtrenjtohet, edhe inflacioni, përjashtuar ushqimet, iu kthye rritjes në muajin tetor





