EMRI/ Burri shqiptar u përplas për vdekje gjatë pazarit, kamerat zbulojnë të vërtetën e ngjarjes

Ai po kthehej me biçikletë në shtëpi nga pazari, kur u përplas nga një fuoristradë dhe humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.
Tragjedia, që i mori jetën 78-vjeçarit Gjin Lushaj, me origjinë shqiptare, ndodhi më 27 mars 2024, në rrugën Via Raffaello Sanzio, , në Senigallia të Italisë, në një segment të drejtë të rrugës shtetërore Adriatica.
Gati tre vjet pas aksidentit, drejtuesi i Mercedes GLS Coupé SUV, një biznesmen 61-vjeçar nga Senigallia, po gjykohet për vrasje nga pakujdesia në aksident rrugor, përpara gjyqtares Paola Moscaroli. Edhe kompania e sigurimit të automjetit të drejtuar nga biznesmeni është përfshirë në proces, në cilësinë e palës civile përgjegjëse.
Rindërtimi i aksidentit
Detaje të reja mbi aksidentin u zbuluan gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar në mëngjes në Gjykatën e Ankonës. Një oficer i Policisë Rrugore të Ankonës, i cili në atë kohë ishte përgjegjës për sektorin e aksidenteve, dëshmoi në proces në mbështetje të akuzës.
Oficeri rindërtoi në detaje ngjarjen. Sipas raportit të tij, drejtuesi i automjetit kishte tejkaluar shpejtësinë e lejuar, ndërsa çiklisti kishte përshkuar pothuajse të gjithë rrugën kur u përplas për vdekje.
“Kjo konfirmohet edhe nga pamjet e kamerave të dy bizneseve në zonë, si dhe nga të dhënat e regjistruara nga kutia e zezë e automjetit”, deklaroi oficeri. Kamerat kishin filmuar aksidentin, ndërsa pajisja në makinë kishte regjistruar shpejtësinë e lëvizjes. Aksidenti ndodhi pak pas orës 12:00 të mesditës.
“Në momentin e përplasjes me biçikletën, fuoristrada po lëvizte me 70 kilometra në orë, megjithëse shpejtësia e lejuar në atë zonë të banuar ishte 50 kilometra në orë”, shpjegoi oficeri i Policisë Rrugore.
Ai shtoi se biçikleta u gjet 18 metra larg pjesës së pasme të automjetit dhe se çiklisti pothuajse e kishte përfunduar kalimin e rrugës në momentin kur u godit.
Sipas oficerit, pamjet e kamerave të dy bizneseve tregonin se 78-vjeçari kishte nisur të kalonte rrugën pasi kishte kaluar një makinë tjetër, duke menduar se rruga ishte e lirë.
Avokatët mbrojtës Antonio Squillace dhe Francesco Gresta pyetën nëse shikueshmëria e drejtuesit të fuoristradës mund të ishte penguar nga një automjet tjetër, por kjo mundësi u përjashtua.
Familja e viktimës, Gjin Lushaj, me origjinë shqiptare dhe banues prej vitesh në Senigallia, është përfaqësuar në procesin civil nga avokatët Elisabetta Saraga dhe Alessandro Angeletti. Seanca e radhës gjyqësore është caktuar për në fund të janarit. /PiranjatNews/
Lexo edhe
AKTUALITET
Zvicër/ 16-vjeçari shqiptar tenton t’i ikë policisë në autostradë me skuter të vjedhur, rrëzohet gjatë ndjekjes

“Puna e natës, gaz i ditës”/ Profesori Lush Susaj: Territorialja, marri që do të shpopullojë vendin! Nuk lodhemi, në shesh deri në largim...

Grabitje prej 50 mijë eurosh, pranga grupit të shqiptarëve për 19 vjedhje banesash

Denoncimi/ Muxhahedinët dalin nga kampi dhe ruajnë fëmijët pranë shkollave e kopshteve

Ishin nisur të vrisnin "trimin" në Lezhë/ Kush është Vinçent Piroli?





