Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
“Gimbos i vodhën makinën”/ Selin zbulon incidentin: 24 orët e fundit kanë qenë si serial, pa gjumë dhe nerv... Ryanair ndryshon afatin e check-in nga 10 nëntori, çfarë duhet të kenë parasysh ata që udhëtojnë nga Tirana... Zbulohet skandali në Greqi/ “VIP”-at i shkaktojnë 206 milionë euro dëm shtetit, skema e “perandorit” të nat... “Amerika bëri një hap gjigant prapa në histori”, Trump pas disfatës në zgjedhjet e mesmandatit: Republikanë... Kryeministri britanik letër Kurtit: Kosova të respektojë mandatin e Gjykatës Speciale, si dëshmi e pjekuris... "Liria ka Emër” planifikon peticion dhe grevë për vendimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së 69 ditë i zhdukur në Oqeanin Paqësor, 86-vjeçari dhe qeni i tij gjenden gjallë 740 kilometra larg bregut Gjermania miraton përgjysmimin e kuotës vjetore të punësimit për Ballkanin Perëndimor Ngjarje e rëndë në Greqi, gjendet në valixhe trupi i pajetë i një gruaje, detajet e para Raporti i Antimafias italiane: Grupet kriminale shqiptare ulen në të njëjtën tryezë me Ndrangheta-n dhe Cos... Tenerife merr përsipër të mbështesë financiarisht vajzën 1-vjeçare të Jesus de Miguel “Irani shtet i dështuar, me 301 përqind inflacion”, Trump: Nëse bisedimet përparojnë, mund ta ndërpresim lu...
AKTUALITET

“Përgjimet në zyrën e Ergys Agasit…”/ BIRN: Akuzat ndaj shefes së SHISH vënë në pikëpyetje sigurinë kombëtare të Shqipërisë

P
Piranjat23 September 2026, 08:18 · 5 min lexim
“Përgjimet në zyrën e Ergys Agasit…”/ BIRN:

Në faqen zyrtare të Shërbimit Informativ të Shtetit, institucionit kyç të arkitekturës së sigurisë kombëtare, një slogan dallon mbi të tjerët: “Për ne Atdheu është i pari. Ne punojmë çdo ditë për ta bërë Shqipërinë më të sigurt”.

Por një hetim i Prokurorisë së Posaçme ndaj drejtueses së këtij institucioni, Vlora Hyseni, e ka vënë seriozisht në pikëpyetje këtë mision.

Mëngjesin e së martës, Gjykata e Posaçme vendosi të pezullojë nga detyra Hysenin dhe ta vendosë atë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi akuzohet për veprat penale të nxjerrjes së sekretit shtetëror dhe përkrahjes së autorit të krimit si pjesë e një hetimi që lidhet me Ergys Agasin, një personazh kontrovers i arrestuar për krijimin e një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.

Për të njëjtin hetim, gjykata miratoi kontrollin e banesës e banesës dhe atë personal të ish-kreut të Policisë së Shtetit, Ilir Proda si dhe arrestimin e një zyrtari të Institutit të Policisë Shkencore dhe të një personi të dytë, të cilët akuzohen respektivisht për nxjerrje të sekretit shtetëror dhe përkrahje të autorit të krimit.

Akuzat e ngritura nga SPAK në adresë të shefes së shërbimit sekret rikthejnë në vëmendje mënyrën se si ajo u përzgjodh për të drejtuar SHISH, ndërkohë që vënë në pikëpyetje integritetin e këtij institucioni si dhe sigurinë kombëtare të vendit.

E lindur në Kosovë në vitin 1984, Hyseni mbajti poste drejtuese mes viteve 2019-2021 në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, AKI, kur ajo u shkarkua në mënyrë të papritur nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

Vetëm pak muaj pas largimit nga AKI, Hyseni u shfaq në Tiranë si këshilltare për sigurinë e kryeministrit Edi Rama. Për rreth një vit e gjysmë ajo qëndroi larg vëmendjes publike, por më 17 mars 2023 Rama njoftoi se e kishte zgjedhur atë si drejtuesen e re të SHISH, bashkë me një deklaratë të fortë mbështetjeje personale. Emërimi i saj u dekretua nga presidenti Bajram Begaj në prill 2023.

Për Ilir Kullën, ish-këshilltar i lartë shtetëror dhe ekspert i sigurisë, problemi nis me emërimin e Hysenit në krye të një institucioni kushtetues kaq të rëndësishëm.

“Thjesht zonja në fjalë e kishte një mision të pamundur atë detyrë që i dhanë,” tha Kulla duke iu referuar edhe përshkrimit të një ish-kolegu të Hysenit në AKI.

Kulla nuk e komentoi akuzën, pasi tha se nuk ishte njohur me faktet penale.

“…Por një gjë e kam shumë të qartë se, përgjimet e gjetur në zyrën e Ergys Agasit janë një litar i lënë varur për shumëkënd në Shqipëri,” theksoi ai.

Pas operacionit të zhvilluar nga SPAK, deputetë të opozitës kërkuan që ngjarja të trajtohej si çështje e cënimit të sigurisë kombëtare dhe të futej në rendin e ditës së Kuvendit të Shqipërisë. Opozita e konsideroi këtë ngjarje si “rënie të shtetit dhe të sigurisë kombëtare”, ndërkohë që deputetët e mazhorancës e relativizuan skandalin tek përgjegjësia individuale e zyrtares së lartë.

Arjan Dyrmishi, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, vlerëson se akuzat e ngritura ndaj Hysenit kanë shkaktuar sakaq një dëm të madh për reputacionin dhe integritetin e Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilat kërkojnë vite dhe shumë punë për t’u rikuperuar.

Sipas tij, kur njerëz me këtë lloj integriteti drejtojnë institucione të rëndësishme si SHISH, nuk mund të dihet se me kë i ndajnë të dhënat. Dyrmishi vlerëson se dëmi jep pasoja dhe në një plan më të gjerë, nisur nga fakti se Shqipëria është një vend anëtar I NATO-s.

“Për momentin mund të themi se ka dëme në cënimin e integritetit dhe reputacionit të inctitucioneve në fjalë, si dhe të dëmtimit të besimit dhe bashkëpunimit mes institucioneve,” tha ai.

Dyrmishi vlerëson gjithashtu se dëmi i reputacionit është pjesë e cënimit të sigurisë kombëtare, e cila do të duhej të garantohej sipas tij nga arkitektura e brendshme e gjithë institucioneve.

“Se si do të përshkallëzohet dëmi mbetet për t’u parë,” theksoi Dyrmishi./ BIRN/

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.