Si u nda tregu i sigurimit të detyrueshëm të automjeteve për 8-mujorin 2026

Sigurimi i detyrueshëm (TPL) po dominon tregun e sigurimeve të Jo-Jetës edhe gjatë këtij viti. Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për tetë muajt e parë të vitit 2026 primet e shkruara bruto arritën në 9.76 miliardë lekë, në rritje me 5.2% krahasuar me një vit më parë.
Tregu i produktit këtë vit po rritet me ritme më të ngadalta krahasuar me vitin e kaluar. Për 8-mujorin 2025, primet e shkruara bruto të sigurimit TPL ishin në rritje vjetore me 13.6%. Pjesërisht, ngadalësimi i rritjes së tregut të TPL-ve ka ardhur nga sistemi bonus-malus, që ka sjellë një ulje të lehtë të primit mesatar të sigurimit TPL me 2.1%, krahasuar me 8-mujorin 2025.
Por, pavarësisht ngadalësimit, pesha e këtij produkti në treg po rritet. Primet e sigurimit TPL përbënin 58.3% të primeve të shkruara bruto në tregun e Jo-Jetës, nga 56.6% që ishte pesha e tyre specifike një vit më parë. Kjo tregon se tregu po bëhet edhe më i varur nga produkti kryesor i sigurimit motorik, TPL.
Kuadri rregullator dhe mënyra e përcaktimit të primit të sigurimit për këtë produkt ka pësuar ndryshime të rëndësishme në dy vitet e fundit. Duke filluar nga viti 2025, hyri në fuqi diferencimi i primit të sigurimit mbështetur në disa elementë rreziku.
Ndërsa prej fillimit të këtij viti nisi edhe aplikimi i elementit bonus-malus, me shtrenjtim të primit për drejtuesit që kanë shkaktuar dëme dhe çmime lehtësisht më të lira për ata pa histori dëmesh.
Megjithëse elementët e rinj i kanë bërë primet e sigurimit më të diferencuara për drejtues të ndryshëm mjetesh, shifrat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë një ngrirje të ndarjes së tregut, ku pjesa e shumicës së kompanive është e njëjtë krahasuar me 8-mujorin e vitit të kaluar.
Për shembull, Sigal Insurance Group zotëron 20.60% të primeve të shkruara bruto, shifër identike me një vit më parë.
Eurosig ka arritur në 15.28% të tregut, nga 15.2% një vit më parë; por, pjesa e tregut prej 0.08% e fituar nga Eurosig, është “lënë” nga kompania bijë, Insig, që ka zbritur në 8.92%, nga 9% një vit më parë. Nëse pjesën e tregut të dy kompanive të grupit e marrim së bashku, ajo është 24.20%, njëlloj sa një vit më parë.
Të dy kompanitë e grupit Vienna Insurance Group kanë gjithashtu pjesë tregu identike me një vit më parë, përkatësisht Sigma me 14.6%, dhe Intersig me 10%.
Pjesë tregu të njëjtë me një vit më parë ka edhe Atlantik, me 8.4%.
E vetmja “rishpërndarje” në tregun e TPL-ve për 8-mujorin 2026, është një rritje e Albsig në nivelin 13.71%, nga 13.7% që ishte një vit më parë. Albsig e ka marrë këtë pjesë prej 0.01 pikë përqindje tregu nga Ansig, që ka zbritur në 8.49%, nga 8.5% që mbante një vit më parë./ Monitor
Lexo edhe
AKTUALITET
Qeveria ka 120 milionë euro fonde të lira te llogaria e BSH; Sa do të përdoren për pensionet

Gjirokastër/ Flakët rrezikojnë shtëpitë te Ura e Kardhiqit, ndërhyrja e zjarrfikësve shpëton banesat dhe magazinat

"Ju erdhi fundi"/ Vijon marshimi i protestuesve nëpër Tiranë: Rama jep dorëheqjen

BIA serbe arreston dy persona për "spiunazh" te shërbimet shqiptare, dyshohet se dhanë informacione te SHISH

Pronari i banesës zbrazi të gjithë karikatorin/ Del ekspertiza për vrasjen e 36-vjeçarit shqiptar Gjovalin Lazri


