Arrestimi i ‘El Chapo Isidros’ përgjak Meksikën, 20 të vrarë në përplasjet me kartelet e drogës

Ushtria meksikane ka arrestuar tetë persona të dyshuar si pjesëtarë të një karteli droge, pas një vale të dhunshme sulmesh që përfshiu shtetin verior të Sinaloas, pas kapjes së një prej trafikantëve më të kërkuar në botë.
Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur se ushtarët u sulmuan me armë zjarri të dielën, gjatë një patrullimi në qytetin Sinaloa de Leyva, ku po përpiqeshin të rivendosnin rendin pas arrestimit të Fausto Isidro Meza Flores, i njohur ndryshe si “El Chapo Isidro”. 44-vjeçari ishte në listën e dhjetë personave më të kërkuar nga FBI-ja dhe për vite me radhë kishte arritur t’u shpëtonte autoriteteve.
Sipas Ministrisë, tetë të arrestuarit dyshohet se kanë marrë pjesë edhe në sulmet hakmarrëse të organizuara nga karteli pas arrestimit të kreut të tij të premten. Mes tyre është edhe një i mitur. Gjatë operacionit, forcat speciale sekuestruan gjashtë automjete, dy prej të cilave ishin të blinduara dhe të pajisura me frëngji për armë zjarri. Operacioni për kapjen e Meza Flores u zhvillua me mbështetjen e autoriteteve amerikane, ndërsa Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve e cilësoi atë si një ndërhyrje të jashtëzakonshme ushtarake.
Arrestimi u shoqërua me përplasje të përgjakshme mes forcave të sigurisë dhe pjesëtarëve të kartelit. Sipas shifrave të fundit të publikuara nga ministri i Mbrojtjes të hënën, katër ushtarë dhe 16 anëtarë të grupeve kriminale u vranë gjatë operacionit.
Krahas Meza Flores, në pranga ranë edhe krahu i tij i djathtë, i njohur si “Serafín”, dhe personi që administronte financat e organizatës. Pas përhapjes së lajmit për arrestimet, pjesëtarë të kartelit ngritën barrikada në rrugët kryesore, dogjën automjete dhe disa dyqane, ndërsa u raportuan edhe shkëmbime zjarri me forcat e sigurisë.
Kush është “El Chapo Isidro”?
Autoritetet amerikane e konsiderojnë Meza Flores një nga figurat më të rrezikshme të krimit të organizuar në Meksikë. Ai dyshohet se e nisi karrierën kriminale në radhët e kartelit Juárez, përpara se të bëhej krahu i djathtë i drejtuesit të organizatës Beltrán Leyva, dikur aleate e kartelit Sinaloa.
Më vonë, ai krijoi organizatën e vet të trafikut të drogës, e cila mban emrin e tij. Sipas Thesarit amerikan, grupi ishte i përfshirë në shpërndarjen e sasive të mëdha të metamfetaminës, heroinës, marijuanës dhe kokainës në SHBA. Përplasjet territoriale mes organizatës së tij dhe kartelit Sinaloa kishin shkaktuar një rritje të ndjeshme të vrasjeve të lidhura me luftën e drogës.
Kapja e tij konsiderohet një goditje e rëndësishme ndaj një prej organizatave më të dhunshme kriminale dhe një sukses për bashkëpunimin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara. Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum ka deklaruar se është e gatshme të bashkëpunojë me Uashingtonin për arrestimin e personave të kërkuar, me kusht që të respektohet sovraniteti i Meksikës.
Lexo edhe
BOTA
Rutte ngre alarmin për sulmet hibride ruse, kërkon veprim të përbashkët nga NATO

Tragjedia në Florida, djali 19-vjeçar i politikanit qëllohet për vdekje gjatë kampingut me miqtë, mister kush e tërhoqi këmbëzën

VIDEO/ Makina përplaset me shpejtësi në stacionin e autobusit dhe përplas dy persona

VIDEO/ Panik në një shkollë të mesme në Lyon! Rreth 40 nxënës të plagosur pas shpërthimit të fishekzjarrëve, dy të arrestuar

Çmimet e naftës, Banka e Amerikës parashikon ulje në 70 dollarë për fuçi në vitin 2028





