Vjedhje si në filma/ Hajdutët grabisin helikopterin e ish-kampionit

Fillimisht pritën të binte nata, më pas hynë në veprim, duke anashkaluar sistemet e sigurisë dhe duke fikur pajisjet e radarit. Në fund, u ngritën në ajër dhe u zhdukën mes maleve të Evropës.
Një grup hajdutësh të specializuar ka realizuar një vjedhje spektakolare në aeroportin e Mauterndorf, jo shumë larg Salzburgut, duke marrë një nga helikopterët e ish-yllit austriak të kërcimit me ski, Thomas Morgenstern, dhe më pas duke humbur çdo gjurmë.
Helikopteri i kampionit
Sipas mediave tiroleze që raportuan ngjarjen, bëhet fjalë për një Robinson R44, i cili ndodhej brenda një hangari. Sipas rindërtimit të ngjarjes, helikopteri është ngritur në fluturim pak para orës 02:00 të mëngjesit të së hënës, 28 shtator, dhe më pas është zhdukur.
Mjeti fluturues i përket një sipërmarrësi privat, por menaxhohet nga kompania e Morgensternit, i cili është kampion olimpik në vitet 2006 dhe 2010. Kompania e përdor helikopterin për fluturime turistike dhe eksperienca të personalizuara.
Vjedhjen e ka konstatuar një punonjës i aeroportit, i cili gjatë natës ka dëgjuar zhurmën e një helikopteri që po ngrihej dhe ka dhënë menjëherë alarmin.
Vjedhja si në filma
Në vendngjarje, autoritetet kanë konstatuar shenja thyerjeje në hangar, por nuk kanë gjetur gjurmë të tjera të rëndësishme. Sipas hetimeve paraprake, hajdutët e kanë nxjerrë helikopterin nga hangari duke përdorur një karrocë manovrimi dhe më pas e kanë rikthyer në pozicionin e duhur përpara ngritjes.
Dyshohet gjithashtu se autorët kanë mbushur me karburant helikopterin përpara se të largoheshin. Rezervuari i Robinson R44 ka një kapacitet prej rreth 170 litrash, ndërsa nga pika e furnizimit rezulton të jenë marrë 365 litra karburant, çka ngre dyshimet se hajdutët kanë mbushur edhe bidona rezervë.
Pasi u ngritën në ajër, autorët fikën transponderët, duke e bërë helikopterin shumë më të vështirë për t'u gjurmuar nga sistemet e radarit. Hetimet vijojnë për të zbardhur itinerarin e helikopterit dhe identitetin e autorëve, ndërsa deri tani nuk ka të dhëna për vendndodhjen e tij.
Hetimet vijojnë
Autoritetet kanë arritur të rindërtojnë një pjesë të itinerarit të përshkuar nga helikopteri, i cili është gjurmuar për herë të fundit në Kroaci, ku dyshohet se ka bërë një furnizim të dytë me karburant rreth dy orë më vonë. Deri tani, nuk ka të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e autorëve të vjedhjes, ndërsa hetimet vijojnë intensivisht. Për shkak të mënyrës së organizimit të grabitjes, hetuesit dyshojnë se vjedhja është planifikuar në çdo detaj dhe, me shumë gjasa, është kryer me porosi.
Vlera e helikopterit vlerësohet në rreth 600 mijë euro, megjithëse shitja e tij në tregun evropian do të ishte pothuajse e pamundur. Kjo pasi çdo pjesë e helikopterit është e regjistruar me një numër të veçantë serie, duke e bërë të vështirë fshehjen e origjinës së tij. Hetuesit po punojnë për të zbuluar destinacionin përfundimtar të helikopterit dhe identitetin e personave që qëndrojnë pas vjedhjes. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Detajet tronditëse/ Në vitin 2024 denoncoi zhdukjen e bashkëshortit, 60-vjeçarja arrestohet së bashku me djalin për vrasje

Gruaja më e re e dënuar me vdekje, një orë para ekzekutimit vjen vendimi i papritur!

VIDEO/ Gruaja përballet me situatën e pazakontë të fletushkave denigruese në xhamat e makinave: Shitet!

“Kaliningradin e mbrojmë me armë bërthamore”, Putin i çon letër kërcënuese NATO-s: Po shkojmë drejt përplasjes

Policia në Duisburg godet një rrjet ndërkombëtar të dyshuar për pastrim parash





