Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
'Samiti i Arubës ende vijon’/ Meta: Buxheti i vitit 2027 nis me mashtrim, euro ka zbritur në 89 lekë Arrestohet në Vorë 49-vjeçari i kërkuar nga Italia për torturë dhe skllavëri Operacioni i Veliajt kthehet në përplasje, drejtori i Burgut të Fierit: Nuk ishte problemi ndërhyrja, por z... Dita e Alfabetit, Meta: Një gjuhë e shkruar me germa gjaku dhe sakrifica heroike të panumërta Gazetari nga Tetova përplaset me Ramën: Nuk keni folur për shqiptarët e RMV VIDEO/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon një ngjarje të rëndë kriminale në një familje Grabitet banesa në Durrës, vidhen 22 mijë euro, 800 mijë lekë, në pranga dy persona Tabaku paralajmëron skemën KAYO në Teknologjinë e Informacionit Spiropali reagon ashpër: “Jam si ato qenie mitologjike që po më preve një kokë, më dalin 7 të tjera”... Veliaj refuzon të shkojë në spitalin e Fierit për analizat para operacionit, kërkon vendim nga GJKKO Distafa: Një qytete është evropian, kur qytetari ka hapësirë për të jetuar Prokuroria e Tiranës dërgon për gjykim këngëtaren Xhensila Myrtezaj, ja për çfarë akuzohet
BOTA

“Dëgjoje shokun tënd teksa pë*dhunohej”/ Dëshmitë tronditëse të robërve ukrainas për torturat në burgun rus të Pakinos

P
Piranjat22 November 2026, 16:20 · 14 min lexim
“Dëgjoje shokun tënd teksa pë*dhunohej”/

Vetëm pak minuta kishin kaluar nga momenti kur Oleksi Zharkhenov dhe disa robër të tjerë lufte mbërritën në koloninë korrektuese ruse nr. 7, kur një gardian i detyroi të zhvisheshin plotësisht dhe i priti me një fjali që paralajmëronte që në fillim torturat që do të pasonin: “Tani ju jeni kurvat ukrainase të ...”.

Robërit, të cilët, sipas dëshmisë së Zharkhenovit për gazetën Wall Street Journal, u detyruan të preknin organet gjenitale të njëri-tjetrit, kishin mbërritur pak më parë në Pakino, një fshat rreth 240 kilometra në lindje të Moskës. Burgu i këtij fshati është kthyer në simbol të abuzimit seksual ndaj robërve ukrainas të luftës.

Gjatë luftës, Rusia i ka nënshtruar robërit ukrainas të luftës ndaj rrahjeve, privimit nga ushqimi dhe gjumi, goditjeve elektrike dhe formave të tjera të torturës, sipas dëshmive të ish-të burgosurve, Kombeve të Bashkuara dhe qeverive evropiane. Në shumë qendra paraburgimi janë përdorur edhe metoda të tjera poshtëruese, me qëllim thyerjen e moralit të tyre, përpara se të liroheshin në kuadër të shkëmbimeve të të burgosurve.

Gjithnjë e më shumë dëshmi nga ish-të burgosurit, të cilat përputhen edhe me gjetjet e hetuesve të OKB-së, tregojnë se abuzimi seksual është një praktikë e përhapur. Ato dëshmojnë gjithashtu se si përdhunimi dhe krimet e tjera përdoren si armë lufte në mbarë botën, ku viktimat më të shpeshta janë gratë.

Në Rusi, ku gjatë presidencës së Vladimir Putinit është nxitur gjithnjë e më shumë armiqësia ndaj homoseksualitetit, gjithnjë e më shpesh në shënjestër janë vënë edhe burrat e kapur robër në Ukrainë. Shumë prej tyre kanë deklaruar se në burgun e Pakinos kanë përjetuar format më të rënda të abuzimit seksual. Sipas dëshmive të tyre, punonjësit e burgut në të gjitha nivelet e hierarkisë ose merrnin pjesë drejtpërdrejt në abuzime, ose ishin të pranishëm gjatë kryerjes së tyre.

Ndër të tjera, të burgosurit detyroheshin të shtirnin sikur kryenin marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin, të masturbonin dhe të kërcenin të zhveshur. Gjithashtu, ata u përdhunuan me objekte dhe u ushtrua presion për të krijuar marrëdhënie seksuale me pjesëtarë të personelit të burgut, sipas prokurorëve ukrainas dhe nëntë ish-të burgosurve, të cituar nga gazeta Wall Street Journal. “Rusët donin të na shkatërronin”, u shpreh Zharkhenov.

Rrahje dhe poshtërime që nga dita e parë

Kolonia korrektuese në Pakino u ndërtua 27 vite më parë dhe sot strehon rreth 1.000 të dënuar rusë. Ajo ka bibliotekë, ambiente sportive dhe një kishëz kushtuar Shën Nikollës. Por rreth 300 ukrainasit që mbaheshin në një sektor të veçantë nuk patën kurrë mundësi t'i shihnin këto ambiente.

Zharkhenov, një oficer i lartë policie, i cili u kap rob në ditët e para të pushtimit të Ukrainës, në vitin 2022, kaloi nga shtatë burgje përpara se të lirohej, pas 30 muajsh në robëri. Sipas tij, abuzimi seksual nga personeli i burgut në Pakino ishte veçanërisht brutal. Të njëjtën tablo përshkruajnë edhe prokurorët dhe robër të tjerë lufte që kanë kaluar nëpër burgje të ndryshme ruse.

“Është e qartë se ata e shijonin atë që bënin”, u shpreh ai.

Menjëherë pas mbërritjes në burg, ai dhe robërit e tjerë u rrahën me shkopinj gome, përpara se t'u regjistroheshin të dhënat personale. Më pas, u urdhëruan të zhvisheshin dhe u dërguan në një qeli, ku i detyruan të preknin njëri-tjetrin.

Personeli i burgjeve ruse zakonisht mbante kapuçë që mbulonin fytyrën. Kur ishin të pranishëm drejtuesit e lartë, të burgosurit duhej të përkuleshin dhe të mbanin sytë të drejtuar nga dyshemeja. Megjithatë, Zharkhenovi arriti të ngrinte fshehurazi shikimin dhe në disa raste e pa Zaidulinin pa maskë. Ai e pa gjatë regjistrimit të të dhënave të tij, gjatë kontrolleve në qeli dhe kur drejtuesi po ekzaminonte një të burgosur që ishte keqtrajtuar në mënyrë veçanërisht brutale.

Një tjetër ish-rob lufte tha se i kishte njohur sytë e Zaidulinit në fotografi, ndërsa të tjerë kuptuan se ai ishte një drejtues i lartë nga mënyra se si sillej pjesa tjetër e personelit ndaj tij.

Që atëherë, Zaidulini është promovuar dhe aktualisht ushtron detyrën e drejtuesit të Shërbimit Federal të Burgjeve në rajonin e Bryanskut në Rusi, i cili kufizohet me Ukrainën, sipas raportimeve të mediave lokale. Megjithatë, ai ka mohuar se ka punuar ndonjëherë në Pakino dhe i ka cilësuar akuzat si të pavërteta.

Deri më tani, Shërbimi Federal i Burgjeve të Rusisë dhe drejtuesit e kolonisë korrektuese nr. 7 nuk kanë bërë asnjë koment lidhur me raportimet e Wall Street Journal. Vlen të theksohet se Rusia i ka mohuar edhe më parë akuzat për abuzime seksuale, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të motivuara politikisht.

Sipas prokurorëve dhe të burgosurve, edhe drejtues të tjerë të lartë merrnin pjesë aktivisht në abuzime. Mes tyre ishte nënkoloneli Aleksei Khavetski, i cili varej drejtpërdrejt nga Zaidulini. Khavetski ishte zakonisht i pranishëm gjatë ndëshkimeve më të rënda, tha David Pranchenko, pjesëtar i Marinës Ushtarake të Ukrainës, i cili u kap rob në fillim të vitit 2022.

Pranchenko tregoi se Khavetski i kishte shkaktuar goditje elektrike në organet gjenitale me një pajisje portative. Sipas prokurorëve dhe ish-robërve të luftës, ky oficer i detyronte shpesh të burgosurit të shtirnin sikur kryenin marrëdhënie seksuale me njëri-tjetrin, ndërsa ai dhe gardianë të tjerë i vëzhgonin.

Në të paktën dhjetë raste, Khavetski i kishte detyruar të burgosurit të hipnin mbi krevatet e qelive, të kërcenin të zhveshur dhe të preknin njëri-tjetrin, sipas prokurorëve. Ai i quante këto veprime "orgji", ndërsa deri më tani nuk ka bërë asnjë deklaratë zyrtare lidhur me akuzat ndaj tij.

Akuzat ndaj drejtuesit të shërbimit mjekësor

Ndër personat të cilëve u atribuohen shumica e rasteve të abuzimit seksual ishte edhe Vyacheslav Cherdantsev, drejtuesi i shërbimit mjekësor të qendrës së paraburgimit, sipas prokurorëve dhe ish-të burgosurve.

Cherdantsev u kërkonte shpesh të burgosurve të zhvisheshin plotësisht, me pretekstin e kryerjes së "kontrolleve mjekësore", tregojnë ish-të burgosurit. Ata e quanin atë "Doktori i Perversiteteve" dhe "Konoval", që do të thotë "sharlatan mjekësor".

Gjatë këtyre ekzaminimeve, por edhe kur të burgosurit dilnin nga dushet, Cherdantsev bënte komente me përmbajtje seksuale për organet e tyre gjenitale dhe të pasmet, si dhe i prekte në mënyrë të papërshtatshme, sipas dëshmive të ukrainasve.

Sipas disa ish-robërve të luftës, marrja e kujdesit mjekësor shpesh varej nga fakti nëse i burgosuri pranonte të përmbushte kërkesat seksuale të Cherdantsevit.

"Nuk të kam q... unë, prandaj ik q...! Pse duhet të të jap ilaçe?", kujtoi se i kishte thënë "Doktori Sharlatan" një avokat, Roman Malakhov, i cili kishte kaluar rreth dy vjet në burgun e Pakinos.

Madje, kur shpërthyen raste të zgjebes, mjeku urdhëroi që të burgosurit të mbaheshin të zhveshur në të njëjtën dhomë për javë të tëra, sipas dëshmive të disa ish-të burgosurve.

Mes tyre ishte, sipas dy ish-bashkëvuajtësve, edhe shtetasi amerikan Steven Hubbard, të cilin Rusia e mbante të burgosur nën akuza që qeveria amerikane i konsideron të rreme.

Hubbard, i cili u lirua në tetor, ende nuk ka folur për trajtimin që ka përjetuar në Pakino. Në një deklaratë, djali i tij tha se babai nuk dëshiron të flasë publikisht dhe hapur për përvojat e tij, por shtoi se disa raportime për trajtimin e tij në burgjet ruse përmbanin pasaktësi.

48-vjeçari Cherdantsev është rritur në një fshat të Kirgistanit, në atë kohë republikë sovjetike, dhe është i martuar, me dy fëmijë të rritur, sipas Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU).

Ish-të burgosurit e përshkruan atë si një burrë trupmadh, rreth 1.88 metra të gjatë, që mbante sandale pavarësisht kushteve të motit dhe që mund të bëhej i dhunshëm në çdo moment.

Sipas SBU-së, në qershor të vitit 2023, Cherdantsev përdhunoi me këmbën e një karrigeje dhe me gishtat e tij një të burgosur, i cili kishte refuzuar të kryente marrëdhënie seksuale me të.

Në korrik të vitit 2026, shërbimi ukrainas i dërgoi atij një njoftim zyrtar se konsiderohej i dyshuar, duke përfshirë një përshkrim të hollësishëm të akuzave për krime lufte.

Kamera në qeli dhe dëshmi për mbytje të simuluar

Sipas ish-robërve të luftës, në abuzime merrnin pjesë edhe shumë gardianë të rangjeve të ulëta, të cilët ndërroheshin çdo muaj në qendrat ruse të paraburgimit për robërit e luftës, si dhe të burgosur rusë që kryenin punët e përditshme në ambientet e institucionit.

Në gusht të vitit 2023, gjashtë gardianë hynë në qelinë e Oleksandr Nikolaychuk, pjesëtar i Marinës Ushtarake të Ukrainës, dhe urdhëruan një të burgosur të kryente 100 pompa. Kur ai nuk arriti t'i përfundonte, e përdhunuan me një shkop gome, tregoi Nikolaychuk.

Në qelinë e tij, në qelitë e tjera dhe në korridoret e burgut kishte kamera sigurie. Për këtë arsye, ishte e vështirë që drejtuesit e institucionit të mos kishin dijeni për atë që ndodhte.

Të burgosurit në Pakino i nënshtroheshin gjithashtu rrahjeve të përsëritura dhe mbytjes së simuluar, sipas Kombeve të Bashkuara, të cilat morën dëshmi nga ish-robër lufte.

"Të burgosurit grumbulloheshin në qeli të mbipopulluara, ku dritat qëndronin ndezur gjatë gjithë 24 orëve. Atyre u jepej shumë pak ushqim dhe me cilësi të dobët, ndërsa detyroheshin të bënin ushtrime fizike, pavarësisht urisë ekstreme dhe rraskapitjes", deklaroi një përfaqësues i OKB-së.

"Ishte përvoja më traumatike dhe poshtëruese"

Për shumë ish-robër lufte, abuzimi seksual ishte ai që la gjurmët më të thella. Disa studime shkencore tregojnë se rikuperimi psikologjik pas dhunës seksuale është më i vështirë krahasuar me format e tjera të traumave që lidhen me konfliktet e armatosura.

"Ishte përvoja më traumatike dhe poshtëruese", tha Oleksandr Kyrychenko, i cili ishte ushtarak profesionist në Forcat e Armatosura të Ukrainës kur Rusia pushtoi vendin e tij në vitin 2022.

Në dhjetor të vitit 2025, ai dëgjoi një të burgosur që po përdhunohej me shkop gome në një dhomë ngjitur me qelinë e tij. Kyrychenko, i cili kishte marrë trajnim në fushën e psikologjisë, u përpoq t'ua largonte vëmendjen bashkëvuajtësve nga kërcënimet dhe britmat e dhimbjes që vinin nga dhoma ngjitur.

Kyrychenko u lirua në kuadër të një shkëmbimi të robërve të luftës, u kthye në Ukrainë dhe ende po përpiqet të përballojë atë që ka përjetuar në front dhe në qendrat ruse të paraburgimit.

Disa javë më parë, ai i kërkoi personelit të një dyqani të fikte pajisjen elektrike kundër insekteve, pasi zhurma e saj i kujtoi goditjet elektrike që kishte përjetuar në organet gjenitale në burgun e Pakinos.

"Dëgjoje shokun tënd teksa përdhunohej dhe unë nuk mund të bëja asgjë, absolutisht asgjë për ta ndihmuar", u shpreh ai, ndërsa ngjarjet e përjetuara gjatë qëndrimit në Pakino vazhdojnë ta përndjekin edhe sot. /PiranjatNews/

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

BOTA

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.