Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Kushtetuesja pezulloi gjobën për bllokimin e rrugëve gjatë protestave, reagojnë studentët: Fitore, Gjykata ... Berisha: Dekreti për protestat nuk mund të votohet në këtë moment kur Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar një ne... Gjendet e pajetë në tualetin e shtëpisë 43-vjeçarja në Maliq, dyshimet e para Studentët krijojnë partinë e re “Të Bashkuar për Shqipërinë” Pasagjeri tentoi të hapte derën e kabinës, avioni me destinacion Çikagon bën ulje emergjente në Arizona (VI... “Hiqni lulen si simbol, vendosni shkopin e bejsbollit”, Zhupa kritika për PS-në, sulmon dhe Ballën: A e mba... Macron i vendos ultimatum BE-së: T5 arrihet marrëveshja për buxhetin deri në fund të vitit, ose Franca tërh... PD: 7 vite pas tërmetit, Sako e ka kthyer rindërtimin në aferë, bonuset e qirasë janë ndërprerë Mitsotakis: Nuk mund të ketë Evropë të fortë me buxhet të dobët Skandali/ Vinçesk Piroli në kërkim për vrasjen e policit, gjyqtarët e Apelit e liruan nga qelia Kompania B52 lë tre muaj pa paguar punëtorët, i thërret vetëm kur i duhet prodhimi Trafiku ajror drejt Gjirit Persik devijohet papritur! Kuvajti intercepton dronët iranianë, plagosen 4 perso...
BOTA

Ekonomia e flirtit/ Një industri prej 1.5 trilionë dollarësh, ku gratë paguajnë për shoqërinë dhe argëtimin nga burrat

P
Piranjat26 November 2026, 19:19 · 14 min lexim
Ekonomia e flirtit/ Një industri prej 1.5 trilionë dollarësh, ku

Burra të palestruar, gjysmë të zhveshur, kërcejnë para sallave të mbushura plot me spektatorë. Aktorë të veshur me kostume tradicionale në parqe tematike fotografohen nga qindra gra. Ndërsa të rinj muskulozë ngjiten me vrap në male, duke mbajtur në krahë turiste që nuk arrijnë të përfundojnë ecjen.

Në të gjithë Kinën, bizneset po shfrytëzojnë një treg të ri dhe jashtëzakonisht fitimprurës: kënaqësinë dhe argëtimin e grave.

Edhe pse rritja ekonomike e Kinës po ngadalësohet, konsumatorët po kufizojnë shpenzimet dhe po kursejnë më shumë, gratë me të ardhura gjithnjë në rritje po i japin hov industrisë së argëtimit. Ky fenomen është pjesë e asaj që njihet si “Sheconomy”, një treg me vlerë 1.5 trilionë dollarë, term që përdoret nga qeveria kineze për të përshkruar fuqinë konsumatore të grave.

Gratë që kanë të ardhura të konsiderueshme për të shpenzuar po krijojnë marrëdhënie virtuale romantike me partnerë të inteligjencës artificiale, luajnë videolojëra që përmbushin fantazitë e tyre romantike dhe ndjekin me entuziazëm seriale televizive apo lexojnë romane ku gratë portretizohen si manjatë biznesi, komandante ushtarake dhe udhëheqëse politike – role që tradicionalisht nuk u janë atribuar personazheve femra.

Ndër aktivitetet me rritjen më të shpejtë janë shërbimet e argëtimit, ndonjëherë edhe me karakter provokues, ku burrat shndërrohen në objekt admirimi.

Kjo tendencë përmbys të ashtuquajturin “vështrimi mashkullor” (male gaze), ku gratë shihen si objekte të dëshirës së burrave, shpjegon Minglu Chen, profesore e asociuar në Universitetin e Sidneit, e cila studion çështjet gjinore dhe politikën në Kinë, shkruan The New York Times.

Tashmë janë gratë ato që paguajnë për të admiruar burrat. Shpërthimi i këtij konsumi po krijon një dilemë për Pekinin. Prej vitesh, qeveria kineze po përpiqet të rrisë shpenzimet konsumatore për të kompensuar pasojat e krizës së zgjatur në tregun e pasurive të paluajtshme. Megjithatë, mekanizmat e censurës aktivizohen sa herë që feminizmi, gjinia dhe pushteti kthehen në tema të debatit publik.

Gazeta shtetërore People’s Daily paralajmëroi së fundmi bizneset kundër “flirtimit të nënkuptuar dhe kontakteve të papërshtatshme fizike”, duke kërkuar rregullim më të rreptë të këtyre aktiviteteve. Reagimi erdhi pasi në internet u përhap gjerësisht një video ku një aktor mashkull i ofronte një karamele një gruaje në një park tematik.

Për shumë gra, kjo vëmendje ka ardhur shumë vonë.

“Më në fund, ka ardhur radha jonë”

“Më në fund, ka ardhur radha jonë”, thotë 32-vjeçarja Linda Xiong, punonjëse zyre, e cila pagoi 90 dollarë për të ndjekur një shfaqje të trupës teatrale Gonggou Theater. Trupa përbëhet nga burra të palestruar, të moshës rreth 20 deri në 29 vjeç, dhe konsiderohet si përgjigjja kineze ndaj grupit të famshëm amerikan të striptizës, Chippendales.

Në skenë, burrat shfaqen me gjoksin e zhveshur dhe funde tradicionale kineze të qëndisura, duke lëvizur në mënyrë sensuale nën ritmin e fortë të daulleve. Gratë në sallë shpërthejnë në thirrje entuziaste.

“Ishte një ndjesi që më dha një gëzim të jashtëzakonshëm”, thotë Xiong, e cila është beqare.

Sipas saj, biletat e shfaqjes u shitën të gjitha brenda shtatë sekondave. “A nuk kanë qenë gjithmonë, si në të kaluarën ashtu edhe në Kinën moderne, grupet me gra të bukura ato që kërcenin për burrat?”

Shfaqja është bërë aq popullore sa, sipas themeluesit të trupës, Junyi Ge, shumica e performancave gjatë 15 muajve të fundit kanë qenë të shitura plotësisht.

Një forum diskutimi në platformën Douyin, versioni kinez i TikTok-ut, ka grumbulluar më shumë se 2.1 miliardë shikime.

“Duhet të jetë seksi, energjike dhe të shpërthejë nga testosteroni. Ky është arma jonë sekrete”, deklaroi Ge në një intervistë të regjistruar me një influencer.

Paga deri në 4,500 dollarë për të rinjtë simpatikë

Edhe parqet tematike kanë zbuluar fuqinë e vështrimit femëror. Në njoftimet e punësimit në internet kërkohen të rinj meshkuj “buzëqeshës, simpatikë dhe komunikues”, të cilët duhet të pozojnë për fotografi dhe të marrin pjesë në lojëra interaktive me vizitorët.

Disa prej këtyre vendeve të punës ofrojnë paga deri në 4,500 dollarë në muaj, një shumë shumëfish më e lartë se të ardhurat mesatare mujore të banorëve të zonave urbane të Kinës. Për më tepër, nuk kërkohet as diplomë universitare.

Edhe operatorët turistikë në disa nga malet më të famshme të Kinës po përfitojnë nga kjo tendencë. Ata punësojnë të rinj të gjatë dhe muskulozë, i veshin me uniforma të njëjta dhe i promovojnë si “grupe meshkujsh të sigurisë”, me synimin për të tërhequr më shumë turiste.

Të tjerë punojnë si shoqërues të pavarur për ecje malore. Ata u ofrojnë grave fruta të freskëta, i inkurajojnë gjatë ngjitjes dhe, në disa raste, i marrin në krahë klientet e lodhura për t'i çuar deri në majë të malit.

Pas lulëzimit të këtij tregu qëndron një brez gjithnjë e më i pasur dhe më i arsimuar i grave në qytetet kineze. Ky brez është formuar gjatë tri dekadave të zbatimit të politikës së një fëmije në Kinë.

Statistikat zyrtare tregojnë se përqindja e grave mes studentëve që regjistrohen për herë të parë në universitet është rritur me rreth 20 pikë përqindjeje gjatë dy dekadave të fundit.

Ndërkohë, hendeku i pagave mes burrave dhe grave është ngushtuar nga 23% në 13% gjatë shtatë viteve të fundit, sipas raporteve të Zhaopin, platforma më e madhe e punësimit në Kinë.

Industria e “vlerës emocionale”

Bizneset po u shesin grave shërbime që cilësohen si shërbime të “vlerës emocionale”, ose, me fjalë të tjera, përvoja që u krijojnë emocione pozitive. Bëhet fjalë për gra që janë ekonomikisht më të pavarura se nënat dhe gjyshet e tyre.

Suksesi i këtyre shërbimeve “pasqyron pakënaqësinë dhe ndoshta zhgënjimin nga marrëdhëniet romantike në jetën reale”, deklaroi Kailiang Xie, profesore e asociuar në Universitetin e Birminghamit, e cila studion çështjet gjinore dhe shoqërinë në Kinë.

Sipas saj, kjo tendencë nxjerr në pah mospërputhjen mes fuqisë ekonomike gjithnjë në rritje të grave dhe pranimit më të ngadaltë nga burrat të pritshmërive të tyre për afërsi dhe intimitet emocional në marrëdhënie.

21-vjeçari Chenglin Liu zbuloi një mundësi të re punësimi në një periudhë kur po përpiqej të siguronte jetesën duke punuar si kamerier.

Ai filloi t'u kërkonte grave që dëshironin të ngjiteshin në mal nga 100 deri në 150 dollarë, për t'i shoqëruar gjatë ngjitjeve gjashtëorëshe në malin Tai, në Kinën lindore.

Llogaria e tij në rrjetet sociale fitoi një numër të madh ndjekësish pasi ai dhe tre shoqërues të tjerë ndihmuan një grua, e cila kishte humbur njërën këmbë për shkak të kancerit të kockave, duke e mbajtur deri në majën e malit.

Megjithatë, ngjitjet dhe zbritjet e vazhdueshme, deri në tri herë në ditë, i shkaktuan probleme në gjunjë. Për këtë arsye, ai vendosi të largohej nga shtigjet malore dhe të pranonte një punë si aktor në një park tematik në Kaifeng, një qytet në Kinën qendrore.

Sot, ai shpenzon 90 minuta për t'u grimuar dhe për t'u shndërruar në një dijetar apo luftëtar të lashtësisë. Në disa ditë, ai pozon për fotografi me deri në 200 vizitorë, shumica dërrmuese e të cilëve janë gra.

Për burrat, kjo punë mund të jetë gjithashtu shpërblyese në aspektin emocional. “Njerëzit vijnë këtu për t'u argëtuar. Është e natyrshme që unë të dëshiroj t'u ofroj vlerën emocionale që kërkojnë”, deklaroi 23-vjeçari Ren Jishen, një aktor që punon në një tjetër park tematik në Kaifeng.

Ren tha se i shijon vlerësimet dhe komplimentet e vizitorëve, një formë vëmendjeje që rrallë e kishte marrë në punët e tij të mëparshme.

Megjithatë, ndërveprimet me vizitorët mund të bëhen “paksa të sikletshme dhe të parehatshme”, veçanërisht kur gratë e pickojnë ose i kërkojnë të vendosë mjekrën mbi pëllëmbët e tyre për të bërë fotografi.

“Ne jemi thjesht njerëz të panjohur për njëri-tjetrin”, tha ai.

Ndërhyrja e Pekinit dhe ndalimet

Këto lloj ndërveprimesh kanë tërhequr vëmendjen e autoriteteve kineze. Gazeta shtetërore People’s Daily i cilësoi ato si vulgare dhe si përmbajtje që synon të tërheqë klikime përmes provokimit. Ajo dënoi një video ku shfaqej një aktor në Shangrao, në Kinën qendrore-jugore, duke kaluar karamele në formë lëpirëseje nga goja e tij në gojën e vizitoreve.

Parqet tematike në të gjithë Kinën reaguan duke ndaluar kontaktin fizik mes aktorëve dhe vizitorëve, sipas Xueying Wang, drejtoreshë e marketingut në Wansui Mountain Martial Arts City, ku punon edhe Ren.

“Pjesërisht, kjo është thjesht një përpjekje e vazhdueshme e shtetit për të kontrolluar kufijtë e asaj që lejohet të bëjë industria e argëtimit”, deklaroi Hanchang Liu, profesore asistente e shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Floridës.

Ajo e krahasoi këtë ndërhyrje me kufizimet e mëparshme që ishin vendosur ndaj veshjeve provokuese të punonjëseve femra.

Ndërkohë, lindshmëria në Kinë po pëson një rënie të ndjeshme dhe qeveria po reagon, ndër të tjera, duke promovuar rolet tradicionale të grave brenda familjes.

Sipas Liu, qeveria “mund të jetë veçanërisht e ndjeshme ndaj modeleve të tilla të konsumit”.

Megjithatë, kërkesa për këto shërbime nuk po shfaq asnjë shenjë ngadalësimi.

Parku tematik Wansui Mountain punëson më shumë se 1,500 aktorë dhe pret mbi dy milionë vizitorë në muaj.

“Shumë vizitorë vijnë posaçërisht për të ndërvepruar me aktorët”, deklaroi drejtoresha e marketingut të parkut. “Sot njerëzit duan të paguajnë për përvoja emocionale”.

Fuqia blerëse nuk do të thotë pushtet real

Ky ndryshim po shtrihet përtej argëtimit të drejtpërdrejtë. Në serialet e njohura televizive ku protagoniste janë gratë, personazhet kryesore drejtojnë biznese, udhëheqin ushtri dhe ushtrojnë pushtet politik.

Megjithatë, konsumi i përmbajtjeve që paraqesin fantazi të pushtetit femëror nuk do të thotë se gratë e zotërojnë realisht këtë pushtet, thekson profesoresha e Universitetit të Sidneit, Minglu Chen.

Ndryshimi i mënyrës së të parit të burrave “nuk e ndryshon pozicionin e grave në familje, në vendin e punës dhe në sferën politike”.

32-vjeçarja Melissa Yuan e kupton qartë këtë dallim.

Gjatë një vizite të fundit në malin Tianzhu, pranë qytetit të saj, Wuhan, ajo arriti në majë dhe u përball me një grup të rinjsh simpatikë, të veshur me uniforma blu dhe të zeza dhe me syze dielli. Ata ishin punësuar posaçërisht për t'u fotografuar me turistët. Pamja e tyre e bëri të buzëqeshte. Yuan ka paguar edhe më parë burra të pashëm për ta shoqëruar gjatë blerjeve apo vakteve në restorante, por nuk beson se këto transaksione ndryshojnë ekuilibrin e pushtetit mes burrave dhe grave. Edhe kur paguan burra për ta argëtuar, ajo vazhdon të shqetësohet për ndjenjat e tyre, “nga zakoni dhe në mënyrë të pavetëdijshme”. “Nga përvoja ime, konsumi nuk përkthehet drejtpërdrejt në pushtet”, përfundon Yuan. /PiranjatNews/

 


 
 

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

BOTA

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.