Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Politico: Samiti i NATO-s në Shqipëri i pasigurt, Tirana propozon një takim virtual Wenger kandidat për president të FIFA-s? UEFA gati ta vendosë si rival të Infantinos VIDEO/ Pamje të pazakonta në Detroit! Udhëtarët e veçantë në autobusin e qytetit, dy kuaj futen në… Kërcënime nga Rama përmes Toni Gogut/ Veliaj kërkesë Ballës: Inicio ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlam... Tmerr në Kanada, arusha dhe tre këlyshët e saj vrasin nënën dhe vajzën. Autoritetet i ekzekutojnë Revolta e 30-të studentore/ Tubimit përpara Ministrisë së Arsimit i bashkohen edhe Studentët e Mjekësisë ... Zvicra/ Dy ndeshje pa kapitenin, Akanji nuk e fsheh rëndësinë e Granit Xhakës Kylie Jenner përballet me padi nga ish-punonjësja, pretendon se e mbajtën të mbyllur në dollap për më shumë... 2.84 miliardë lekë për Gardën e Republikës, ja si do të ndahen fondet në 2027! Opozita ngre shqetësimin për... “11.11”, Dita e Beqarëve që u kthye në festën më të madhe të blerjeve në botë, si lindi tradita dhe pse e t... Kërkojnë dorëheqjen e Ramës, studentët nisin marshimin drejt Ministrisë së Arsimit Katër shtete të BE-së sfidojnë ultimatumin e Merz për financimin e Ukrainës: E papranueshme!
AKTUALITET

“Fike telefonin dhe zhduku!”/ U dënua sot nga Apeli, si e paralajmëronte Oltion Bistri Pëllumb Gjokën për operacionet policore. Milionat e ish-policit

Nga paralajmërimet për operacionet policore te ndërhyrjet për të mbajtur hapur kazinotë e paligjshme, komunikimet e ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, Oltion Bistri, me biznesmenin Pëllumb Gjoka, zbuluan një marrëdhënie që shkonte përtej njohjes personale

P
Piranjat11 November 2026, 18:46 · 9 min lexim
“Fike telefonin dhe zhduku!”/ U dënua sot nga Apeli, si e

Nga paralajmërimet për operacionet policore te ndërhyrjet për të mbajtur hapur kazinotë e paligjshme, komunikimet e ish-drejtuesit të Policisë së Shtetit, Oltion Bistri, me biznesmenin Pëllumb Gjoka, zbuluan një marrëdhënie që shkonte përtej njohjes personale. Përgjimet e aplikacionit Sky ECC nxorën në dritë mënyrën se si informacione konfidenciale të policisë dyshohet se përdoreshin për të mbrojtur interesat e njerëzve të lidhur me botën e krimit.

Tre vite pas arrestimit në kuadër të operacionit “Metamorfoza”, Bistri përballet me një tjetër goditje nga drejtësia. Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur sot përmbysjen e vendimit të Shkallës së Parë, duke e dënuar ish-shefin e Forcës së Posaçme Operacionale me 7 vite e 4 muaj burg.

Vendimi i ri vjen pothuajse një vit pasi Bistri kishte fituar lirinë, në nëntor 2025, kur Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e dënoi vetëm për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete, duke e shpallur të pafajshëm për korrupsion dhe pastrim parash.

Por Apeli ka arritur në një përfundim tjetër. Trupi gjykues, i përbërë nga Dhimitër Lara, Daniela Shirka dhe Engert Pëllumbi, e ka shpallur fajtor edhe për dy akuzat e rrëzuara më parë, duke caktuar fillimisht një dënim prej 11 vitesh burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi është reduktuar në 7 vite e 4 muaj.

Gjykata ka vendosur gjithashtu konfiskimin e tre apartamenteve, dy bizneseve dhe pasurive financiare që, sipas raportimeve, arrijnë në rreth 1,3 milionë euro.

Historia gjyqësore e Bistrit nisi më 27 korrik 2023, kur SPAK ndërmori operacionin “Metamorfoza”, duke goditur një rrjet të dyshuar kriminal ku përfshiheshin biznesmenë, zyrtarë të policisë, prokurorë dhe persona të lidhur me grupe kriminale.

Bashkë me Bistrin u arrestuan edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-prokurori Xhevahir Lita, Edmond Preka dhe Astmer Bilali, ndërsa hetimet zbuluan komunikime të shumta mes personave të përfshirë në dosje.

Në qendër të akuzave ndaj ish-zyrtarit të lartë të policisë ishin bisedat e zhvilluara me Pëllumb Gjokën në aplikacionin e koduar Sky ECC, kryesisht gjatë periudhës nëntor 2019 – prill 2020, kur Bistri drejtonte Komisariatin Nr. 2 në Tiranë.

Sipas SPAK, Bistri kishte përdorur funksionin e tij për t'i krijuar lehtësira biznesmenit, i cili ushtronte aktivitet të paligjshëm të lojërave të fatit në territorin e komisariatit që ai drejtonte.

Një nga komunikimet më domethënëse lidhet me operacionin policor të shkurtit 2020 kundër kazinove të paligjshme. Dy ditë përpara ndërhyrjes, më 18 shkurt, Bistri e paralajmëronte Gjokën që të mos e hapte ambientin dhe të mos i tregonte askujt për informacionin që kishte marrë.

Më 20 shkurt, ditën kur do të zhvillohej operacioni, ai e njoftonte sërish biznesmenin, duke e këshilluar të largohej nga qarkullimi dhe të fikte telefonin.

“Tani do fillojë për pak, ik futu gjëkundi se s'i dihet, mos rri në qarkullim dhe fike telefonin.”

Në vijim të komunikimit, Bistri i tregonte se ende nuk kishte marrë listën e plotë të emrave dhe vendeve që do të kontrolloheshin, ndërsa pretendonte se drejtori i policisë do ta hiqte pikën e Gjokës nga lista e kontrolleve. Në biseda përmendet edhe emri i Rebani Jaupit, në atë kohë drejtor i Policisë së Tiranës. Bistri i referohej atij si një person me të cilin kishte komunikuar për çështjen e kazinosë, ndërsa këto komunikime u bënë më vonë pjesë e hetimeve të SPAK.

Por mesazhet nuk kufizoheshin vetëm te paralajmërimet për operacionet. Në një tjetër bisedë, Bistri i tregonte Gjokës se kishte ndërhyrë për të mos ia mbyllur aktivitetin, pavarësisht kërkesave që vinin nga drejtues të tjerë të policisë. Në komunikime përmendet edhe një person me emrin Ardi, për të cilin mediat kanë ngritur dyshime se mund të bëhej fjalë për ish-drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu.

Bistri shprehej se kishte dhënë fjalën për të mos e mbyllur aktivitetin e Gjokës dhe se nuk kishte ndërmend të tërhiqej nga ky premtim. Në një tjetër mesazh ai përmendte shumën prej 1.500 eurosh, duke pretenduar se ndërhyrjen nuk e kishte bërë për para, por për shkak të marrëdhënies personale me biznesmenin.

Edhe më domethënës është një komunikim i fundit të dhjetorit 2019, ku Bistri i tregonte Gjokës se policët kishin shkuar për kontroll pas denoncimeve për një kazino, por nuk kishin konstatuar shkelje. Nga përmbajtja e bisedës rezultonte se kontrolli ishte kryer vetëm formalisht, ndërsa aktiviteti ishte lejuar të vazhdonte.

Komunikimet tregojnë gjithashtu se Bistri i përcillte biznesmenit informacione për denoncimet ndaj ambienteve të lojërave të fatit dhe hetimet që zhvilloheshin ndaj punonjësve të policisë. Në një rast, ai kërkonte të identifikohej edhe personi që kishte ofruar informacione për një ambient ku zhvilloheshin lojëra të paligjshme.

Në shkurt 2020, presioni ndaj aktiviteteve të Gjokës duket se ishte shtuar. Në një komunikim të datës 23 shkurt, Bistri i tregonte biznesmenit se ishte thirrur nga eprorët dhe se një prej pikave të lojërave të fatit nuk mund të vazhdonte më aktivitetin.

Ai pretendonte se për çështjen ishte interesuar edhe ministri i atëhershëm i Brendshëm, Sandër Lleshi, ndërsa i kërkonte Gjokës të mos fliste me askënd dhe të takohej me të në një vend të caktuar në Tiranë.

Sipas materialeve hetimore, komunikimet e vazhdueshme krijuan dyshime se Bistri kishte dijeni për aktivitetet e paligjshme të lojërave të fatit, por në vend që të ndërhynte për mbylljen e tyre, kishte përdorur pozicionin zyrtar për t'i mbrojtur.

Paralelisht me hetimin për korrupsionin dhe zbulimin e informacioneve sekrete, SPAK nisi edhe verifikimin e pasurive të ish-zyrtarit të lartë të policisë.

Më 31 janar 2024, Prokuroria e Posaçme ndërmori sekuestrimin e pasurive të lidhura me Bistrin dhe familjarët e tij, pas identifikimit të transaksioneve financiare të dyshimta që shtriheshin ndër vite, duke nisur nga viti 2015.

Në atë kohë, vlera e pasurive të sekuestruara u raportua në rreth një milion euro, ndërsa hetimi pasuror u bë një prej elementeve kryesore të akuzës për pastrim parash.

Megjithatë, më 18 nëntor 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi ta shpallte Bistrin të pafajshëm për korrupsion dhe pastrim parash, duke e dënuar vetëm për zbulim të akteve ose të dhënave sekrete.

Dënimi prej tre vitesh u reduktua në dy vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Duke qenë se Bistri kishte kaluar më shumë se dy vite në paraburgim, gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm.

Në të njëjtën kohë, gjykata vendosi edhe heqjen e sekuestros mbi pasuritë, duke mos pranuar kërkesën për konfiskimin e tyre.

Por vendimi i sotëm i Apelit ka ndryshuar rrënjësisht situatën juridike të ish-drejtuesit të policisë. Përveç dënimit me 7 vite e 4 muaj burg, gjykata ka vendosur edhe konfiskimin e pasurive që Shkalla e Parë kishte urdhëruar t'i ktheheshin.

Për të pandehurit e tjerë të kësaj pjese të dosjes “Metamorfoza”, Apeli ka lënë në fuqi dënimet e mëparshme. Edmond Preka është dënuar me 7 vite burg, Astmer Bilali me 5 vite e 8 muaj, Behar Bajri me 8 vite e 8 muaj dhe ish-prokurori Xhevahir Lita me 3 vite e 4 muaj burgim.

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.