Frika nga një pakt Trump-Putin në kurriz të Europës, Ukraina paralajmëron për ndarjen e re të kontinentit

Një marrëveshje paqeje që mund t'i japë fund luftës në Ukrainë, por njëkohësisht t'i rikthejë Rusisë ndikimin mbi Europën Lindore. Ky është shqetësimi që po rritet në Kiev dhe në kryeqytetet europiane, ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten të ndërmjetësojnë një raund të ri negociatash mes Ukrainës dhe Rusisë në Abu Dhabi.
Sipas gazetës britanike The Times, presidenti amerikan Donald Trump po shfaq gatishmëri për të diskutuar me Vladimir Putinin jo vetëm përfundimin e luftës, por edhe një marrëveshje shumë më të gjerë për sigurinë e kontinentit europian. Një perspektivë e tillë ka alarmuar Ukrainën dhe aleatët e saj, të cilët druhen se Uashingtoni mund të pranojë kërkesa të Kremlinit që më parë konsideroheshin të papranueshme.
Shqetësimet janë shtuar pas deklaratave të Trump se marrëveshja e ardhshme mund të përfshijë shumë më tepër sesa territorin ukrainas.
Presidenti amerikan ka paralajmëruar një marrëveshje të madhe që mund të përfshijë gjithë Europën, ndërsa në një intervistë për CBS sugjeroi se Ukraina mund të dalë nga lufta me kufij të ndryshuar.
Këto deklarata kanë ngritur pikëpyetje mbi lëshimet territoriale që mund t'i kërkohen Kievit dhe mbi mundësinë që Rusia të fitojë ndikim të ri në përcaktimin e politikave të sigurisë europiane.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka reaguar duke paralajmëruar se kontinenti nuk duhet të përjetojë një përsëritje të marrëveshjeve të vitit 1945, kur fuqitë e mëdha përcaktuan sferat e ndikimit në Europën e pasluftës.
“Kjo është e rrezikshme për të gjithë ne. Ne të gjithë jetojmë në Europë. Nuk duam një Jaltë të dytë”, deklaroi Zelensky për CNN.
Referenca ndaj Konferencës së Jaltës nuk është rastësore. Në shkurt të vitit 1945, udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Sovjetik diskutuan organizimin e Europës pas Luftës së Dytë Botërore. Marrëveshjet dhe zhvillimet që pasuan u shoqëruan me vendosjen e një pjese të madhe të Europës Lindore nën dominimin sovjetik.
Pikërisht rikthimit të një logjike të tillë i druhen sot Ukraina, Polonia dhe shtetet baltike.
Përpara pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022, Rusia kishte kërkuar që NATO të tërhiqte forcat e saj nga vendet që iu bashkuan Aleancës pas vitit 1997. Kjo do të prekte veçanërisht Poloninë, Estoninë, Letoninë dhe Lituaninë, duke dobësuar praninë ushtarake perëndimore në kufijtë lindorë të Aleancës.
Administrata e atëhershme amerikane e Joe Biden i kishte refuzuar këto kërkesa. Por tani, sipas The Times, ekziston shqetësimi se administrata Trump mund të jetë më e hapur ndaj diskutimit të tyre.
Dyshimet janë përforcuar edhe nga kontaktet e fundit mes Uashingtonit dhe Moskës. Javën e kaluar, Trump zhvilloi një takim në Shtëpinë e Bardhë me Kirill Dmitriev, një prej të dërguarve më të afërt të Putinit dhe drejtues i fondit sovran rus të investimeve.
Dmitriev kishte bashkëpunuar më parë me të dërguarin amerikan Steve Witkoff për hartimin e një plani paqeje me 28 pika, i cili parashikonte lëshime territoriale nga Ukraina, heqjen dorë nga ambicia për anëtarësim në NATO dhe negociata më të gjera mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për sigurinë ndërkombëtare.
Takimi i ardhshëm në Abu Dhabi, i planifikuar për 10 dhe 11 nëntor, do të drejtohet nga pala amerikane përmes Steve Witkoff dhe Jared Kushner, dhëndrit të presidentit Trump.
Kushner ka deklaruar se diskutimet do të përqendrohen te garancitë e sigurisë për Ukrainën dhe te arkitektura e ardhshme e sigurisë europiane.
Ai ka theksuar se NATO do të mbetet në qendër të mbrojtjes kolektive të Europës dhe se çdo marrëveshje duhet të respektojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Megjithatë, përfshirja e sigurisë së gjithë kontinentit në negociata me Moskën ka shkaktuar shqetësime të mëdha.
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, deklaroi se Europa nuk ka nevojë për një sistem të ri sigurie, por për rikthimin e respektimit të rregullave ekzistuese.
Edhe shefja e diplomacisë europiane, Kaja Kallas, ka kujtuar se Rusia ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare që garantojnë sovranitetin e Ukrainës, përfshirë Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, kur Kievi hoqi dorë nga arsenali bërthamor i trashëguar nga Bashkimi Sovjetik në këmbim të garancive të sigurisë.
Një diplomat europian, i cituar nga The Times, paralajmëroi se negociatat mund t'i krijojnë Kremlinit mundësinë të rikthejë në tryezë kërkesat e vitit 2021.
Sipas tij, rreziku më i madh është që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të diskutojnë të ardhmen e sigurisë europiane pa pjesëmarrjen e plotë të vendeve që preken drejtpërdrejt.
Për të shmangur këtë skenar, Ukraina ka njoftuar se do të zhvillojë bisedime të veçanta në Abu Dhabi me përfaqësues të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe aleatëve të tjerë.
Ndërkohë, Rusia po vazhdon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase, në një përpjekje për të shtuar presionin mbi Kievin përpara dimrit.
Bombardimet kanë shkaktuar ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë, ndërsa temperaturat gjatë muajve të ardhshëm mund të zbresin deri në minus 20 gradë Celsius.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, i tha The Times se vendi po përballet me mungesa të raketave interceptuese për sistemet amerikane Patriot, të cilat janë ndër mjetet kryesore për mbrojtjen kundër raketave balistike ruse.
Ai kërkoi ndihmë urgjente nga aleatët perëndimorë, duke theksuar se asnjë vend nuk mund të përballojë i vetëm një luftë të këtyre përmasave.
Megjithatë, Sybiha deklaroi se Ukraina është në një pozicion më të fortë ushtarak sesa një vit më parë. Sipas tij, vendi prodhon aktualisht rreth 50 për qind të pajisjeve të veta ushtarake dhe synon ta rrisë këtë nivel deri në 90 për qind.
Kievi ka rifilluar gjithashtu sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, pasi më parë kishte pranuar t'i pezullonte përkohësisht nën presionin e Shtëpisë së Bardhë.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë në negociata është ndryshimi i ekuilibrave politikë në Uashington pas zgjedhjeve të mesmandatit, ku republikanët pësuan humbje të mëdha.
Sipas analistëve të cituar nga gazeta britanike, Kremlini mund të përpiqet të shfrytëzojë dëshirën e Trump për një sukses diplomatik përpara se demokratët të marrin kontrollin e Kongresit.
Megjithatë, ekspertët janë skeptikë për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të shpejtë.
John Lough, analist në qendrën kërkimore New Eurasian Strategies Centre në Londër dhe ish-përfaqësues i NATO-s në Moskë, vlerëson se një marrëveshje gjithëpërfshirëse për sigurinë europiane do të kërkonte vite negociatash.
Sipas tij, vetëm pranimi i kërkesës ruse për të diskutuar një sistem të ri sigurie europiane si kusht për paqen përbën një avantazh diplomatik për Kremlinin.
Ai vlerëson se përfitimi më realist që Putin mund të sigurojë është një angazhim amerikan për reduktimin e pranisë ushtarake të SHBA-së në Europë.
Përbërja e delegacionit rus në Abu Dhabi ka shtuar gjithashtu shqetësimet. Në krye të tij është Vladimir Medinsky, ndërsa pjesë e ekipit janë zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov, i cili drejtoi negociatat për kërkesat ruse ndaj NATO-s në vitin 2021, si dhe zyrtarë të lartë të inteligjencës dhe ushtrisë.
Boris Bondarev, ish-diplomat rus që dha dorëheqjen në shenjë proteste ndaj pushtimit të Ukrainës, paralajmëron se Moska mund të përpiqet ta zhvendosë diskutimin nga lufta në Ukrainë drejt marrëdhënieve të përgjithshme mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit.
Sipas tij, Kremlini mund të paraqesë lëshime të kufizuara për të krijuar përshtypjen se është i gatshëm për paqe, ndërsa në praktikë të vazhdojë të kërkojë ndryshime shumë më të gjera në rendin europian.
Pavarësisht përpjekjeve diplomatike, Putin ka refuzuar disa propozime për armëpushim dhe vazhdon të kërkojë kushte që Kievi i konsideron të papranueshme.
Kështu, negociatat e Abu Dhabit nuk po shihen vetëm si një përpjekje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë, por edhe si një provë për të ardhmen e sigurisë europiane.
Frika e Kievit dhe e aleatëve të tij është se, në përpjekje për të arritur një marrëveshje historike me Putinin, Trump mund të pranojë lëshime që do t'i jepnin Moskës ndikim mbi fatin e vendeve të Europës Lindore.
Një marrëveshje e tillë, edhe nëse do të sillte përfundimin e luftimeve në Ukrainë, mund të hapte një debat shumë më të madh për kufijtë e ndikimit rus, të ardhmen e NATO-s dhe rolin e Shteteve të Bashkuara në mbrojtjen e kontinentit.
Lexo edhe
BOTA
Macron dhe gruaja e tij ngrenë padi kundër komentatores amerikane: Brigitte nuk është burrë!

“Mos i hiqni sytë nga Bibi”/ 168 ish-krerë të sigurisë paralajmërojnë për një plan të fshehtë, çfarë pritet më 10 nëntor?

Nga Reaganizmi te radikalizmi/ Si e djathta “woke” e rrëzoi Partinë Republikane

Marine Le Pen trazon Francën: Jemi vendi më pak racist në botë

Ukraina drejt kolapsit demografik, lufta po zhduk një brez të tërë! Vdekjet katër herë më të larta se lindjet





