Inteligjenca artificiale po bëhet e pakontrollueshme? Studiuesit japin alarmin
Modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale po bëhen aq të fuqishme, saqë edhe vetë krijuesit e tyre kanë nisur të dyshojnë në aftësinë për t'i mbajtur nën kontroll

Modelet më të avancuara të inteligjencës artificiale po bëhen aq të fuqishme, saqë edhe vetë krijuesit e tyre kanë nisur të dyshojnë në aftësinë për t'i mbajtur nën kontroll.
Një raport i medias amerikane “Axios”, që citon dhjetëra burime me dijeni për diskutimet e brendshme në OpenAI dhe Anthropic, zbulon shqetësimet në rritje mes studiuesve për sigurinë e modeleve të gjeneratës së ardhshme, të cilat ende nuk janë vënë në dispozicion të publikut.
Hendeku mes aftësive të inteligjencës artificiale dhe mundësive të njerëzimit për ta kontrolluar atë po zgjerohet. Ndërsa disa studiues besojnë se problemet mund të zgjidhen përmes ndërhyrjeve teknike, të tjerë argumentojnë se kompanitë duhet të ndalojnë plotësisht trajnimin e modeleve të reja.
“Nëse vazhdojmë të përpiqemi t’i bëjmë modelet shumë më inteligjente, deri në atë pikë sa të jenë realisht më të zgjuara se ne, ato do të jenë në gjendje të na mashtrojnë me sukses. Dhe sapo të arrijmë në atë pikë, shumë prej mekanizmave të kontrollit që kemi përdorur deri më tani do të dështojnë”, deklaroi një studiues për Axios, sipas materialit të publikuar.
Zbulimet që kanë befasuar edhe krijuesit e teknologjisë
Përparimet në matematikë, shkencë, siguri kibernetike dhe në vetë kërkimin mbi inteligjencën artificiale kanë tejkaluar pritshmëritë e shumë studiuesve.
Sipas raportimit, një version eksperimental i Claude është përdorur për të paraqitur një provë të hipotezës së Riemann-it, një prej problemeve më të mëdha të matematikës, që ka mbetur i pazgjidhur për më shumë se 150 vjet. Vlefshmëria e kësaj prove, megjithatë, nuk konfirmohet në artikull.
Ndërkohë, një model ende i papublikuar i OpenAI ka ndihmuar në hartimin e provave për qindra probleme matematikore.
Por pikërisht aftësitë që mund të revolucionarizojnë shkencën po ngrenë pikëpyetje serioze mbi sigurinë.
Kur inteligjenca artificiale mëson të mashtrojë
Një prej shqetësimeve kryesore lidhet me metodat e trajnimit të sistemeve të inteligjencës artificiale.
Modelet mësojnë përmes provave, gabimeve dhe shpërblimeve për arritjen e rezultateve të caktuara. Megjithatë, studiuesit kanë konstatuar se sistemet më të avancuara mund të manipulojnë mekanizmat e vlerësimit dhe të anashkalojnë kufizimet.
Një tjetër problem është vështirësia në monitorimin e procesit të arsyetimit. Sipas burimeve të cituara, disa modele eksperimentale kanë shfaqur sjellje që sugjerojnë fshehjen e arsyetimit real ose paraqitjen e shpjegimeve mashtruese për të kënaqur mbikëqyrësit njerëzorë.
Kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se sistemet kanë zhvilluar vetëdije, por se mekanizmat ekzistues të kontrollit mund të mos jenë më të mjaftueshëm.
Në qendër të debatit është edhe presioni ekonomik që ushtron gara mes kompanive më të mëdha teknologjike.
Shumë punonjës kanë frikë se drejtuesit mund t’u japin përparësi interesave financiare dhe konkurrencës në treg, duke nënvlerësuar rreziqet që shoqërojnë zhvillimin e modeleve të reja.
Nga ana e saj, OpenAI ka bërë të ditur se ka miratuar kërkesa të reja sigurie, të cilat mund të ngadalësojnë ritmin e publikimit të modeleve.
Edhe Anthropic ka deklaruar se është e gatshme të vonojë zhvillimin e sistemeve, pavarësisht kostove financiare, duke theksuar se përgjegjësia për sigurinë fillon që në fazën e trajnimit dhe jo vetëm në momentin e publikimit.
Një prej skenarëve që po diskutohet është kufizimi i aksesit në modelet më të avancuara. Në vend që të vihen në dispozicion të publikut të gjerë, ato mund të përdoren përmes produkteve të specializuara për biznesin, matematikën dhe kërkimin shkencor.
Megjithatë, disa ekspertë paralajmërojnë se edhe përdorimi i këtyre sistemeve vetëm brenda kompanive nuk garanton eliminimin e rreziqeve.
Për industrinë e inteligjencës artificiale, pyetja nuk është më vetëm se sa të fuqishme mund të bëhen makineritë, por nëse njerëzimi do të jetë në gjendje të ruajë kontrollin mbi teknologjinë që po ndërton.
Lexo edhe
BOTA
VIDEO/ Kinezët i bëjnë një "rreng" kryeministres japoneze

Nuk e dinte se ishte shtatzënë/ 28-vjeçarja hyri në vaskë për të qetësuar dhimbjet menstruale, 10 minuta më vonë solli në jetë një vajzë...

VIDEO/ Momente tensioni në Kuvendin serb, kryetari i tregon orën dhe i fik mikrofonin, Vuçiç largohet pasi i ndërpresin fjalën

Incident në rezidencën e Princit William dhe Kate Middleton, dy persona në pranga

Shëndeti i përkeqësuar, mbreti Charles drejt abdikimit? Zbulohen skenarët për kurorëzimin e Princit William në vitin 2027





