Intervista pune për grabitjen e kriptone! “Binance” zbulon mënyrën si hakerat depërtuan në sistemet e kompanisë

Binance ka zbuluar se hakerat përdorën intervista të rreme pune, programe keqdashëse dhe një mjet të brendshëm të inteligjencës artificiale për të realizuar grabitjen prej 6.3 miliardë dollarësh në kriptomonedha. Autoritetet amerikane dyshojnë për përfshirjen e Koresë së Veriut, ndërsa kompania ka njoftuar masa të reja sigurie për të parandaluar sulme të ngjashme.
Intervista të rreme pune, programe keqdashëse dhe një mjet i brendshëm i inteligjencës artificiale. Këto janë metodat që hakerat përdorën për të depërtuar në sistemet e Binance dhe për të realizuar grabitjen rekord prej 6.3 miliardë dollarësh në kriptomonedha.
Detajet e reja janë zbuluar nga vetë kompania, e cila ka publikuar rezultatet paraprake të hetimit për sulmin kibernetik.
Gjithçka nisi kur një inxhinier i Binance u kontaktua përmes një platforme të ligjshme punësimi dhe u ftua në intervista me përfaqësues të një kompanie të rreme.
Gjatë intervistës së dytë, atij iu kërkua të shkarkonte një material të paraqitur si detyrë pune, i cili në të vërtetë përmbante një program keqdashës.
Pasi morën kontrollin e kompjuterit të tij, hakerat shfrytëzuan edhe një mjet të brendshëm të inteligjencës artificiale për të komprometuar pajisjet e dy inxhinierëve të tjerë.
Kjo u mundësoi të depërtonin më thellë në sistemet e kompanisë dhe të vidhnin kriptomonedha me vlerë miliarda dollarë.
Pas sulmit, Binance pezulloi përkohësisht tërheqjet e fondeve për klientët në mbarë botën.
Kompania kërkoi falje dhe njoftoi se kishte siguruar fonde për të mbuluar humbjet, ndërsa deri të shtunën ishin rimbursuar 98 për qind e aseteve të prekura.
Ndërkohë, FBI-ja dhe Shërbimi Sekret amerikan po ndihmojnë në gjurmimin e kriptomonedhave të vjedhura.
Autoritetet amerikane dyshojnë se pas sulmit qëndron Koreja e Veriut, e cila është akuzuar edhe më parë për grabitje të mëdha në tregun e kriptomonedhave. Pheniani i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato një përpjekje të Shteteve të Bashkuara për të dëmtuar imazhin e vendit.
Lexo edhe
BOTA
Fundi i ndihmës për Izraelin! Nga viti 2027, SHBA do të ndërpresë ndihmën vjetore financiare

Zbulohen rezultatet e para të toksikologjisë për vdekjen e këngëtarit Giorgos Mazonakis, në gjak u gjetën…

Rezerva ushqimore dhe uji për të paktën 72 orë! Kanadaja u bën thirrje qytetarëve të përgatiten për emergjenca

Chris Pappas bëhet burri i parë gay i zgjedhur në Senatin amerikan

Kremlini zbulon temat e bisedimeve me Kievin në Abu Dhabi, Peskov: Garancitë e sigurisë për Rusinë dhe Ukrainën do të jenë reciproke





