Kosova pa njohje të reja, diplomatët kritikojnë qeverinë dhe Ministrinë e Jashtme për mungesën e rezultateve

Fund viti po afron, por viti 2026 nuk ka sjellë asnjë njohje të re për Kosovën. Asnjë shtet nuk ka njoftuar zyrtarisht se e ka njohur pavarësinë e Republikës së Kosovës, shtetit më të ri në Evropë, duke e lënë edhe këtë vit pa përparim në procesin e njohjeve.
Për ish-diplomaten Alma Lama, kriza e zgjatur politike në vend ka ndikuar drejtpërdrejt në mungesën e një diplomacie aktive dhe të angazhimit për sigurimin e njohjeve të reja.
“Problemi i njohjes deri diku është konsumuar, ato shtete që kanë mundur ta njohin Kosovën më herët e kanë njohur. Shtetet e tjera janë nën influencën ruse e kineze. Kjo nuk do të thotë që janë eksploruar të gjitha vendet, por duket se është një mision jashtëzakonisht i vështirë. Në mungesë të të diplomacisë aktive të Kosovës, ky mision bëhet pothuajse i pamundur”.
Lama vlerëson se Kosova duhet të hartojë një strategji të qartë për njohjet e reja, me fokus të veçantë te pesë shtetet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Përgjegjësinë kryesore për këtë proces ia atribuon kryeministrit të vendit.
“Ministria e jashtme sigurisht që ka rolin e saj. Përveç ministrit duhet të angazhohen edhe persona kompetent në ambasada për të lobuar. Por sigurisht barrën kryesore e ka Qeveria është Kryeministri ai që e përcakton politikat, përfshirë edhe politikën e jashtme. Për më tepër një kryeministër siç e ka Kosova që vendosë pothuajse vetë, për secilën politikë”.
Ndërkaq, profesori i diplomacisë, Dorajet Imeri, vlerëson se krahas përpjekjeve për njohje të reja, Kosova duhet t'i kushtojë rëndësi edhe ruajtjes së marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë dhe fuqizimit të bashkëpunimit me shtetet që e kanë mbështetur në vazhdimësi. Shtuar kësaj sipas tij duhet edhe një strategji e re.
“Një analizë e gjendjes momentale, një strategji e re me rrethanën e pas luftës Rusi-Ukrainë dhe edhe një analizë tjetër shtesë për shkak të ndryshimeve politike që kanë ndodhur në Serbi. Për shkak të ardhjes në skenë të një partie të re politike atje, që nuk po ndryshon qasje ndaj Kosovës. Ka ndryshuar figura, por jo edhe ideologjia dhe qasja. Kosova duhet të veprojë në kohë reale e bashkërendim institucional, të përdoret çdo mekanizëm për t’u dëgjuar si faktorë në arenën ndërkombëtare”.
Njohjet e fundit të reja për Kosovën erdhën gjatë vitit 2025, kur pavarësinë e saj e njohën Kenia, Sudani, Siria dhe Bahamet. Ndërkaq, ekspertët vlerësojnë se krahas lobimit për njohje të reja, Kosova duhet të angazhohet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Lexo edhe
KOSOVA
Kurti kërkon mbështetjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe NATO

LDK kundër presidentes Shiroka-Pula: Të papranueshme heqja e fotografisë së Ibrahim Rugovës dhe Deklaratës së Pavarësisë nga Presidenca...

Aksidenti i rëndë në Prishtinë gjatë garave me makina

Kryeministri britanik letër Kurtit: Kosova të respektojë mandatin e Gjykatës Speciale, si dëshmi e pjekurisë së saj politike

"Liria ka Emër” planifikon peticion dhe grevë për vendimin e Hagës ndaj ish-krerëve të UÇK-së





