Djali i Jakup Krasniqit i bashkohet protestës para Kuvendit: Nuk është çështje e një partie, por e një populli

Deputeti i PDK-së, Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i është bashkuar protestuesve pranë Kuvendit të Kosovës. Ai kritikoi ndërhyrjen e Policisë dhe kërkoi rikthimin e deputetëve në sallë për votimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Altin Krasniqi, i është bashkuar protestuesve që vijojnë të qëndrojnë pranë Kuvendit, ndërsa situata në qendër të Prishtinës mbetet e tensionuar.
Krasniqi është djali i Jakup Krasniqit, ish-kryetarit të Kuvendit dhe një prej ish-krerëve të UÇK-së.
Duke folur nga protesta, Altin Krasniqi deklaroi se zhvillimet nuk duhet të shihen si një përplasje mes partive politike, por si një çështje që, sipas tij, prek të gjithë qytetarët.
“Kjo nuk është çështje politike, nuk është çështje e një partie, është çështje e një populli”, deklaroi Krasniqi.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën e ndërhyrjes së Policisë ndaj protestuesve, duke e cilësuar reagimin si të tepruar dhe “brutal”.
“Prandaj, nuk duhet të kthehet kjo çështje dhe të luftohet sot kjo protestë në këtë mënyrë kaq brutale ndaj qytetarëve”, u shpreh ai.
Krasniqi kërkoi që deputetët të rikthehen në Kuvend dhe ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara të hidhen në votim.
“Duhet me qenë në Kuvend, mos me kthy në çështje politike, duhet me qenë në Kuvend, me votu ligjin dhe me procedu me çështje të tjera”, deklaroi ai.
Deputeti i PDK-së bëri gjithashtu thirrje që reagimi i Policisë të jetë proporcional, duke pretenduar se protestuesit po zhvillojnë një protestë të qetë.
“Protestuesit po bëjnë një protestë të qetë, prandaj mendoj që në mënyrë proporcionale me qenë edhe përgjigja e policëve”, tha Krasniqi.
Lexo edhe
KOSOVA
Tensionet në protestën e Kosovës, shoqërohet nga policia nipi i Hashim Thaçit

Demonstrata në Kosovë, Ramush Haradinaj del të flasë me protestuesit

Përshkallëzohet situata para Kuvendit të Kosovës, policia hedh gaz lotsjellës gjatë fjalimit të protestuesve

"Voto Presidentin, të votoj Specialen", zbardhet takimi Kurti-Hamza, shpërthejnë protestat në Kosovë

Protesta për Dhomat e Specializuara, qytetarët bllokojnë të gjitha hyrjet e Kuvendit





