Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
Pas taksës së karburantit, vjen fatura e radhës: Vendoset "vinjeta" për çdo automjet në rrugët kombëtare!... Plagosi babanë e ish-partneres, Gjykata e Fierit lë në burg dajën e deputetes Zegjine Çaushi Bylykbashi përplaset me Gjiknurin: PS shmang rekomandimet e OSBE/ODIHR, të ndahet shteti nga procesi zgjedh... Takimi i Gogut dhe Veliajt në burg, Drejtoresha e Burgjeve nuk jep shpjegime: Janë sekrete! Berisha: 523 projekte në duart e karteleve të drogës, “Albanian File” zbulon si Rama e trajtoi Shqipërinë s... Maran bën një gjest të veçantë, hap dyert e stërvitjes së Kombëtares për tifozët kuqezi Tabaku kritikon modelin ekonomik të qeverisë: Rritja për pakicën, asgjë për familjet shqiptare SPAK kërkon dy vite burg për Benet Becin, akuzohet për favorizim në tender kur drejtonte KESH Berisha akuzon Ramën për ndërtimin e hotelit në Kanionin e Gjipesë: Janë marrë 221 mijë metra katrorë pronë... OKB ngre alarmin! Pothuajse një në tre afganë përballet me uri të rëndë përpara dimrit “Zgjedhorja”/ Berisha tregon “vijat e kuqe”: Listat e hapura, kusht i panegociueshëm! Rama kërkon të hedhë ... Projektbuxheti 2027 dhe Paketa Fiskale, Himçi: Miliarda për infrastrukturën, por ku janë rezultatet për qyt...
POLITIKE

Kume: Reforma zgjedhore duhet të përfundojë brenda nëntorit, partitë të lënë mënjanë interesat politike

P
Piranjat 9 November 2026, 14:19 · 13 min lexim
Kume: Reforma zgjedhore duhet të përfundojë brenda nëntorit,

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, kërkon përfundimin në kohë të reformës zgjedhore, duke theksuar se partitë politike nuk kanë më arsye për të shtyrë ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Në një intervistë për Ora News, Kume u shpreh se vendi ndodhet në kufirin kohor të rekomanduar nga institucionet ndërkombëtare, sipas të cilave ndryshimet në legjislacion duhet të përfundojnë të paktën gjashtë muaj përpara zgjedhjeve.

Ai kritikoi mungesën e vullnetit politik të PS-së dhe PD-së, duke theksuar se propozimet për ndryshimet e nevojshme janë tashmë të gatshme dhe janë paraqitur nga OSBE/ODIHR-i, vëzhguesit vendas dhe organizatat e shoqërisë civile. Sipas Kumes, komisioni parlamentar duhet të përcaktojë një axhendë konkrete deri në fund të nëntorit dhe t'u japë përparësi rekomandimeve të përsëritura të OSBE/ODIHR-it.

Kume nënvizoi gjithashtu nevojën për përshtatjen e Kodit Zgjedhor me reformën administrativo-territoriale, duke paralajmëruar se, nëse nuk bëhen ndryshimet e nevojshme, do të vijojë mungesa e përfaqësimit të komuniteteve të caktuara në këshillat bashkiakë, veçanërisht e banorëve të zonave rurale dhe komuniteteve të margjinalizuara, si romët dhe egjiptianët.

Një prej propozimeve që ai mbështet është votimi për këshillat bashkiakë me lista 100% të hapura, si dhe detyrimi i subjekteve zgjedhore për të përfshirë në listat e kandidatëve përfaqësues nga komunitetet e ndryshme, në përputhje me parimin e përfaqësimit proporcional.

Sa i përket zgjedhjes së kryetarëve të bashkive, ish-kreu i KQZ-së kërkon kalimin në një sistem me dy raunde, ku kandidati të fitojë mandatin vetëm nëse siguron mbi 50% të votave. Kjo, sipas tij, do të shmangte rastet kur një kandidat shpallet fitues vetëm sepse ka marrë më shumë vota se rivalët, edhe kur nuk ka siguruar shumicën e votave të vlefshme.

Kume theksoi edhe nevojën që kandidatët e pavarur të kenë mundësinë të garojnë me lista për këshillat bashkiakë dhe jo vetëm me kandidatë individualë. Ai rikujtoi se disa prej këtyre propozimeve janë artikuluar edhe nga përfaqësues të PS-së dhe PD-së, ndaj kërkoi që diskutimet politike të zëvendësohen me vendimmarrje konkrete.

Kristaq Kume: Duke ju referuar rekomandimeve të dhëna nga institucionet ndërkombëtare që trajtojnë problemet e zgjedhjeve, dhe këtu kam parasysh midis të tjerëve Komisionin e Venecias, jemi në limitet e kohës që ata rekomandojnë që duhet të përfundojnë rregullimet e legjislacionit zgjedhor, të cilat të zbatohen në zgjedhjet e radhës. Jemi gjashtë muaj përpara datës së zgjedhjeve, gjë që do të thotë se pas kësaj nuk ka asnjë arsye pse dhe asnjë mënyrë për t'u justifikuar nga forcat politike, PD-ja dhe PS-ja, për të shmangur atë që është detyra kryesore që ata kanë lidhur me përgatitjet për zgjedhjet. Pra përfundimin e ndryshimeve që duhen bërë në Kodin Zgjedhor në radhë të parë, dhe mbi të gjitha për ta rregulluar këtë legjislacion, për ta bërë më të mirë të mundshëm në funksion të zgjedhjeve që do të zhvillohen në 9 maj.

Por unë do të thosha jo vetëm për kaq, sepse është po kaq e domosdoshme që Kodi Zgjedhor të rregullohet ashtu siç duhet për ta bërë atë si një akt legjislativ i cili të krijojë kushte sa më të mira për zhvillimin e proceseve zgjedhore edhe për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë. Për mua është e tepërt që të vazhdohet nga politika jonë, nga PS-ja dhe PD-ja, diskutimi 'unë dua të bëj këtë gjë, ti do të bësh atë gjë' e të tjera me radhë. Se çfarë duhet të bëjë komisioni parlamentar për reformën zgjedhore tashmë është shumë mirë e përcaktuar. Kjo jo vetëm në rekomandimet e dhëna nga misionet që kanë vëzhguar proceset zgjedhore të OSBE/ODIHR-it, por në të njëjtën kohë edhe nga vëzhguesit vendas dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile. Tashmë në tavolinën e këtij komisioni, që ju e keni shfaqur dhe në ekran, ka të gatshme propozime se si dhe çfarë duhet të ndryshojnë dispozitat përkatëse në Kodin Zgjedhor për t'ju përgjigjur më mirë zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, ashtu sikurse ka edhe variante propozimesh për ndryshimet që duhen bërë në Kodin Zgjedhor për zgjedhjet parlamentare.

 Pra nuk është e vështirë për t'u trajtuar gjëja, por pengesa më e madhe në këtë rast është mungesa e vullnetit dhe përdorimi politik në mënyrë të skajshme, unë do të thosha, i këtij momenti shumë të rëndësishëm, i kësaj vendimmarrjeje, i kësaj procedure shumë të rëndësishme që duhet të realizojë Kuvendi i Shqipërisë në funksion të interesit politik të radhës, të ditës. Pra 'të hedh e të pres atë që unë jam gati për ta bërë, ti s'do që ta bëjmë, unë dua të bëhet kjo gjë, ti s'do të bësh këtë gjë' e kështu me radhë. Të shohim se çfarë ky komision, që është mbledhur sot, do të vendosë. Unë pres që në fund të këtij komisioni, të mbledhjes së ditës së sotme nga komisioni parlamentar, të dimë se cila do të jetë axhenda e tij deri në fund të mandatit, pra deri në fund të nëntorit. Dhe besoj se ato çfarë ata do të bien dakord për të trajtuar, në radhë të parë do të jenë ndryshimet që duhen bërë në Kodin Zgjedhor për t'ju përgjigjur rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Këtu rëndësi ka se cilave rekomandimeve dhe si do t'ju përgjigjen, sepse siç dihet, ka rekomandime të përsëritura, të cilat kanë qenë në tavolinën e këtij komisioni në mënyrë të vazhdueshme dhe asnjëherë nuk janë konsideruar prej tyre. Ashtu sikurse çfarë ndryshimesh do të bëjnë për të përshtatur legjislacionin zgjedhor me ndryshimet që u bënë në reformën territoriale administrative të vendit.

Është e domosdoshme që ato ndryshime të reflektohen në Kodin Zgjedhor, për t'i bërë zgjedhjet si një procedurë e cila të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme, në parimet bazë të zgjedhjeve demokratike Atëherë, përpara se të them se çfarë duhet të ndryshojë, po ju them se ky ndryshim do të bëjë, ka bërë tashmë, që në qoftë se nuk reflektohet, nuk bëhet diçka tjetër në Kodin Zgjedhor, të përsëritet në mënyrë pastaj deri të padurueshme fare atë fenomen me të cilin jemi ndeshur deri më sot në bashkitë e mëdhaja që dolën pas reformës së 2014-ës, në këshillat bashkiakë të të cilave pothuajse nuk ka asnjë përfaqësues nga komunitete të caktuara, komunitetet e mëdhaja që bashkëjetojnë në bashki, siç janë komunitetet rurale ose komunitetet e margjinalizuara, romë, egjiptianë e kështu me radhë. Se çfarë ndryshimesh duhen bërë, tashmë siç jua thashë dhe pak më përpara, ky komision i ka të shkruajtura, i ka në tavolinën e tij edhe si një nismë ligjvënëse qytetare e depozituar në Kuvendin e Shqipërisë që në 2022-shin. Kërkohet që votimi për këshilltarët, këtë duan dhe qytetarët, që votimi për këshilltarët të bëhet me lista 100% të hapura, që partitë politike ose subjektet zgjedhore të detyrohen që në listat e kandidatëve të tyre të kenë përfaqësues nga komunitetet e ndryshme që bashkëjetojnë në të njëjtën njësi vendore, sipas parimit të përfaqësimit proporcional.

Pra të ketë edhe nga fshatrat, nga zonat rurale, të ketë edhe nga komunitetet e margjinalizuara e kështu me radhë. Po ashtu kërkohet që votimi që do të bëhet për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë, i cili zgjidhet sipas sistemit maxhoritar, të vendosen dy raunde dhe mos të jemi kështu që fiton i pari ai që merr më shumë vota, në rastet kur garon vetëm një, siç edhe ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme lokale. Ai të mund ta marrë mandatin vetëm në qoftë se fiton 50 plus 1 për qind të votave të të gjithë atyre që marrin pjesë në votim. T'ju krijohet mundësia zgjedhësve që të mos garojnë për këshillat bashkiakë me një kandidat të pavarur, por të garojnë me lista kandidatësh të pavarur, ashtu siç garojnë dhe subjektet e tjera politike. Siç dihet, deri më sot ne kemi deklarata të të dy krahëve politikë, të PS-së dhe të PD-së, që janë të gatshëm që të trajtojnë problemin e hapjes së listave edhe për këshilltarët bashkiakë.

Këtë e ka thënë zoti Bylykbashi, po të njëjtën gjë ka thënë edhe përfaqësuesi i Partisë Socialiste, zoti Gjiknuri. Po ashtu sikurse edhe kërkesa e qytetarëve për të patur përfaqësuesit e tyre në listën e kandidatëve të këshilltarëve sipas parimit të përfaqësimit proporcional, edhe kjo është artikuluar nga forcat politike, kam parasysh zotin Mazniku, i cili ka thënë që 'ne do të dërgojmë', kështu tha para disa kohësh, në Kuvendin e Shqipërisë, propozimin tonë për të patur mundësi që qytetarët që banojnë, zgjedhësit e qyteteve, zgjedhësit e njësive administrative në zonat periurbane të vendit dhe zgjedhësit e njësive administrative rurale, të jenë të përfaqësuar me njerëzit e tyre, me kandidatët e tyre në këshillin bashkiak. Që është e njëjta gjë në parim me atë që kanë propozuar qytetarët, që në këshillin bashkiak të përfaqësohen qytetarët në mënyrë proporcionale sipas fuqisë dhe përqindjes që ata zënë në komunitetet përkatëse.

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

POLITIKE

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.