Projektbuxheti 2027 dhe Paketa Fiskale, Himçi: Miliarda për infrastrukturën, por ku janë rezultatet për qytetarët?
Deputeti i Partisë Demokratike Beld Himçi tha gjatë një deklarate se, ‘projektbuxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Paketën Fiskale

Deputeti i Partisë Demokratike Beld Himçi tha gjatë një deklarate se, ‘projektbuxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Paketën Fiskale që e shoqëron, ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si qeveria planifikon dhe përdor fondet publike, barrën financiare të koncesioneve dhe ndikimin real të politikave fiskale në jetën e qytetarëve dhe në zhvillimin e ekonomisë’.
DEKLARATË PËR SHTYP
Projektbuxheti 2027 dhe Paketa Fiskale: Miliarda për infrastrukturën, por ku janë rezultatet për qytetarët?
Projektbuxheti i vitit 2027 për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, së bashku me Paketën Fiskale që e shoqëron, ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si qeveria planifikon dhe përdor fondet publike, barrën financiare të koncesioneve dhe ndikimin real të politikave fiskale në jetën e qytetarëve dhe në zhvillimin e ekonomisë.
Për vitin 2027, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i është parashikuar një buxhet prej 75.45 miliardë lekësh, nga të cilat rreth 68 miliardë lekë, ose mbi 90%, janë shpenzime kapitale.
Bëhet fjalë për fonde të konsiderueshme. Por pyetja kryesore nuk është se sa miliardë lekë planifikon të shpenzojë qeveria. Pyetja është: Sa rrugë do të përfundojnë? Sa do të përmirësohet siguria në transport? Sa qytetarë do të kenë furnizim të pandërprerë me ujë dhe energji? Dhe, mbi të gjitha, sa do të ulen kostot për familjet dhe bizneset?
Së pari, investimet rrugore dhe koncesionet vazhdojnë të zënë një peshë të konsiderueshme në buxhet.
Për transportin rrugor parashikohen rreth 31 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 5.205 miliardë lekë janë planifikuar për kontratat koncesionare rrugore vetëm gjatë vitit 2027.
Sipas dokumenteve buxhetore, parashikohen pagesa prej rreth 3.36 miliardë lekësh për Rrugën e Arbrit, 590 milionë lekë për Milot–Morinë dhe 767 milionë lekë për Orikum–Dukat.
Këto shifra kërkojnë transparencë të plotë.
Sa është kostoja përfundimtare e secilës kontratë? Sa janë paguar deri më sot dhe sa mbeten ende për t'u paguar? Cilat janë detyrimet financiare që do të rëndojnë mbi buxhetet e viteve të ardhshme? A janë këto pagesa në përputhje me cilësinë e shërbimit dhe detyrimet kontraktore?
Qytetarët kanë të drejtë të dinë jo vetëm sa kushtojnë këto rrugë, por edhe çfarë përfitojnë konkretisht nga miliardat që paguhen me taksat e tyre.
Së dyti, projektet e mëdha infrastrukturore duhet të shoqërohen me afate dhe kosto të qarta.
Në projektbuxhet janë përfshirë investime për zgjerimin e aksit Elbasan–Qafë Thanë, zgjerimin e autostradës Tiranë–Durrës, rehabilitimin e skarpatave dhe zhvillimin e sistemeve të monitorimit të trafikut.
Megjithatë, ndarja e këtyre projekteve në disa faza dhe lote kërkon një shpjegim të plotë mbi koston totale, afatet e përfundimit dhe rezultatet konkrete të investimeve të kryera deri më tani.
Nuk mjafton që çdo vit të financohen faza të reja të të njëjtit projekt. Qytetarët duhet të dinë se kur do të përfundojë e gjithë vepra dhe sa do të kushtojë përfundimisht.
Së treti, transporti hekurudhor vazhdon të ketë një peshë shumë më të vogël në raport me transportin rrugor dhe, në praktikë, mbetet thuajse jofunksional.
Për transportin hekurudhor parashikohen rreth 2.35 miliardë lekë, kundrejt 31 miliardë lekëve për transportin rrugor.
Shqipëria ka nevojë për një sistem modern hekurudhor, të integruar me korridoret evropiane të transportit, i cili do të ulte kostot e transportit, ndotjen dhe varësinë nga transporti rrugor.
Megjithatë, në projektbuxhet mungojnë shpjegimet e nevojshme se cilat linja pritet të përfundojnë gjatë vitit 2027, kur do të nisë realisht transporti i pasagjerëve dhe si do të garantohet funksionimi i qëndrueshëm i infrastrukturës së re.
Së katërti, furnizimi me ujë dhe energji duhet të vlerësohet përmes cilësisë së shërbimit, jo thjesht përmes shumave të investuara.
Për furnizimin me ujë dhe kanalizimet parashikohen rreth 10.37 miliardë lekë.
Por këto investime duhet të përkthehen në më shumë orë furnizimi me ujë, reduktim të humbjeve në rrjet, përmirësim të cilësisë së ujit dhe trajtim më të mirë të ujërave të ndotura.
Po kështu, programi buxhetor për mbështetjen e energjisë parashikon rreth 524 milionë lekë. Kjo shumë nuk përfaqëson të gjitha investimet në sektorin energjetik, pasi një pjesë e tyre realizohet nga ndërmarrjet publike dhe burime të tjera financimi.
Pikërisht për këtë arsye, kërkohet transparencë e plotë mbi investimet, huamarrjen, garancitë shtetërore dhe detyrimet financiare të ndërmarrjeve publike të sektorit të energjisë.
Por problematikat nuk përfundojnë me mënyrën se si shpërndahen fondet për infrastrukturën. Paketa Fiskale 2027 sjell ndryshime të rëndësishme në kostot e transportit dhe të jetesës.
Qeveria propozon heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër mbi benzinën dhe gazoilin. Sipas relacionit të projektligjit, efekti i drejtpërdrejtë fiskal, duke përfshirë edhe TVSH-në, llogaritet në 32.4 lekë për litër.
Në pamje të parë, kjo mund të duket si një lehtësim që do të ndikojë pozitivisht në kostot e transportit dhe të ekonomisë. Por, kur analizohen së bashku të gjitha ndryshimet e propozuara, rezultati është krejt tjetër.
Në të njëjtën kohë, qeveria propozon ristrukturimin e taksës vjetore të automjeteve, duke e rritur taksën për makinat me benzinë dhe naftë, në rastin më të mirë, me 100%. Gjithashtu, propozohet vendosja e një takse fikse vjetore prej 15,000 lekësh për automjetet elektrike dhe rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21%.
Këto ndryshime nuk mund të analizohen të shkëputura nga njëra-tjetra. Në tërësi, kemi të bëjmë me politika fiskale populiste, të cilat rrezikojnë të mos sjellin asnjë përfitim real për qytetarët: me njërën dorë u jepet një lehtësim, ndërsa me tjetrën u merren përmes taksave të tjera edhe më shumë.
Qeveria duhet t'u tregojë qytetarëve se sa do të kursejnë nga heqja e taksës së karburantit dhe sa do të paguajnë më shumë nga ndryshimet e tjera fiskale.
Po kështu, duhet të shpjegojë se përse vendoset një taksë e re për automjetet elektrike, në një kohë kur politikat e transportit duhet të nxisin përdorimin e teknologjive më të pastra dhe reduktimin e ndotjes.
Së gjashti, rritja e TVSH-së kërkon një vlerësim të plotë të ndikimit të saj ekonomik dhe social.
Paketa Fiskale propozon rritjen e normës standarde të TVSH-së në 21%, ndërsa për disa shërbime turistike norma e reduktuar rritet nga 6% në 10%.
Në të njëjtën kohë, parashikohet një normë e reduktuar prej 6% për një listë produktesh ushqimore bazë.
Këto ndryshime mund të kenë efekte të ndryshme mbi familjet dhe bizneset. Për këtë arsye, është e domosdoshme që qeveria të publikojë një analizë të ndikimit të tyre neto mbi çmimet, konsumin, kostot e transportit, turizmin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.
Për të gjitha këto arsye, kërkojmë nga qeveria dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë:
1. Publikimin e kostove totale, pagesave të kryera dhe detyrimeve të mbetura për çdo kontratë koncesionare dhe PPP në infrastrukturë.
2. Paraqitjen e një kalendari të qartë për përfundimin e projekteve madhore rrugore, hekurudhore, portuale dhe aeroportuale.
3. Publikimin e treguesve të realizimit fizik dhe financiar të investimeve gjatë viteve 2025–2026, si dhe të objektivave konkrete për vitin 2027.
4. Transparencë mbi investimet dhe detyrimet financiare të ndërmarrjeve publike të energjisë dhe ujësjellësve.
5. Publikimin e një analize të plotë të ndikimit neto të Paketës Fiskale mbi kostot e transportit, familjet dhe bizneset.
6. Sqarimin e ndikimit të taksave të reja të automjeteve mbi rinovimin e flotës së mjeteve, sigurinë rrugore dhe zhvillimin e transportit me emetime të ulëta.
Shqipëria nuk ka nevojë thjesht për më shumë miliarda të planifikuara në buxhet. Ajo ka nevojë për investime që përfundojnë në kohë, me kosto të kontrolluara dhe që u shërbejnë realisht qytetarëve.
Çdo lek i shpenzuar për infrastrukturën duhet të justifikohet me një rezultat konkret. Çdo koncesion duhet të jetë transparent. Dhe çdo ndryshim fiskal duhet të vlerësohet mbi bazën e ndikimit të tij real në ekonomi dhe në mirëqenien e qytetarëve.
Fondet publike duhet t'u shërbejnë qytetarëve, jo të kthehen në detyrime të pakontrolluara për brezat e ardhshëm.
Lexo edhe
POLITIKE
Berisha: “Albanian File”, dosja e 523 projekteve që dëshmon kapjen e qeverisë nga kartelet e drogës

Zhupa: Rama po e kthen trashëgiminë kulturore në skemë biznesi, rrezikohen pronat e banorëve në Berat e Gjirokastër

Bardhi letër Peleshit: Zbatoni rekomandimet e Brukselit për funksionimin e Kuvendit

Gazment Bardhi: Raporti i Komisionit Europian konfirmon krizën e parlamentarizmit në Shqipëri, mazhoranca po mohon të drejtat kushtetetue...

Komisioni i Reformës Zgjedhore, Bylykbashi kërkon ndryshime në rendin e ditës





