Lili Sula: Projektbuxheti i vitit 2027 ul financimet për arsimin
Deklarata e Drejtueses së Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula:Edhe pse rinia studentore dhe pedagogët kanë një muaj që protestojnë, dhe Edi Rama bën thirrje për dialog, me aktet e tij ai dëshmon se dialogun e ka kurth dhe mashtrim

Deklarata e Drejtueses së Departamentit të Arsimit në PD, Lili Sula:
Edhe pse rinia studentore dhe pedagogët kanë një muaj që protestojnë, dhe Edi Rama bën thirrje për dialog, me aktet e tij ai dëshmon se dialogun e ka kurth dhe mashtrim. Doni një provë? Mbështetja financiare për arsimin për vitin 2027 sipas projektbuxhetit të qeverisë është më e ulët se për 2026.
Edhe pse Ministria deklaron rritje nominale të financimit të arsimit, pesha e tij ndaj PBB-së bie edhe sipas përllogaritjeve të vetë Ministrisë.
Shteti ul mbështetjen financiare të arsimit për vitin 2027, në vlerën 3,19% të PBB-së në krahasim me rreth 3,26% të vitit 2026 – financim shumë më i ulët se vendet e Bashkimit Europian dhe ato të rajonit, si dhe nën mesataren e BE-së që është 4,8% te PBB-së.
Arsimi bazë dhe parashkollor, ku merren themelet e formimit të nxënësve, përballet me mungesë financimi, mungesë të pajisjeve teknologjike e digjitale, me pabarazi sociale dhe territoriale, pa investime serioze në cilësi – do të financohet më pak. Për 2027-ën planifikohet 1,29% e PBB-së nga 1,35% që ishte këtë vit. Se si mund të qëndrojnë fëmijët deri në orën 17:00 në shkollë, nga shtatori i vitit që vjen – kur nuk ka mensa, ambiente gatimi, apo kushte higjienike, këtë përrallë pa mbret edhe vetë ministria Kumbaro nuk e beson, por e propagandon.
Financimi i Arsimi i mesëm, në pamje të parë nuk pëson asnjë rritje, por në raport me rritjen e buxhetit të shtetit në 10 miliardë euro, ai shënon ulje.
Arsimi profesional që mbulohet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të financohet me 0,173% të PBB-së në 2027, krahasuar me 0,178% këtë vit – duke shënuar ulje të mbështetjes buxhetore. Për më tepër, 87% e fondeve shkojnë për ndërtime dhe rikonstruksione të shkollave, ndërsa vetëm 9,3% për laboratorë e pajisje. Po japim vetëm tre argumente për shpërndarjen jo efikase të fondeve:
– Numri i të diplomuarve në arsimin profesional ka rënë me 38% nga viti 2020 në 2025-ën.
– Financimi për digjitalizimin e arsimit profesional është 0 lekë për vitin 2027, edhe pse zhvillimi i aftësive digjitale dhe modernizimi teknologjik janë deklaruar si prioritete të qeverisë.
– Sipas raporteve publike të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA), lidhja mes punës dhe degës profesionale të studiuar është dobësuar edhe më shumë gjatë periudhës 2022–2024 – duke rënë nga 65.1% ne 56.1%.
Vitin e ardhshëm, qeveria parashikon të mbështetë arsimin e lartë të të rinjve në vlerën 0,48 % të PBB me një rritje të lehtë krahasuar me 2026, qe është 0,47%, por po të mbajmë parasysh qe vetë studentët mbulojnë përmes pagesës së tarifave rreth 30%, përqindja, faktikisht, shkon në 0,4% të PBB.
Edi Rama flet për ndërkombëtarizim të universiteteve, por i financon ato si kantiere të braktisura. Kërkimi shkencor për 2026 zë vetëm 0,06% të PBB-së dhe për 2027-ën parashikohet të financohet në shumën prej 0,08% të PBB-së. Për krahasim, vetëm Universiteti i Prishtinës financohet në një vlerë më të madhe se gjithë sistemi i arsimit të lartë në Shqipëri.
Financim i cunguar i arsimit dëshmon qartë fobinë e pushtetit ndaj dijes, universiteteve dhe studentëve. Në vend që të investojë në dije, qeveria investon në gjoba, dhunë dhe arrestime, duke e parë rininë si kërcënim.
Arsimi është themeli i së ardhmes, për të cilën janë ngritur studentët, prandaj, bashkimi i të gjithëve për të mbështetur të rinjtë është garanci për të ndërtuar një Shqipëri më të mirë.
Lexo edhe
POLITIKE
Demokratët bojkotojnë mbledhjen e Reformës Zgjedhore, Bylykbashi: Propozimet tona kanë marrë vetëm “Jo”

Kume: Reforma zgjedhore duhet të përfundojë brenda nëntorit, partitë të lënë mënjanë interesat politike

Bylykbashi përplaset me Gjiknurin: PS shmang rekomandimet e OSBE/ODIHR, të ndahet shteti nga procesi zgjedhor

Takimi i Gogut dhe Veliajt në burg, Drejtoresha e Burgjeve nuk jep shpjegime: Janë sekrete!

Veliaj publikon deklaratën e eurodeputetit italian: Paraburgimi i zgjatur do të ngrihet në Parlamentin Europian





