Makth për çiftin e të moshuarve/ Grabitësit i dogjën me ujë të nxehtë dhe i rrahën për tre orë, gruas i prenë thithkat

Një çift të moshuarish në Afrikën e Jugut përjetoi tmerrin në duart e tre grabitësve të armatosur, të cilët hynë me forcë në banesën e tyre dhe i torturuan për orë të tëra, në përpjekje për t'i detyruar të dorëzonin çelësat e kasafortës. Sulmi, i cili zgjati të paktën tre orë, përfshiu dhunë brutale fizike, djegie me ujë të valuar dhe kërcënime për dhunë seksuale. Grabitësit përdorën gjithashtu një prerëse metali për t'i prerë thithkat e gjoksit gruas së moshuar.
Siç raporton media Rekord, viktimat janë Les Brett, 67 vjeç, dhe bashkëshortja e tij 68-vjeçare, Natasha. Ata u sulmuan rreth orës 19:30 të së dielës, më 1 nëntor, në banesën e tyre në Broederstroom, në provincën North West të Afrikës së Jugut, rreth 60 kilometra në veri të Johanesburgut.
Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh në komunitetin lokal, pasi i shtohet një serie sulmesh veçanërisht të dhunshme ndaj pronarëve të fermave në Afrikën e Jugut, brenda një periudhe më pak se njëjavore.
Tre orë tmerri në duart e grabitësve të armatosur
Sipas informacioneve të bëra publike, tre autorët, të cilët kishin mbuluar fytyrat, hynë me forcë në banesën e çiftit dhe kërkuan të merrnin çelësat e kasafortës.
Kur Les Brett refuzoi t'ua dorëzonte çelësat, grabitësit nisën ta dhunonin brutalisht atë dhe bashkëshorten e tij. Ata i zhveshën të dy, i goditën vazhdimisht dhe u shkaktuan djegie duke u hedhur ujë të valuar mbi trup.
Gjatë sulmit, autorët dyshohet se përdorën një prerëse metali për të dëmtuar rëndë thithkat e gjoksit të Natasha Brett, ndërsa e kërcënuan vazhdimisht me përdhunim.
Ndërkohë, ata e detyruan bashkëshortin e saj të fuste në gojë tytën e një arme automatike të tipit AK-47, duke i shkaktuar dëmtime që, sipas informacioneve paraprake, mund të kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.
Torturat vazhduan deri në momentin kur 67-vjeçari iu dorëzua kërkesave të autorëve dhe u dha çelësat e kasafortës, duke i dhënë fund makthit që kishte zgjatur për orë të tëra.
Tre grabitësit u larguan nga banesa duke marrë me vete shtatë armë zjarri të kalibrave të ndryshëm, municione, dy telefona celularë, një kompjuter portativ, para në dorë dhe sende të tjera personale.
Ndërhyrja e sigurisë private dhe akuzat ndaj policisë
Pas largimit të autorëve, çifti arriti të njoftonte shërbimet përkatëse.
Sipas gazetës lokale Rekord, njësia e ndërhyrjes së shpejtë SRU High Risk Security mori një telefonatë rreth orës 22:30 dhe mbërriti në banesë brenda katër minutash, së bashku me ekipet e shpëtimit.
Arthur Crewe, zëdhënës i SRU-së, deklaroi se të dy viktimat kishin djegie nga uji i valuar, dëmtime të shkaktuara nga dhuna fizike dhe plagë thike.
Miku i çiftit, Warren Geddes, shprehu zemërimin e tij përmes një postimi në Facebook, duke e cilësuar sulmin ndaj të moshuarve si “jashtëzakonisht të tmerrshëm”.
Ai kritikoi gjithashtu mënyrën se si autoritetet policore po e trajtojnë çështjen, duke pretenduar se, pavarësisht kohëzgjatjes dhe brutalitetit të torturave, ngjarja po hetohet vetëm si një grabitje banese.
Geddes pretendoi se banorët e zonës i njohin tre autorët nga sulme të mëparshme, ndërsa akuzoi policinë se nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Deri në publikimin e këtyre informacioneve, nuk ishte kryer asnjë arrestim për sulmin ndaj çiftit Brett.
SRU paralajmëroi gjithashtu se armët e vjedhura nga banesa mund të përdoren për kryerjen e veprave të tjera kriminale.
Për këtë arsye, banorëve iu bë thirrje të qëndrojnë brenda banesave nëse vërejnë lëvizje të dyshimta apo dëgjojnë zhurma të pazakonta, si dhe të mbajnë të mbyllura dyert dhe dritaret, për të lehtësuar punën e forcave të sigurisë.
Kush është Les Brett?
Les Brett nuk është një pronar i zakonshëm ferme. Ai është ish-pjesëtar i forcave speciale dhe i policisë, me përvojë shumëvjeçare në trajnimin e personelit të sigurisë.
Gjatë karrierës së tij profesionale, ai ka trajnuar pjesëtarë të forcave të armatosura britanike, oficerë të autoriteteve doganore britanike dhe anëtarë të forcave speciale amerikane.
Trajnimet që ai ofronte përqendroheshin në teknikat e mbijetesës në natyrë, gjurmimin dhe identifikimin e shenjave, si dhe përballimin e kushteve të vështira në terren.
Më shumë se 20 vjet më parë, ai themeloi shkollën Dung Beetle Bush School, me synimin për të luftuar gjuetinë e paligjshme dhe për të mbrojtur jetën e egër.
Çfarë thotë zyrtarisht policia?
Në një deklaratë zyrtare, policia e Hartbeespoortdam konfirmoi se po heton një grabitje banese në Broederstroom, por paraqiti disa ndryshime në raport me informacionet e publikuara më herët.
Konkretisht, autoritetet bënë të ditur se viktimat janë përkatësisht 66 dhe 58 vjeç, ndërsa raportimet fillestare flisnin për një çift 67 dhe 68 vjeç.
Sipas deklaratës së policisë, tre burra të panjohur, me fytyrat e mbuluara, hynë në banesë të dielën, më 1 nëntor 2026, përmes një dere rrëshqitëse prej druri, e cila ishte e pambyllur me çelës.
Autorët dyshohet se kërkuan para, duke pretenduar se e dinin që njëri prej personave që jetonte në banesë kishte një kioskë në një kompleks turistik aty pranë.
Më pas, ata arritën të hynin në kasafortë, nga ku vodhën shtatë armë zjarri të kalibrave të ndryshëm dhe municione. Sipas policisë, të gjitha armët ishin të regjistruara ligjërisht në emër të burrit.
Autoritetet konfirmuan gjithashtu se grabitësit morën dy telefona celularë, një kompjuter portativ, para në dorë dhe sende personale, përpara se të largoheshin nga vendngjarja.
Megjithatë, ndryshe nga raportimet për plagosje të rënda, policia i përshkroi dëmtimet e burrit si të lehta.
Sipas saj, viktima kërkoi ndihmë mjekësore pasi ishte kërcënuar dhe autorët dyshohet se i kishin hedhur ujë të nxehtë në përpjekje për t'i marrë informacione.
I prenë të dy veshët gjatë një sulmi në fermë
Sulmi ndaj çiftit Brett ndodhi vetëm pak ditë pas një tjetër ngjarjeje jashtëzakonisht të dhunshme, ku viktimë mbeti 50-vjeçari Donovan Marx, në Skeerfontein, pranë Ventersdorpit, në të njëjtën provincë, rreth 57 kilometra larg Broederstroomit.
Të mërkurën e kaluar, tre persona të armatosur dhe të maskuar iu afruan një punëtori të fermës, ndërsa ai po priste barin.
Pasi e pyetën se ku ndodhej pronari i fermës, ata i lidhën duart dhe këmbët me lidhëse plastike.
Kur Marx mbërriti në fermë me automjetin e tij të kuq tip Isuzu, dy prej personave të armatosur iu afruan dhe, sipas denoncimeve, e qëlluan në pjesën e sipërme të trupit.
Më pas, e tërhoqën zvarrë brenda banesës, e lidhën dhe e dhunuan vazhdimisht, duke e goditur edhe me thikë.
Sulmi mori përmasa edhe më makabre kur autorët i prenë të dy veshët.
Pasi kontrolluan banesën, ata vodhën tre armë zjarri nga një kasafortë dhe u larguan duke përdorur makinën e viktimës.
Punëtori i fermës arriti përfundimisht të çlirohej nga lidhjet dhe të njoftonte autoritetet.
50-vjeçari u transportua në gjendje të rëndë në spitalin Mediclinic Potchefstroom, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente kirurgjikale.
Familja e tij konfirmoi më vonë se mjekët u detyruan t'i hiqnin një pjesë të zorrës së trashë, ndërsa nuk ishte e mundur të rindërtonin veshët e prerë.
Në lidhje me këtë ngjarje, policia arrestoi dy të dyshuar në zonën e Ventersdorpit të shtunën dhe tre të tjerë në Promosa, pranë Potchefstroomit, të dielën, më 1 nëntor.
Sulmi i tretë brenda pak ditësh
Një tjetër ngjarje u regjistrua në orët e para të mëngjesit të së martës së kaluar, në zonën Wasfontein të Hammanskraalit.
Tre burra hynë me forcë në një banesë, qëlluan një herë me armë dhe goditën pronarin në ballë, duke e detyruar të hapte kasafortën.
Sipas zëdhënësit të policisë, kapitenit Johan van Dyk, autorët u larguan me para në dorë dhe sende të ndryshme nga banesa.
Tri sulmet, të regjistruara brenda një periudhe më pak se njëjavore, kanë shtuar shqetësimin për sigurinë e banorëve në zonat rurale të Afrikës së Jugut.
Vjedhja e armëve të zjarrit në dy prej këtyre rasteve përbën një tjetër arsye për shqetësim, pasi shërbimet lokale të sigurisë paralajmërojnë se armatimi që tashmë ndodhet në duart e grupeve kriminale mund të përdoret në sulme të tjera në të ardhmen.
Ndërkohë, hetimet policore për grabitjen dhe torturat ndaj çiftit Brett vijojnë, ndërsa autoritetet janë në kërkim të tre autorëve. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Dhuna ndaj studentëve gjatë protestave në Serbi, arrestohet komandanti i forcave speciale antiterroriste dhe katër efektivë

Humbja katastrofike në zgjedhje/ Kë do të bëjë “kurban” Donald Trump? Emri që përflitet më së shumti

Një në katër adoleshentë nuk lëviz fare, OBSH: 15 vite pa progres në nivel global

Melania Trump merr nderimin e lartë nga Zelensky, ja për çfarë e vlerësoi presidenti ukrainas

Sfidoi Trumpin, republikanët dhe vetë demokratët, si myslimani Abdul El-Sayed mori fitoren e madhe në Miçigan





