“Marrëdhëniet tona janë të forta si mali”/ Putin dhe Xi Jinping takohen në Shenzhen, çfarë u diskutua

Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij kinez Xi Jinping janë takuar në Shenzhen të Kinës, në kuadër të punimeve të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në një takim që vjen përpara bisedimeve të pritshme trepalëshe me presidentin amerikan Donald Trump.
Gjatë takimit, Putin deklaroi se Moska dhe Pekini po ndjekin një qasje konstruktive për krijimin e një rendi botëror shumëpolar dhe më të drejtë. Kreu i Kremlinit vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se bashkëpunimi ekonomik pritet të forcohet më tej dhe se shkëmbimet tregtare do të shënojnë rritje të konsiderueshme.
Nga ana e tij, Xi Jinping e cilësoi partneritetin mes Kinës dhe Rusisë si “të fortë si mali”, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh për stabilitetin ndërkombëtar.
Presidenti kinez theksoi se marrëdhëniet mes Pekinit dhe Moskës kanë perspektiva të gjera zhvillimi dhe nuk ndikohen nga luhatjet afatshkurtra të situatës ndërkombëtare. Sipas tij, bashkëpunimi mes dy vendeve përfaqëson një faktor vazhdimësie në një klimë globale të karakterizuar nga pasiguria.
Ndërkohë, Putin u shpreh optimist edhe për takimin e ardhshëm trepalësh me Xi Jinping dhe presidentin amerikan Donald Trump, i parashikuar të zhvillohet të enjten, më 19 nëntor.
Kreu i Kremlinit deklaroi se pret “përfitime të mëdha potenciale” nga ky takim, i cili pritet të tërheqë vëmendjen ndërkombëtare për shkak të ndikimit që mund të ketë në marrëdhëniet mes tri fuqive dhe në zhvillimet e rendit global.
Takimi mes Putin dhe Xi zhvillohet në një moment kur Evropa dhe vendet aziatike kanë shprehur shqetësime për mundësinë e marrëveshjeve mes fuqive të mëdha pa përfshirjen e drejtpërdrejtë të vendeve që mund të preken prej tyre.
Lexo edhe
BOTA
Sulm kibernetik ndaj sistemeve të furnizuesit më të madh të gazit natyror në Evropë

48-vjeçari shkatërron avionin ushtarak amerikan, 60 milionë dollarë dëme

Tragjedi e rëndë familjare: Nënë e bijë, ndërrojnë jetë 8 ditë njëra pas tjetrës

SHBA humb statusin e eliminimit të fruthit pas 26 vitesh, mbi 7,700 të infektuar dhe 13 viktima

FBI ngre alarmin: Hakerët po përdorin AI për të depërtuar në sistemet e kompanive në mbarë botën





