Mbushën Gjermaninë me kanabis/ Zbulohen pesë plantacione vetëm në një zonë, goditet banda shqiptare

Hetuesit e doganave në Gjermani kanë zbuluar pesë plantacione kanabisi me më shumë se 2.300 bimë. Tetë persona të dyshuar janë arrestuar. Gjatë kontrolleve të ushtruara në njëmbëdhjetë banesa dhe ambiente biznesi në landin e Saarland-it dhe në zonën malore të Nordpfalz-it, forcat e angazhuara sekuestruan, ndër të tjera, rreth 33 kilogramë amfetaminë, 11,5 kilogramë marihuanë dhe afro një kilogram hashash.
Siç njoftuan Prokuroria e Saarbrücken-it dhe Zyra e Hetimit Doganor në Frankfurt am Main, u gjetën gjithashtu një presë për prodhimin e tabletave, MDMA, tableta ekstazi, disa armë dhe rreth 22.000 euro para të gatshme. Hetuesit po shqyrtojnë dyshimet se një grup personash ka përdorur ndërtesa të pabanuara për kultivimin e kanabisit dhe më pas ka shitur marihuanën në rajonin ndërkufitar dhe në Francë. Sipas njoftimit, ndaj njërit prej të dyshuarve ekziston gjithashtu dyshimi për trafikim të lëndëve narkotike i armatosur.
Hetimet nisën pas një kontrolli doganor në muajin maj, pranë Pirmasens. Gjatë këtij kontrolli u arrestua një person që dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale, pasi oficerët gjetën rreth 20 kilogramë marihuanë në bagazhin e automjetit të tij.
Edhe autoritetet franceze po zhvillojnë hetime ndaj këtij grupi, i cili përbëhet kryesisht nga shtetas shqiptarë. Në të njëjtën kohë, në rajonin Grand Est të Francës u kryen kontrolle, gjatë të cilave u arrestuan 13 persona.
Tetë personat e arrestuar në Gjermani u paraqitën përpara një gjyqtari hetues në Gjykatën e Shkallës së Parë në Saarbrücken. Ndaj gjashtë shtetasve shqiptarë, një shtetasi gjerman dhe një shtetasi italian u lëshuan urdhër-arreste. Njëri prej tyre u la i lirë me masa dhe kushte kufizuese, ndërsa shtatë të dyshuarit e tjerë u dërguan në paraburgim.
Lexo edhe
BOTA
Kush është “Kobra”? Snajperisti që lufton për Rusinë, gjurmët e tij çojnë te një person i kërkuar në Bosnje

Hajdutin e zë gjumi në shtëpinë që do grabiste, policia i vë prangat

Lista e Përbashkët propozon Gadi Eisenkot për formimin e qeverisë izraelite, “bllok” Netanyahut

Giorgia Meloni letër Këshillit të Europës: BE duhet të flasë me një zë të vetëm për Ukrainën

Shumica e deputetëve izraelitë mbështesin Eisenkot për të formuar qeverinë e re, Netanyahu rrezikon të humbasë pushtetin
Skandali i Ueno Bank rrëzon presidentin e Paraguait, Santiago Peña jep dorëheqjen pas falimentimit të bankës dixhitale

Republikanët ranë në kurthin e tyre

Partneri i drejton armën/ Babai dëgjon për 14 minuta vajzën duke iu lutur. Pasi tërhoqi këmbëzën: Mbaroi!





