Pas arrestimit nga FBI, babai i Meghan Markle sërish në telashe, përballet me akuza të tjera edhe në Filipine

Babai i dukeshës së Sussex-it, Meghan Markle, Thomas Markle, është përballur me akuza të reja në Filipine për posedim të materialeve pornografike me të mitur. Autoritetet filipinase kanë paraqitur tre akuza ndaj 82-vjeçarit dhe mund të kërkojnë ekstradimin e tij nga Shtetet e Bashkuara.
Lajmi është raportuar nga mediat britanike. Sipas tyre, policia filipinase i ka dorëzuar prokurorisë në Cebu, qyteti ku Thomas Markle ka jetuar për më shumë se një vit përpara se të zhvendosej në Florida, tre akuza penale.
Dy prej akuzave lidhen me dyshimet për synimin e shpërndarjes së imazheve që paraqesin abuzim seksual ndaj fëmijëve, ndërsa akuza e tretë ka të bëjë me posedimin e materialeve pornografike me të mitur.
Prokurori Graeme Elmido ka deklaruar se, nëse sigurohen prova të mjaftueshme për zhvillimin e një procesi gjyqësor, autoritetet mund të kërkojnë kthimin e tij në Filipine. Ndërkohë, në ditët në vijim pritet të shqyrtohen edhe akuza të tjera të mundshme ndaj 82-vjeçarit.
Thomas Markle ishte arrestuar më 6 nëntor nga FBI-ja në Florida dhe ishte akuzuar zyrtarisht për të njëjtën vepër penale. Sipas raportimeve, gjatë hetimeve autoritetet sekuestruan rreth 78 sende në ambiente magazinimi që ai kishte marrë me qira në Los Angeles. Mes materialeve të gjetura dyshohet se kishte edhe fotografi me përmbajtje seksuale që paraqisnin vajza të mitura.
Pas arrestimit, ai ishte liruar kundrejt garancisë pasurore dhe ishte vendosur në arrest shtëpie. Megjithatë, situata u rëndua pasi dyshohet se preu byzylykun elektronik të monitorimit, duke bërë që të rikthehej në qeli.
Aktualisht, ai pret një vlerësim psikiatrik për të përcaktuar nëse është në gjendje të përballet me procesin gjyqësor. Nëse shpallet fajtor nga një gjykatë amerikane, Thomas Markle rrezikon deri në 20 vite burg.
Thomas Markle prej vitesh nuk ka marrëdhënie me vajzën e tij, Meghan Markle. Raportet mes tyre u përkeqësuan përpara martesës së Meghan me Princin Harry në vitin 2018, ndërsa që prej asaj kohe komunikimi mes tyre ka qenë i ndërprerë. Çështja penale ndaj tij pritet të ndiqet paralelisht nga autoritetet amerikane dhe ato filipinase.
Lexo edhe
SHOWBIZ
Plot 12 vite nga ndarja e Dr. Florit nga jeta, Miri dhe Landi prekin me dedikimet për mikun e tyre

Surpriza më e bukur që emocionoi Bardhin, Sara Gjordeni publikon momentin kur i tregon se do bëhet baba

“Ti je pervers”/ Tension dhe përplasje midis dy reperëve në Big Brother

“Macja u gjet në Dubai”, Rogerti “thumbon” Selinën dhe Shëndritin, ish-banori i kthehet ashpër: Na hape barkun

Babai i Gigi dhe Bella Hadid drejt altarit për herë të tretë! 79-vjeçari fejohet me modelen 36 vite më të re





