Rama dështoi politikisht/ Nesho: Samiti i NATO-s dhe integrimi në BE, propagandë për të mbajtur nën presion shqiptarët

Aalisti Agim Nesho deklaroi se kryeministri Edi Rama ka dështuar politikisht në iniciativat e tij për të rritur rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, duke u ndalur te çështja e samitit të NATO-s dhe procesi i integrimit europian.
Nesho tha se prej kohësh mediat dhe analistët në SHBA kanë ngritur pikëpyetje mbi mundësinë e zhvillimit të samitit të NATO-s në Shqipëri, duke evidentuar edhe problematikat e sigurisë.
Pjesë nga intervista:
Çështja e samitit të NATO-s vitin e ardhshëm në Shqipëri kishte kohë që qarkullonte në shtypin kryesor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku gazetat kryesore, analistët e të tjerë thoshin se nuk do të kishte një samit të NATO-s. Një nga arsyet pse nuk do të bëhej ky samit ishte çështja e sigurisë, elementet politikë që e shoqërojnë Shqipërinë si një vend të pasigurt në këtë kuptim, duke e rrëzuar atë që zoti Rama për një kohë të gjatë kishte propaganduar, sikur do të ishte një rikthim i rolit aktiv jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të tij si një lider i të gjithë grupimit të vendeve të Evropës Juglindore, jo vetëm për arkitekturën e sigurisë evropiane, por edhe më gjerë.
Pra, të gjitha këto ngjarje, të cilat zoti Rama i kishte projektuar më tepër për të pasur mundësi për të ushtruar presion ndaj opinionit publik shqiptar, i cili nga dita në ditë vuan keqqeverisjen, abuzimet, mënyrën e sjelljes së tij si një diktator i ri ndaj popullit të tij, synojnë të tregojnë se ai është i pranueshëm, një njeri me vlera, jo vetëm në vendin e tij, por edhe në komunitetin ndërkombëtar.
Pra, çështja e NATO-s u përpoq të mbahej me forcë nga Rama për të fituar kohë, sepse, po ta shikosh deklaratën që u bë pas samitit të NATO-s në Turqi, nuk flitej hapur se do të kishte një samit vitin tjetër dhe se ai do të mbahej në Shqipëri. Pra, edhe në këtë rast, justifikimet e Ramës se, edhe nëse nuk do të bëhet në vitin 2027, do të bëhet në vitin 2028, se radha është e jona, janë njësoj si justifikimet e tij se ne po bëjmë punët e shtëpisë sonë, ne po bëjmë integrimin e Shqipërisë në Evropë, por nëse Evropa nuk do, ne nuk do të pranohemi.
Pra, është e njëjta retorikë justifikuese, duke treguar, në fund të fundit, se të gjitha projektet e tij madhore, për të cilat ai pretendon se ka marrë votën e shqiptarëve, duket se nuk do të realizohen.
Dhe këtu, nëse më lejon, dua të them se edhe në vizitën e tij në Paris, me adresimin që u bëri pjesëmarrësve në një konferencë në lidhje me integrimin dhe mundësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, tregoi se ky integrim do të jetë i pamundur jo për shkak të Shqipërisë, por për shkak të Francës, ndryshimeve të mundshme që mund të bëhen atje, sistemit të pranimit që mund të vendoset me referendum, duke lënë të nënkuptohet se edhe regjimi mund të ndryshonte në Francë në favor të së djathtës.
Pra, Rama ka dështuar në të gjitha iniciativat e tij dhe në atë që i ka kërkuar votë popullit, pa folur për problematikat e tjera që e shoqërojnë, si mënyra autoritare, prepotenca dhe mënyra e papranueshme e sjelljes ndaj lirisë së tyre për të shprehur jo vetëm mendimin, por edhe fakti se tashmë qytetarëve nuk u lejohet e drejta kushtetuese për të protestuar, duke e kthyer vendin tonë drejt një diktature të re.
Në përfundim, mendoj se Rama, me gjithë këto përpjekje që ka bërë dhe me dështimin e iniciativave të tilla, si për të ngritur rolin e Shqipërisë në vendimmarrje dhe në bashkëpunimin që duhet të ketë në kuadër të Traktatit të Atlantikut të Veriut, ashtu edhe në procesin e integrimit evropian, sigurisht që ka dështuar politikisht.
Lexo edhe
POLITIKE
Rama në Dublin/ Këlliçi: I vetmi kryeministër i pyetur për protesta dhe afera

"Negociatat i bëra unë, Meta s’kishte dijeni"/ Lobimi i LSI-së në SHBA, Kryemadhi: Faturat që paraqet SPAK nuk përputhen

Meta depoziton mbi 100 faqe në GJKKO, kërkon prova nga SHBA dhe kundërshton interpretimin e materialeve nga SPAK

PD hap zyrtarisht procesin për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore të 9 majit 2027, afati për propozimet deri më 30 nëntor...

Kryemadhi kundërshton SPAK-un për lobimin në SHBA: Kontratën nuk e ka firmosur Meta!





