Roma e tretë!/ Pse Putini po përpiqet ta paraqesë Rusinë si streha e fundit të Krishterimit

Putini kërkon ta shndërrojë Ortodoksinë në një instrument të ndikimit ideologjik në Perëndim, duke promovuar imazhin e Rusisë si mbrojtëse të qytetërimit të krishterë dhe duke kërkuar aleatë mes besimtarëve ortodoksë në Shtetet e Bashkuara. Kjo është në fokus të një artikulli analitik të publikuar në “Orthodox Observer”, organi zyrtar informativ i Kryepeshkopatës së Amerikës.
Artikulli, me titull domethënës “Një arkë pa Krishtin”, është shkruar nga Sergei Chapnin, ish-zyrtar i Patriarkanës së Moskës dhe aktualisht drejtor i komunikimit në Qendrën për Studime të Krishtera Ortodokse në Universitetin Fordham, në Nju Jork.
Shkak për këtë analizë është bërë intervista e presidentit rus Vladimir Putin me regjisorin serb Emir Kusturica, në kuadër të një dokumentari kushtuar 80-vjetorit të lindjes së Patriarkut të Moskës, Kirill.
Në këtë intervistë, Putin paraqet idenë se kultura ruse mund të shërbejë si një “arkë” për të gjithë ata që besojnë në Krishtin.
Pas kësaj deklarate, Chapnin sheh një synim më të gjerë politik të Kremlinit: paraqitjen e Rusisë si strehën e fundit të vlerave të krishtera, me qëllim zgjerimin e ndikimit ideologjik përtej kufijve të saj.
Në fokus ortodoksët e Amerikës
Sipas autorit të artikullit, interes të veçantë paraqet përpjekja për ta paraqitur Ortodoksinë si një rrymë fetare në zgjerim të vazhdueshëm në Perëndim, e cila mund të shndërrohet në një terren për shtrirjen e ndikimit rus.
Gjatë intervistës, Kusturica pretendoi se 1.5 milionë njerëz në Amerikën e Veriut janë konvertuar në Ortodoksi gjatë pesë viteve të fundit. Presidenti rus u pajtua me këtë pretendim.
Megjithatë, Chapnin vë në dyshim besueshmërinë e këtij numri, duke iu referuar regjistrimit të famullive ortodokse në Shtetet e Bashkuara në vitin 2020. Sipas këtyre të dhënave, numri i besimtarëve ortodoksë ishte rreth 676 mijë, duke shënuar madje një rënie prej 17% krahasuar me një dekadë më parë.
Nga këta, rreth 376 mijë i përkisnin Kryepeshkopatës së Amerikës, e cila është nën juridiksionin e Patriarkanës Ekumenike.
Sipas Chapnin, publikimi i shifrave kaq të larta i shërben një narrative të caktuar politike: krijon te opinioni publik rus përshtypjen se një pjesë gjithnjë e më e madhe e shoqërisë perëndimore po kthehet drejt vlerave që Moska pretendon se përfaqëson.
Në këtë kontekst, ortodoksët e Amerikës paraqiten si aleatë të mundshëm ideologjikë të Rusisë.
“Roma e Tretë” dhe përplasja me Patriarkanën Ekumenike
Një rëndësi të veçantë autori i artikullit i kushton rikthimit nga Putini të teorisë së “Romës së Tretë”, sipas së cilës Moska konsiderohet pasardhësja shpirtërore dhe historike e Romës dhe Kostandinopojës.
Sipas Chapnin, përmendja e kësaj teorie nuk ka vetëm karakter historik apo fetar, por lidhet edhe me pretendimin e Moskës për të marrë një rol udhëheqës në botën ortodokse. “Në rrëfimin e Putinit, Kostandinopoja përmendet vetëm në kohën e shkuar”, vëren ai.
Ky konstatim merr një rëndësi të veçantë në kontekstin e përplasjes mes Patriarkanës së Moskës dhe Patriarkanës Ekumenike, e cila u ashpërsua pas njohjes së autoqefalisë së Kishës Ortodokse të Ukrainës në vitin 2019.
Sipas interpretimit të Chapninit, paraqitja e Moskës si mbrojtëse e Ortodoksisë lidhet me një këndvështrim që minimizon rolin e sotëm të Kostandinopojës, ndërsa përpiqet t'u japë një bazë fetare dhe historike synimeve politike të Rusisë.
Chapnin vë në dyshim gjithashtu deklaratën e presidentit rus se në vendin e tij ekziston ndarja mes Kishës dhe shtetit. Si shembull domethënës, ai përmend vendimin e Patriarkut Kirill, më 19 nëntor, për t'i dhënë një dekoratë kishtare Aleksandër Bortnikovit, drejtorit të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).
Ai ndalet gjithashtu te përgjigjja që dha Putini kur Kusturica i kërkoi t'u drejtohej ukrainasve. Presidenti rus u bëri thirrje ushtarëve ukrainas që të kalojnë “në anën e duhur të historisë”, pa bërë asnjë përmendje të paqes, vëren autori i artikullit.
Një intervistë për besimin, pa përmendur emrin e Krishtit
Argumenti kryesor i Chapninit është se Vladimir Putin po përpiqet të krijojë një formë feje shtetërore, në të cilën besimi i nënshtrohet interesave të shtetit dhe vendin e Zotit e zë atdheu.
Si treguesin më domethënës të këtij këndvështrimi, ai përmend faktin se, në një intervistë të gjatë kushtuar besimit, Kishës dhe qytetërimit të krishterë, presidenti rus nuk e shqipton asnjëherë emrin e Krishtit.
Duke iu rikthyer metaforës së Rusisë si “arka” e botës së krishterë, Chapnin e përmbyll analizën me një vërejtje të mprehtë për marrëdhënien mes fesë, politikës dhe synimeve ushtarake të Kremlinit:
“Pra, është një anije luftarake. Ajo mund të transportojë shumë pasagjerë. Por mes tyre nuk ndodhet Krishti”. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Media britanike: Zelensky ka kërkuar shkatërrimin e plotë të urës që lidh Rusinë me Krimenë

Stuhi të fuqishme godasin SHBA-në, mbi 160 mijë familje mbeten pa energji elektrike

Netanyahu pranon të shërbejë nën Eisenkotin si kryeministër alternativ

Të joshur nga premtimi për punë në Europë, përfundojnë në frontin e luftës në Ukrainë/Si rekrutohen të rinjtë për ushtrinë ruse…...

Tërmeti i fortë trondit Los Angelos





