“Shkoni te ‘Skënderbej’”, Gonxhja u tregon vendin protestuesve, Zhupa: Protesta nuk është festë e PS-së!

Protestat e ditëve të fundit dhe bllokimi i rrugëve në Tiranë kanë shkaktuar përplasje mes ministrit të Kulturës, Blendi Gonxhes dhe deputetes demokrate Ina Zhupa, gjatë diskutimeve në Komisionin për Kulturën.
Debati nisi pasi Gonxhja kundërshtoi bllokimin e akseve kryesore të kryeqytetit nga protestuesit, duke sugjeruar që tubimet të zhvendosen në sheshin “Skënderbej”. Sipas tij, ky ambient ofron hapësirën e nevojshme për organizimin e protestave, pa penguar lëvizjen e qytetarëve dhe aktivitetin e përditshëm të Tiranës.
Propozimi i ministrit hasi në kundërshtimin e Zhupës, e cila theksoi se një protestë nuk mund të organizohet sipas një skenari të përcaktuar nga qeveria. Sipas saj, tubimet janë shprehje e revoltës qytetare dhe vendi ku zhvillohen lidhet me vetë mesazhin që protestuesit duan të përcjellin.
“Protesta nuk është festë me ftesa që të organizosh ti ditën dhe vendin. Ashtu bëj festat e PS-së. Kjo është revoltë qytetare. Jo po të shkojnë në Vorë te stadiumi i Kanye Westit”, deklaroi Zhupa.
Nga ana tjetër, Gonxhja argumentoi se një numër i kufizuar protestuesish nuk mund të bllokojë qarkullimin në akset kryesore dhe të cenojë përditshmërinë e mijëra qytetarëve.
“Nuk mund të merret peng përditshmëria e gjithë qytetarëve të tjerë se 10-50 veta duan të bllokojnë akset kryesore të qytetit. Në rast se numrat e protestuesve janë aq pak, mund të tubohen në një shesh që s’bllokon as trafikun e as jetën e qytetit. Bulevardi nuk është pedonale”, u shpreh ministri.
Zhupa kundërshtoi sërish, duke nënvizuar se bulevardi është hapësirë publike dhe se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë pranë institucioneve shtetërore.
“Bulevardi është i qytetarëve shqiptarë dhe i takon protestës. Nuk ka nevojë të marrë leje. Në çdo vend të botës protestohet ku janë godinat e pushtetit”, tha deputetja.
Përplasja mes tyre u zhvendos më pas te protestat e viteve ’90. Gonxhja solli në vëmendje periudhën kur, sipas tij, qytetarët luftonin për të drejtat më elementare dhe kur vota nuk ekzistonte si një instrument real për ndryshimin e pushtetit.
“Unë kam protestuar kur mungonin të drejtat themelore”, deklaroi ai.
Por Zhupa e sfidoi me një pyetje, duke e rikthyer diskutimin te liria për të zgjedhur vendin e protestës edhe në atë periudhë.
“Të kanë thënë atëherë shko protesto këtu a atje apo ke protestuar ku të ka dashur qejfi? Ke rrëzuar bustin”, iu përgjigj ajo.
Lexo edhe
POLITIKE
"Mbledhje si në diktaturë dhe shantazh me pagën"/ PD: Në Gjirokastër kërcënohen pedagogët që mbështesin protestën

"Ne jemi rebelë, trima dhe nuk do të frikësohemi”/ The Times: Protestat për rrëzimin e Ramës, studentët nuk tremben nga gjobat

Mes protestave anti-qeveritare dhe përplasjes Rama-Veliaj, PS mbledh Asamblenë Kombëtare

Berisha: Balluku, “mur i pakalueshëm” në rrugën drejt BE-së

Berisha: Raporti i KE damkos Ramën, Shqipëria është diktaturë autoritare





