EMRI/ Si arriti shqiptari t’i shmanget dëbimit nga Britania pas dënimit për fermën e drogës prej 1.5 mln paund

Një emigrant i paligjshëm shqiptar i burgosur për rolin e tij në një komplot droge me vlerë 1.5 milion paund ka fituar të drejtën për të luftuar deportimin pasi një gjyqtar vendosi se veprat penale të kryera prej tij nuk ishin aq të rënda sa të klasifikohej si “kriminel i huaj”.
Ndue Paluca, i cili kishte hyrë në Mbretërinë e Bashkuar “pa leje qëndrimi”, ka fituar të drejtën që çështja e tij të rishqyrtohet, pasi gjykata vlerësoi se ai mund të mos ketë shkaktuar “dëm serioz”.
Ky është pragu ligjor që duhet plotësuar për klasifikimin e një personi si “kriminel i huaj”, në rastet kur ai është dënuar me më pak se një vit burg.
Paluca u dënua me 10 muaj burg në tetor të vitit 2021, për rolin e tij në një komplot për shpërndarjen e kanabisit.
Atij i është dhënë mundësia të kundërshtojë dëbimin, pasi gjykatësi arriti në përfundimin se “operacioni nuk kishte përparuar mjaftueshëm” që kultivimi i drogës të konsiderohej si shkaktues i dëmit serioz ndaj dikujt. Gjithashtu, gjykata vlerësoi se roli i tij si kultivues i bimëve të kanabisit kishte qenë dytësor.
Paluca mbërriti në Britaninë e Madhe në vitin 2012. Në vitin 2015, ai paraqiti një kërkesë për azil, duke argumentuar se kishte krijuar një lidhje dhe kishte dy vajza të vogla. Megjithatë, ai e tërhoqi kërkesën, pasi ajo ishte paraqitur mbi baza “mashtruese”, në një kohë kur ndaj tij ishte lëshuar një urdhër dëbimi.
Pavarësisht kësaj, ai qëndroi në Britani dhe u përfshi si “kopshtar” në kultivimin e kanabisit për një grup të organizuar kriminal.
Banda kryente edhe “mashtrime për të siguruar automjete, për të hapur llogari bankare dhe për të marrë prona me qira”. Paluca ishte i përfshirë edhe në këto aktivitete, por kishte një rol më të kufizuar.
Një gjykatës vendosi se fakti që ai ishte akuzuar si pjesë e një komploti nuk do të thoshte se nuk ishte shkaktuar dëm serioz.
Gjykatësi deklaroi: “Marrja e pronave për kultivimin e drogës dhe të gjitha aktivitetet e tjera të paligjshme të kryera për të ngritur këtë skemë kriminale, në bazë të rrethanave specifike të çështjes dhe siç përshkruhet në vendimin për dënimin, kanë shkaktuar dëm. Për arsyet e mësipërme, arrij në përfundimin se [Paluca] është një kriminel i huaj”.
Megjithatë, ky vendim është rrëzuar tashmë nga Sarah Grey, gjyqtare e Gjykatës së Apelit të Shkallës së Lartë për Çështjet e Emigracionit. Ajo vuri në dukje se asnjë sasi droge nuk ishte shpërndarë te publiku.
Pasi Paluca u dënua më 29 tetor 2021, Ministria e Brendshme britanike nuk mundi ta dëbonte automatikisht, pasi dënimi ishte më pak se një vit burg. Megjithatë, autoritetet kërkuan largimin e tij nga vendi me argumentin se ai kishte shkaktuar “dëm serioz”.
Paluca e apeloi vendimin për dëbimin e tij, duke u bazuar në të drejtat e njeriut. Fillimisht, ankesa e tij u rrëzua nga një gjyqtar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Çështjet e Emigracionit dhe vendimi u la në fuqi. /PiranjatNews/
Lexo edhe
AKTUALITET
Në arrest shtëpie, 39-vjeçari shqiptar shpërndante drogë dhe mbante arsenal armësh

EMRAT/ Vranë dhe dogjën të riun në shpellë, një tjetër i arrestuar! Kush është ‘narkosi’ shqiptar që porositi ekzekutimin

KLP përcakton datën e përfundimit të mandatit të Olsian Çelës si Prokuror i Përgjithshëm, ja kur largohet nga detyra

Studentët çojnë në Gjykatën Kushtetuese aktet normative kundër protestës

Komisioni Europian kërkon forcimin e mëtejshëm të AAPSK, rritjen e ripërdorimit social të pasurive të konfiskuara





