Prokuroria nis hetimet ndaj shefit të Shërbimit Sekret serb (BIA) dhe ministrit të Drejtësisë. Këto janë akuzat

Prokuroria Publike e Serbisë për Krimin e Organizuar njoftoi sot, më 5 nëntor, se ka hapur çështje ndaj drejtorit të BIA-s, Vladimir Orliç, dhe disa pjesëtarëve të tjerë të këtij institucioni, nën dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe shkelje të së drejtës së votës.
Ndërkohë, çështja e dytë është hapur ndaj ministrit të Drejtësisë së Serbisë, Nenad Vujiç, drejtorit të Administratës për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Mile Jandriç, si dhe më shumë se 60 personave të tjerë.
Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar ka hapur dy çështje mbi bazën e kallëzimeve penale të paraqitura nga avokati Ivan Niniç, të cilat lidhen me dyshimet për kryerjen e veprave penale që cenojnë të drejtat zgjedhore, thuhet në njoftimin e këtij institucioni.
Sipas njoftimit, veprimet e Prokurorisë Publike për Krimin e Organizuar janë ndërmarrë në përputhje me udhëzimin e përgjithshëm detyrues të Prokurorisë së Lartë Publike, të datës 20 tetor 2026. Ky udhëzim përcakton mënyrën se si prokurorët publikë duhet të veprojnë gjatë procedurave paraprake hetimore dhe procedimeve penale për veprat që cenojnë të drejtat zgjedhore, si dhe për vepra të tjera që mund të lidhen me to, raporton Nova.rs.
Për çfarë akuzohet drejtori i BIA-s, Vladimir Orliç?
Kallëzimi i parë penal është paraqitur ndaj drejtorit të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Vladimir Orliç, si dhe disa punonjësve të këtij institucioni, nën dyshimet për shpërdorim të detyrës zyrtare, shkelje të së drejtës së votës dhe detyrim me forcë.
Më 4 nëntor, Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar i ka dërguar një kërkesë Ministrisë së Brendshme, përkatësisht Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar (SBPOK), që të verifikojë pretendimet e paraqitura në kallëzim, të mbledhë informacionet e nevojshme dhe të marrë në pyetje personat e kallëzuar.
Kush përfshihet në kallëzimin tjetër penal?
Kallëzimi i dytë penal është paraqitur ndaj ministrit të Drejtësisë së Serbisë, Nenad Vujiç, drejtorit të Administratës për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, Mile Jandriç, këshilltares speciale të ministrit të Drejtësisë, Milica Radonjiç, si dhe 60 personave të tjerë, të identifikuar me emër.
Mes personave të kallëzuar janë drejtues të disa institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe burgjeve të qarqeve, si dhe punonjës të këtyre institucioneve.
Kallëzimi përfshin gjithashtu zyrtarë të lartë të paidentifikuar, përfaqësues dhe aktivistë të Partisë Progresive Serbe. Ai është paraqitur nën dyshimet për organizim me qëllim kryerjen e veprave penale, shpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, dhënie dhe marrje ryshfeti në lidhje me votimin, mbledhje të paautorizuar të të dhënave personale, moskryerje me përgjegjshmëri të detyrave zyrtare, si dhe diskriminim racor dhe forma të tjera diskriminimi.
Çfarë i kërkoi prokuroria policisë?
Edhe në këtë rast, më 4 nëntor, Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar i ka dërguar një kërkesë SBPOK-ut që të ndërmarrë veprimet e nevojshme policore për të verifikuar pretendimet e paraqitura në kallëzimin penal.
Policisë i është kërkuar të mbledhë informacione nga të gjithë personat e kallëzuar, si dhe nga persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjet e përshkruara në kallëzim.
Prokuroria nuk ka bërë të ditura hollësi mbi pretendimet e përfshira në kallëzimet penale dhe as nëse personat e kallëzuar janë marrë deri më tani në pyetje. /PiranjatNews/
Lexo edhe
BOTA
Aktori i njohur shpallet fajtor për përdh*nim dhe tre sulme sek*uale ndaj grave, rrezikon disa vite burg

Protestat/ Studentët mbushin rrugët e Athinës e Selanikut

VIDEO/ Përleshje mes protestuesve dhe policisë në Paris, marshime në të gjithë vendin

"Po marr telefonata nga persona të pakënaqur me të" - A do e shkarkojë Trump, ministrin e Mbrojtjes?

Vrau dy fëm*jët e partneres, ekzekutohet me injeksion 50-vjeçari





