Editorial Emisione Investigime Aktualitet Sociale Politikë Kosova Bota Showbiz Lifestyle Sport
TË FUNDIT
EMRI/ Si arriti shqiptari t’i shmanget dëbimit nga Britania pas dënimit për fermën e drogës prej 1.5 mln pa... Prokuroria nis hetimet ndaj shefit të Shërbimit Sekret serb (BIA) dhe ministrit të Drejtësisë. Këto janë ak... Studentët çojnë në Gjykatën Kushtetuese aktet normative kundër protestës "Ne jemi rebelë, trima dhe nuk do të frikësohemi”/ The Times: Protestat për rrëzimin e Ramës, studentët nuk... VIDEO/ Përleshje mes protestuesve dhe policisë në Paris, marshime në të gjithë vendin  VIDEO/ Dalin pamjet, momenti kur klani i shqiptarit Klod Cara hedh në erë bizneset Zbardhen mesazhet/ Eksperti i çoi Agasit letrat e ekspertimit të makinës, 3 ditë para se t’ia dërgonte SPAK... Qëlloi me armë drejt dy personave në Berat, arrestohet 36-vjeçari Berisha: Balluku, “mur i pakalueshëm” në rrugën drejt BE-së "E kam shoqe të ngushtë"/ Zbardhen mesazhet e Ergys Agasit me izraelitët për Vlora Hysenin: Jemi me fat Lista e krimeve mafioze/ Si Nuredin Dumani mund të shpëtojë me më pak se 10 vite burg pas veprave penale që... “Dashuria nuk matet me gjak”/ Urimi prekës i Çiljetës për Bekon: Ndoshta nuk të kam sjellë unë në jetë, por...
AKTUALITET

Studentët çojnë në Gjykatën Kushtetuese aktet normative kundër protestës

Grupimet studentore “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, në bashkëpunim me katër organizata të shoqërisë civile, depozituan tre ankime në

P
Piranjat 5 November 2026, 17:22 · 10 min lexim
Studentët çojnë në Gjykatën Kushtetuese aktet

Grupimet studentore “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, në bashkëpunim me katër organizata të shoqërisë civile, depozituan tre ankime në Gjykatën Kushtetuese kundër paketës së akteve për tubimet të miratuara nga qeveria më 28 tetor.

Organizatat që u bënë pjesë e padisë janë Qendra Res Publica, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë dhe EcoAlbania.

Përmes këtyre padive, kërkuesit kundërshtojnë aktet normative numër 5 dhe 6 të datës 28 tetor dhe Vendimin e Këshillit të Ministrave 815/2026, duke kërkuar shqyrtimin me përparësi të tyre dhe pezullimin e zbatimit të dispozitave deri në dhënien e një vendimi përfundimtar.

Në deklaratën e tyre publike, studentët theksojnë se kjo paketë synon të godasë drejtpërdrejt të drejtën e tubimit dhe reagimin qytetar.

“Këto akte synojnë të ngushtojnë hapësirën e fundit demokratike që na ka mbetur: të drejtën për të protestuar, për të kundërshtuar padrejtësinë dhe për të ngritur zërin,” thuhet në një komunikatë për mediat që u shpërnda nga grupimet studentore.

Megjithëse qeveria pretendon se me këtë paketë “protesta paqësore mbrohet” dhe se “përgjegjësia është gjithnjë vetjake”, në praktikë paketa e quajtur “antidhunë” ndëshkon edhe qytetarët që nuk kanë ushtruar dhunë.

Paditësit thonë se vendimet janë “tre akte të ndryshme, me një mesazh të përbashkët: kush ngre zërin kundër pushtetit, duhet të ketë frikë nga pasojat”.

Sipas përmbledhjes së paraqitur nga grupimet studentore dhe organizatat nënshkruese, tre aktet e miratuara më 28 tetor krijojnë mekanizma ndëshkues dhe kufizues që bien ndesh me të drejtat kushtetuese. Kështu, Akti Normativ nr. 5 i jep policisë të drejtën të ndalojë ose të kufizojë protestat përreth institucioneve, të largojë qytetarët nga të ashtuquajturat “zona të mbrojtura”, të kërkojë fshirjen e postimeve në rrjetet sociale dhe të vendosë gjoba deri në 500 mijë lekë, vlerë e barabartë me dhjetë paga minimale.

Akti tjetër normativ i pagëzur si numri 6 i ngarkon organizatorët me përgjegjësi solidare për dëmet e shkaktuara nga persona të tjerë gjatë protestave të muajit tetor dhe vendos gjoba me fuqi prapavepruese për sjellje të kryera përpara se këto masa të ekzistonin në ligj.

Ndërsa VKM 815/2026 krijon një regjistër policor, përmes të cilit qytetarëve mund t’u refuzohet dalja nga vendi pa një vendim gjykate, ose të njoftohet shteti drejt të cilit ata udhëtojnë, ndërkohë që policia njofton për ta edhe strukturat akomoduese (hotelet).

Tre aktet u miratuan pas deklaratave publike kërcënuese të kryeministrit ndaj protestuesve, pasi protestat paqësore mbi 4 mujore të pagëzuara si “Revolucioni i Flamingove”, u përshkallëzuan në përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e disa dyqaneve. Aktet ndërkohë nuk vënë një balancë mes qytetarëve dhe policisë, edhe pasi organizatat për të drejtat e njeriut dhe shoqëria civile kanë vënë në dukje se policia përdori në mënyrë disproporcionale forcën, ndaloi protestues në mënyrë të paligjshme dhe rrezikoi jetën e qytetarëve.

Në shkresën përcjellëse drejtuar gjyqtarëve kushtetues, organizatat dhe studentët vlerësojnë se aktet e qeverisë përbëjnë “një ndërhyrje të paprecedentë në hapësirën e lirive demokratike dhe në vetë themelet e kontratës sociale mbi të cilën mbështetet rendi ynë kushtetues”.

Ata argumentojnë se aktet nuk duhen parë të shkëputura nga konteksti politik dhe institucional në të cilin janë miratuar, duke ngritur shqetësimin për rrëshqitjen e vendit drejt autoritarizmit.

“Në një kohë kur besimi te funksionimi normal i shumë institucioneve është tronditur, kufizimi i hapësirës së protestës paqësore ngre dyshime serioze se synohet jo thjesht rregullimi i ushtrimit të një të drejte, por rritja e kostos së demokracisë dhe imponimi gradual i një rendi me tipare regjimi,” thuhet në shkresën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

Ndërsa paralajmërohet se mbyllja e hapësirave demokratike të reagimit rrezikon ta zhvendosë përplasjen jashtë kornizës institucionale.

“Kur rrugët institucionale të shprehjes së pakënaqësisë ngushtohen sistematikisht, krijohen premisa që konflikti shoqëror të zhvendoset nga terreni demokratik në atë parapolitik”, thuhet në shkresën përcjellëse.

Në të njëjtën linjë, në thirrjen e tyre publike, grupimet studentore theksojnë se nuk pranojnë të kriminalizohet e drejta për të kundërshtuar qeverinë.

“Një brez i tërë të rinjsh po e nis jetën përballë një shteti që, në vend që t’u garantojë hapësirë për debat, kundërshtim e pjesëmarrje demokratike, u përgjigjet me dhunë e frikë. Nuk duam të rritemi duke mësuar se të kundërshtosh pushtetin është faj dhe se pjesëmarrja në protestë është arsye për t’u trajtuar si armik,” thuhet në derklaratë.

Paditë

Në padinë e parë prej 135 faqesh kundër Aktit Normativ nr. 5/2026, kërkuesit argumentojnë se qeveria ka anashkaluar në mënyrë antikushtetuese Kuvendin, i cili ishte në funksionim të plotë dhe zhvilloi seanca plenare më 22 dhe 29 tetor, për të rishkruar në mënyrë të përhershme ligjin “Për tubimet” përmes nenit 101 të Kushtetutës, pa provuar nevojën dhe urgjencën.

“Liria e tubimit paqësor është një nga mjetet themelore përmes të cilave qytetarët marrin pjesë në jetën demokratike, shprehin kundërshtimin e tyre dhe kërkojnë llogari nga pushteti. Ajo nuk është një privilegj që Qeveria ua jep qytetarëve, por një e drejtë kushtetuese që shteti ka detyrimin ta respektojë dhe ta garantojë, veçanërisht kur protesta drejtohet kundër vetë atij,” thuhet në hyrjen e padisë.

Sipas paditësve, akti nuk e ndalon formalisht protestën, por e bën atë pothuajse të pamundur përmes një sërë mekanizmash shtrëngues, si perimetrat ndalues rreth institucioneve, “Zonat e mbrojtura” dhe dëbimi 48-orësh, ku u jepen këshillave bashkiakë kompetencën të shpallin “zona të mbrojtura” hapësira të tëra publike mbi bazën e incidenteve të kaluara, autorizimi për  ndërhyrje në rrjetet sociale dhe aplikacionet e enkriptuara dhe gjobat ekstreme deri në 500 mijë lekë.

Në padinë e dytë kundër Aktit Normativ nr. 6/2026, studentët dhe organizatat sqarojnë se nuk kundërshtojnë kompensimin financiar nga shteti për bizneset e vogla të dëmtuara gjatë protestave të periudhës 13–22 tetor 2026. Por ata kundërshtojnë mekanizmin që qeveria ka fshehur pas këtij kompensimi për të ndëshkuar financiarisht organizatorët dhe në mënyrë prapavepruese protestuesit.

“Liria e tubimit paqësor nuk mbrohet vetëm në momentin kur qytetarët mblidhen, por edhe pasi tubimi ka përfunduar”, thuhet në arsyetimin e padisë. Kërkuesit vënë në dukje se akti u miratua më 28 tetor, plot gjashtë ditë pasi kishte përfunduar dritarja kohore e ngjarjeve që vetë akti rregullon, çka rrëzon çdo pretendim për urgjencë. Sipas padisë, shkeljet kryesore kushtetuese të këtij akti janë ndëshkimi financiar i personave pa faj, prezumimin e fajësisë edhe pasi gjykata mund ta ketë shpallur të pafajshëm, dhe paracakton ndëshkim  prapaveprues dhe dënim i dyfishtë për të arrestuarit.

Padia e tretë prej 71 faqesh godet Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 815, të po 28 tetorit, i cili krijon regjistrin e posaçëm elektronik për personat e referuar nga policia në prokurori ose nën hetim për veprime të dhunshme gjatë tubimeve.

“Prezumimi i pafajësisë nuk e mbron vetëm të pandehurin në sallën e gjyqit. Ai e mbron qytetarin edhe nga shteti që, përpara se t’i provojë fajin, e trajton si fajtor, ia pengon ose kufizon udhëtimin dhe ua paraqet të tjerëve si të dhunshëm,” theksojnë kërkuesit në padinë e tretë.

Sipas paditësve, përmes një akti nënligjor që tejkalon ligjet ekzistuese dhe cenon nenet 17 dhe 118 të Kushtetutës, ekzekutivi i ka veshur një referimi të thjeshtë policor pasoja që mund t’i vendosë vetëm gjykata.

Në të tria paditë, grupimet studentore dhe organizatat e shoqërisë civile i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese të vendosë me përparësi pezullimin e menjëhershëm të dispozitave ndëshkuese përpara se efekti i tyre frenues (chilling effect) të shuajë protestat në zhvillim, si dhe të shtrijë kontrollin kushtetues edhe mbi ligjet miratuese, në rast se Kuvendi i voton dy aktet normative brenda afatit 45-ditor. /reporter/

 

SHPËRNDAJE

Lexo edhe

AKTUALITET

Me rëndësi

Ndiqni Piranjat kudo.

Investigime, denoncime dhe satirë — zëri që nuk hesht.