Tragjedia e De Miguel, mjeku italian: Kurrë s’kam parë një traumë të tillë, ishte si një përplasje mes dy makinave
Një përplasje e frikshme në minutën e 96-të të ndeshjes, një goditje jashtëzakonisht e fortë me gju në kraharor dhe një fund tragjik

Një përplasje e frikshme në minutën e 96-të të ndeshjes, një goditje jashtëzakonisht e fortë me gju në kraharor dhe një fund tragjik. Futbollisti 30-vjeçar i Tenerife, Jesus de Miguel Alameda, ndërroi jetë pas përplasjes së rëndë me portierin e Andorrës, Jesus Owono.
Ngjarja ndodhi në mesfushë, gjatë një dyluftimi për topin. Pas kontaktit të dhunshëm, sulmuesi u rrëzua menjëherë në tokë, duke humbur ndjenjat. Stafi mjekësor ndërhyri me urgjencë dhe futbollisti u transportua me ambulancë në spital, por pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Për të shpjeguar se çfarë mund të ketë ndodhur në ato momente dhe si një goditje e tillë mund të shkaktojë pasoja fatale, Fanpage.it ka intervistuar profesor Carlo Alessandro Russo Frattasi, kirurg ortoped, specialist i Mjekësisë Sportive në Universitetin e Torinos dhe ekspert i mjekësisë ligjore.
Sipas specialistit, bëhet fjalë për një traumë me energji jashtëzakonisht të lartë, ku forca e përplasjes është përqendruar në një pikë shumë të vogël të kraharorit. I pyetur se si është e mundur që një futbollist vetëm 30 vjeç, i shëndetshëm dhe nën monitorim të vazhdueshëm mjekësor, të humbasë jetën pas një goditjeje me gju në gjoks, profesori shpjegon:
“Po flasim për një traumë me energji jashtëzakonisht të lartë, një ngjarje që ndodh shumë rrallë. Kemi dy futbollistë, secili me peshë 70-75 kilogramë ose edhe më shumë, që vrapojnë drejt njëri-tjetrit me shpejtësi të madhe. E gjithë forca e përplasjes përqendrohet në një pikë të vetme: gjurin. Pra, në një sipërfaqe shumë të vogël”.
Më tej, ai shpjegon se çfarë ndodh me trupin në momentin e goditjes.
“Kraharori është elastik dhe mund të deformohet nga një forcë e tillë. Ai shtypet drejt shtyllës kurrizore. Në mes ndodhet zemra, një organ me përmasa afërsisht sa grushti. Në këto kushte, ajo mund të shtypet plotësisht dhe të ndalojë së funksionuari për shkak të një mekanizmi fizik, jo për shkak të një sëmundjeje të zemrës”.
Sipas mjekut, në raste të tilla gjithçka varet nga vendi dhe këndi i saktë i goditjes.
“Është çështje momenti. Një të dhjetën e sekondës më vonë, ose një centimetër më larg, ndoshta nuk do të kishte ndodhur asgjë. Por në këtë rast gjuri goditi pikërisht në atë zonë, në nivelin e zemrës”.
Një nga aspektet më dramatike të ngjarjes është fakti se zemra e futbollistit arriti të rifillonte punën pas ndërhyrjes së mjekëve. Megjithatë, kjo nuk mjaftoi për ta shpëtuar. Profesori shpjegon se gjatë minutave kur zemra kishte ndaluar, truri nuk kishte marrë gjak dhe oksigjenin e nevojshëm.
“Zemra rifilloi të rrihte, por gjatë atyre minutave kur kishte qenë e ndalur, truri nuk kishte marrë gjak. Nuk kishte pasur furnizim me gjak. Truri është organi që vuan më shumë në këto raste. Mjaftojnë vetëm pak minuta pa oksigjen për të shkaktuar dëmtime shumë të rënda dhe të pakthyeshme. Me sa duket, kjo është ajo që ka ndodhur. Zemra rifilloi punën, por gjendja neurologjike ishte tashmë e komprometuar”.
I pyetur nëse, në atë fazë, kishte ende shpresa për ta shpëtuar futbollistin, përgjigjja e specialistit është e shkurtër dhe e dhimbshme: “Jo”.
Eksperti tregon se ka kërkuar edhe në literaturën mjekësore për raste të ngjashme, por nuk ka gjetur një traumë me të njëjtën shkallë përqendrimi dhe dhune. Ai shpjegon edhe arsyen pse në shumë përplasje futbollistët përfundojnë të shtyrë disa metra larg, ndërsa në rastin e De Miguel situata ishte ndryshe.
“Po ju jap një shembull praktik. Nëse ju jeni i palëvizshëm dhe dikush ju godet në gjoks me gju, duke ardhur me shpejtësi 40 kilometra në orë, forca e goditjes mund t’ju hedhë tre metra larg. Në këtë mënyrë, një pjesë e energjisë shpërndahet përmes lëvizjes së trupit. Këtu nuk ndodhi kështu. Ishte një përplasje ballore, si dy makina që përplasen drejtpërdrejt me njëra-tjetrën. Kapaku i makinës shtypet dhe deformohet, ndërsa energjia mbetet brenda. Pikërisht kjo ka ndodhur”.
Një tjetër element që profesori thekson është dallimi mes vdekjeve të papritura në sport, të shkaktuara nga probleme të mëparshme kardiake, dhe asaj që dyshohet se ndodhi në këtë rast.
“Është krejt e kundërta. Kjo nuk është një vdekje kardiake në kuptimin e zakonshëm. Është një vdekje traumatike, e cila shkakton drejtpërdrejt ndalimin e zemrës. Janë dy gjëra të ndryshme”.
Në fund, profesori u pyet nëse raste të tilla mund të parandalohen përmes përdorimit të mbrojtëseve speciale, të ngjashme me ato që përdoren në regbi. Përgjigjja e tij është se një zgjidhje e tillë nuk do të kishte kuptim në këtë situatë.
“Jo. Bëhet fjalë për një kombinim rrethanash që është pothuajse i papërsëritshëm. Ishte një aksion normal loje, ku dy futbollistë shkuan drejt topit. Por u krijua një dinamikë e jashtëzakonshme: një pikë goditjeje shumë e vogël dhe dy trupa që lëviznin me shpejtësi shumë të lartë drejt njëri-tjetrit. Vendosja e mbrojtëseve të posaçme në futboll për të parandaluar një ngjarje të tillë nuk do të kishte kuptim”.
Lexo edhe
SPORT
Barça “thyen” 3-0 Aston Villan, shkëlqen Raphinha, por Flick i thur elozhe mbrojtjes: Ishin fantastik

Kane zbulon admirimin për futbollin spanjoll: Ndiqja Real Madridin, Messin dhe Ronaldon

Të mëdhatë tregojnë forcën në Champions, United përmbys Romën

VIDEO/ Nga 0-3 në kaos total, flakadanë në fushë, ndeshja ndërpritet mes tensionit

Zvicra ndryshon qëndrim për Granit Xhakën pas çështjes së Covid




