Tragjike në Egjipt/ Përplasen dy trena pranë Kajros, raportohen 4 të vdekur dhe 88 të plagosur

Të paktën katër persona kanë humbur jetën dhe 88 të tjerë janë plagosur si pasojë e përplasjes së dy trenave në jug të Kajros, në Egjipt. Mes viktimave është edhe një nga drejtuesit e trenave, ndërsa bilanci i aksidentit mund të ndryshojë.
Përplasja ndodhi në linjën hekurudhore mes stacioneve Kafr Ammar dhe Al-Raqqa. Sipas autoriteteve hekurudhore, një tren që udhëtonte nga Giza drejt oazit Fayoum, rreth 100 kilometra në jug të Kajros, u përplas me pjesën e pasme të një treni tjetër, i cili po udhëtonte nga Kajro drejt Asuanit, në jug të vendit.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë përmasat e rënda të aksidentit, me disa vagonë të dalë nga shinat dhe të përmbysur. Në njërën prej pamjeve shihet një vagon i shkatërruar plotësisht, i cili ka përfunduar sipër një vagoni tjetër në anë të shinave.
Ministria egjiptiane e Shëndetësisë bëri të ditur se në vendngjarje janë angazhuar 72 ambulanca, të cilat kanë transportuar të plagosurit drejt tre spitaleve të ndryshme. Ekipet e emergjencës po përdorin gjithashtu mjete të rënda për ndërhyrjen dhe largimin e vagonëve të dëmtuar.
Presidenti i Egjiptit, Abdul Fattah al-Sisi, deklaroi se po e ndjek nga afër situatën dhe se ka urdhëruar autoritetet përkatëse të garantojnë kujdesin e nevojshëm mjekësor për të plagosurit. Ai kërkoi gjithashtu hetimin e plotë të rrethanave të aksidentit dhe vënien përpara përgjegjësisë të kujtdo që rezulton se ka neglizhuar detyrën.
Ndërkohë, kryeministri Mostafa Madbouly u shprehu ngushëllime familjarëve të viktimave, duke garantuar mbështetjen e nevojshme për ta. Ai uroi gjithashtu shërim të shpejtë për të plagosurit dhe deklaroi se do të ndjekë nga afër trajtimin e tyre mjekësor.
Shkaqet e përplasjes mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
Lexo edhe
BOTA
Taksisti pronar i dhjetëra kompanive, mashtrim mbi 40 milionë euro me importe nga...

Italia në shënjestër të hakerëve, emra politikanësh dhe prokurorësh publikohen në 'dark web'!

“Askush nuk do të flasë në emrin tonë!”/ Europa në tryezën e negociatave për Ukrainën, Franca konfirmon pjesëmarrjen

Sulmet ruse lënë pa energji 600 mijë ukrainas

Gjermania rihap debatin për pandeminë COVID-19, ekspertët: Shkenca, politika dhe mediat dështuan në komunikimin me qytetarët





