Turma në Ukrainë përleshet me policinë
PamjeNjë turmë njerëzish u përlesh me policinë dhe pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ukrainës në periferi të Kievit, në incidentin e fundit të një sërë ngjarjesh që kanë nxjerrë në pah vështirësitë me të cilat po përballet Ukraina sa i përket rekrutimit ushtarak dhe moralit të ushtarëve

Një turmë njerëzish u përlesh me policinë dhe pjesëtarët e Gardës Kombëtare të Ukrainës në periferi të Kievit, në incidentin e fundit të një sërë ngjarjesh që kanë nxjerrë në pah vështirësitë me të cilat po përballet Ukraina sa i përket rekrutimit ushtarak dhe moralit të ushtarëve.
Përplasja mes turmës dhe policisë më 2 nëntor ndodhi pasi banorët lokalë reaguan ndaj informacioneve se disa burra – disa prej tyre pjesëtarë të Gardës Kombëtare – po mbaheshin në bodrumin e një shtëpie private.
Tensionet u përshkallëzuan teksa turma u mblodh para shtëpisë. Disa kërkuan që t’u lejohej të hynin brenda, duke brohoritur: “Njerëzit po torturohen”.
Po ashtu u dëgjuan thirrje edhe ofenduese sikurse “bastardë”, teksa turma hodhi gurë dhe vezë në drejtim të një autobusi të policisë dhe u përpoq ta rrokulliste atë. Të tjerë u ngjitën mbi veturat e policisë me qëllim që t’ua thyenin dritat, teksa policia përdori gaz lotsjellës ndaj tyre.
Policia në Kiev publikoi një njoftim ku tha se u informua nga një ekip i një ambulance private, që kishte raportuar se po pengohej që t’i ofronte trajtim një personi të paidentifikuar.
Megjithatë, disa media ukrainase e kundërshtuan këtë version të ngjarjes.
Ministria e Punëve të Brendshme tha se një grua që mori pjesë në protestë kishte tentuar që ta ndihmonte një burrë, që ishte larguar pa leje nga shërbimi ushtarak, të arratisej nga shtëpia.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ivan Vyhivskyi, tha se burri ishte bashkëshorti i gruas, i cili ishte larguar pa leje nga shërbimi ushtarak dhe se ajo e kishte fshehur në shtëpi. Ministria nuk e identifikoi gruan.
Në një prononcim për televizionin ukrainas, Kyrylo Budanov, këshilltar i lartë i presidentit ukrainas, i cili më parë ka drejtuar agjencinë e inteligjencës ushtarake, la të kuptohej se mund të bëhej fjalë për një komplot më të gjerë.
“Nuk e di saktësisht cili ishte motivi”, tha ai. “Por, pyetja është se kush po paguan për këtë dhe pse. Ose ndoshta motivi ishte diçka krejtësisht tjetër, diçka që synon të dëmtojë interesat e shtetit”.
Ministri i Jashtëm, Andriy Sybiha, pa paraqitur prova konkrete, e fajësoi Rusinë për incidentin, duke thënë se “synimi i Moskës është të amplifikojë problemet ekzistuese” në Ukrainë.
“Përderisa këto çështje duhet vërtet të trajtohen – një detyrë e brendshme që mbetet përgjegjësi e jona – nuk ka dyshim se armiku është forca shtytëse pas këtij provokimi”, shkroi Sybiha në Facebook.
Mbrëmjen e 2 nëntorit, gjeneralmajor Oleksandr Pivnenko, komandanti i Gardës Kombëtare, nga vendi i ngjarjes i tha turmës se disa nga personat që po mbaheshin në shtëpinë private ishin pjesëtarë të Gardës Kombëtare, të cilët ishin larguar pa leje nga shërbimi. Katër ushtarë kishin raportuar probleme të paspecifikuara shëndetësore.
Një njësit i Gardës Kombëtare, i njohur si Azov, lëshoi një deklaratë ku tha se në ndërtesë po mbaheshin personel i mobilizuar dhe ushtarë “të ndaluar pasi kishin braktisur njësitin pa marrë autorizim”.
Më vonë, Garda Kombëtare njoftoi se do të zhvillojë një hetim të brendshëm. Hetim për këtë rast paralajmëroi edhe Byroja Shtetërore e Hetimeve, e cila është agjencia kryesore në Ukrainë për hetime.
Incidenti ndodh në një kohë kur zyrtarët ushtarakë dhe civilë ukrainas po vazhdojnë të përballen me vështirësi për të siguruar rekrutë të rinj për luftën kundër Rusisë, e cila nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës fqinje në shkurt të vitit 2022.
Gjatë gjithë luftës, Ukraina është përballur me probleme sa i përket personelit ushtarak dhe ka ndërmarrë disa reforma të mëdha që synojnë thjeshtimin e procesit të rekrutimit dhe bërjen e këtij procesi më tërheqë dhe fitimprurës për burrat që nënshkruajnë kontrata për shërbim ushtarak.
Sistemi aktual për të siguruar një fluks të vazhdueshëm rekrutësh mbështetet në ato që njihen si Qendrat Territoriale për Rekrutim dhe Mbështetje Sociale. Këto qendra janë përgjegjëse jo vetëm për rekrutimin e burrave, por edhe për gjetjen e personave që i shmangen mobilizimit ushtarak.
Rekrutuesit shpesh përdorin një praktikë që gjerësisht kundërshtohet, të quajtur “busifikim”, ku zyrtarët enden me minibusë në kërkim të burrave që dyshohet se po i shmangen shërbimit ushtarak, i ndalojnë me forcë dhe i dërgojnë në qendrat e rekrutimit.
Në një rast që bëri bujë të madhe, rekrutuesit shkuan në një koncert në Kiev të një grupi të njohur roku dhe shpërndanë fletëthirrje për shërbimin ushtarak.
Sipas një vlerësimi të Parlamentit të vitit 2024, në Ukrainë kishte 4.35 milionë burra të moshës 25 deri në 60 vjeç që ishin të aftë për shërbim ushtarak. Në këtë kategori përfshiheshin ata që nuk ishin të përjashtuar nga shërbimi për arsye familjare ose profesionale, që nuk ishin tashmë në shërbim, që nuk kishin aftësi të kufizuara dhe që nuk jetonin nën pushtimin rus apo jashtë vendit.
Vlerësime të tjera e vendosin këtë numër pak më lart, në rreth 5 milionë.
Ndërkaq, vlerësohet se numri i viktimave ukrainase – të vrarë dhe të plagosur – tejkalon shifrën prej 500.000.
Në anën tjetër, numri i viktimave ruse vlerësohet të jetë mbi 1.5 milion, përfshirë të vrarët dhe të plagosurit, sipas vlerësimeve të shërbimeve perëndimore të inteligjencës dhe ekspertëve.
Ky është një numër është jashtëzakonisht i lartë, që tejkalon humbjet që Moska ka pësuar në të gjitha luftërat, marrë së bashku, ku vendi ka qenë i përfshirë që nga viti 1945.
Rusia, e cila ka pasur më shumë sukses në bindjen e burrave që të listohen për të luftuar në Ukrainë, është përballur me raste të ngjashme, por në përmasa më të vogla, kur burrat janë detyruar të nënshkruajnë kontrata për shërbim ushtarak./REL
Lexo edhe
BOTA
Zgjedhjet e mesmandatit në SHBA, Gjykata Supreme hedh poshtë kërkesën e Trump

Tragjedia me 69 viktima në Spanjë, jep dorëheqjen ministri i Transportit

‘Serbja seksi’ në kërkim për grabitjen e 40 milionë eurove. Ja shuma që jepet për “kokën” e saj

Si bëhet numërimi i votave në SHBA dhe kur priten rezultatet e para?





