Aksidentet rrugore në rritje, Tirana dhe Durrësi kryesojnë për përkeqësimin e sigurisë
Numri i aksidenteve rrugore në vend u rrit me 4.3% në dhjetë muajt e parë të vitit 2026, ndërsa Tirana

Numri i aksidenteve rrugore në vend u rrit me 4.3% në dhjetë muajt e parë të vitit 2026, ndërsa Tirana dhe Durrësi regjistruan shtimin më të madh në numër të aksidenteve dhe të personave të vrarë e të plagosur në krahasim me një vit më parë. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë periudhës janar-tetor në vend u regjistruan 1,193 aksidente rrugore, nga 1,144 në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur arriti në 1,639, me një rritje vjetore prej 2.1%.
Pothuajse 48% e aksidenteve rrugore në shkallë vendi u përqendruan në qarqet e Tiranës dhe Durrësit, nga 37% në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në Durrës, numri i aksidenteve u rrit me 75.3%, duke arritur në 135, nga 77 një vit më parë. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur u shtua me 51.7%, duke arritur në 182. Në Tiranë, aksidentet u rritën me 25.7%, në 435 raste, ndërsa numri i të aksidentuarve arriti në 529, nga 433 në dhjetëmujorin e vitit të kaluar.
Rritje të numrit të aksidenteve shënuan gjithashtu qarqet e Gjirokastrës, Kukësit, Vlorës dhe Fierit. Në të kundërt, Shkodra regjistroi një rënie prej 43.8%, ndërsa ulje të ndjeshme pati edhe në Berat dhe Dibër. Vetëm gjatë muajit tetor u regjistruan 103 aksidente rrugore, me një rënie prej 11.2% në bazë vjetore. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur ra me 20.1%, në 131.
Mosrespektimi i rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e automjeteve mbetet shkaku dominues i aksidenteve. Sipas INSTAT, 89.3% e aksidenteve të regjistruara në tetor ndodhën si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Grupmosha 25-34 vjeç regjistroi numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 24.3% të totalit. Orët e mbrëmjes, nga 19:00 deri në mesnatë, përqendruan 26.2% të aksidenteve të muajit tetor. E mërkura dhe e premtja ishin ditët me numrin më të lartë të rasteve, me nga 18.4% të totalit. INSTAT nënvizon se të publikimet e tij bazohen në të dhënat e Policisë së Shtetit dhe përfshijnë aksidentet që kanë rezultuar në të paktën një person të plagosur ose të vrarë. Të dhënat e publikuara janë paraprake dhe subjekt përditësimi./ Monitor
Lexo edhe
AKTUALITET
EMRAT/ Kallashnikovë dhe maska silikoni, 4 të arestuar në Fier e Lushnjë

Vodhi në familjen mbretërore/ DAILY MAIL: Shqiptari hyri me gomone dhe avion në Britani 3 herë në 4 vite

I shërbeu Kishës për më shumë se 30 vite në Karavasta dhe Myzeqe, ndahet nga jeta At Mikail Shuli

Erion Veliaj emëron Halit Valterin në krye të IMT-së në Bashkinë e Tiranës

1600 efektivë policie në gatishmëri për protestën e nesërme në Tiranë, kufizime në qarkullim

EMRAT/ Po transportonin 4 thasë me kanabis në Laç, arrestohen dy persona

Deputeti Erald Kapri paraqitet në SPAK

Tritol në Shkodër, por lënda plasëse nuk shpërthen! Ja kush ishte objektivi dhe pista ku po hetohet





