Arrestohet në Meksikë “El Chapo Isidro”, një nga 10 të arratisurit më të kërkuar nga FBI

Ushtria meksikane ka arrestuar Fausto Isidro Meza-Flores, i njohur me nofkën “El Chapo Isidro”, një nga 10 personat më të kërkuar nga FBI-ja, në një operacion të zhvilluar në shtetin Sinaloa. Arrestimi u shoqërua me përleshje të dhunshme me armë zjarri mes forcave të sigurisë dhe personave të armatosur, duke shkaktuar panik në qytetin Guasave.
Ministria e Mbrojtjes e Meksikës konfirmoi se operacioni u realizua nga forca të specializuara ushtarake, me ndihmën e autoriteteve amerikane. Pas arrestimit, Meza-Flores u transportua drejt Mexico City.
Ai akuzohet nga autoritetet amerikane për përfshirje në trafikimin dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të heroinës, metamfetaminës, kokainës, fentanilit dhe marijuanës drejt Shteteve të Bashkuara. FBI kishte ofruar një shpërblim prej 5 milionë dollarësh për informacione që do të çonin në arrestimin e tij.
Meza-Flores konsiderohet drejtues i organizatës kriminale Meza-Flores, e njohur edhe si Los Mazatlecos, me bazë në Guasave. Karteli i tij është përfshirë më herët në përplasje të përgjakshme për kontrollin e territoreve me kartelin Sinaloa, të drejtuar dikur nga Joaquín “El Chapo” Guzmán.
Operacioni ushtarak shkaktoi përleshje të armatosura në disa zona të Guasaves, ndërsa persona të armatosur ngritën postblloqe në komunat përreth.
Situata u përshkallëzua edhe pranë stadiumit Kuroda Park, ku po zhvillohej ndeshja mes Venados de Mazatlán dhe Algodoneros de Guasave. Tifozët u detyruan të braktisnin tribunat dhe të kërkonin strehim, pasi në zonë u dëgjuan breshëri të shumta armësh.
Pamjet e publikuara tregojnë spektatorët duke u përpjekur të largohen në panik, ndërsa lojtarët dhe stafi i ekipeve u larguan me shpejtësi nga fusha. Ndeshja u ndërpre për shkak të situatës së sigurisë.
Sipas dëshmive të një banori vendas për CNN, disa spitale private u mbushën me persona të armatosur, ndërsa biznese, dyqane dhe pika karburanti u përfshinë nga zjarret.
Autoritetet meksikane konfirmuan se personeli federal u sulmua me armë zjarri dhe eksplozivë gjatë operacionit. Ndërkohë, situata në zonë mbeti e tensionuar pas arrestimit të një prej figurave më të kërkuara të krimit të organizuar nga autoritetet amerikane.
Lexo edhe
BOTA
Sulm në Ngushticën e Hormuzit, goditen dy cisterna nafte nga predha të paidentifikuara

Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani lëndohet gjatë ndeshjes së futbollit kundër gazetarëve

Trump: Putin dërgoi raketa dhe dronë në Poloni gabimisht

Danimarkë, pritet kufizimi i vizave Schengen për rusët

Zelensky kundërpërgjigjet pas deklaratës së Trumpit: Për ne, Putini është armik dhe vr*sës





