Buxheticidi!

Nga Florian Binaj
Këtë javë Qeveria kaloi buxhetin e vitit 2027.
Ka shumë vite që na kanë bërë të besojmë se buxheti vjetor i qeverisë nuk ka lidhje me ne. Sikur të ishte diçka jashtë nesh, e largët, shumë teknike, që ne nuk e kuptojmë. Në fakt, buxheti vjetor është i lidhur direkt me xhepin tonë. Ai merr ose fut para në atë xhep, në varësi të mënyrës se si është ndërtuar.
Ne mund të mos dimë të përdorim Excel-in, por çdo shqiptar e ndjen shumë mirë te xhepi.
Dhe ajo që unë shoh te prezantimi i qeverisë nuk është thjesht një buxhet i keq. Është një buxheticid.
Sepse ka kohë që një buxhet nuk vriste kaq shumë gjëra njëherësh.
Së pari, ky buxhet vrau Kryeministrin, atë që premtoi se problematikat e artikuluara në shesh do t’i zgjidhte. Por asnjë nga arsyet që i nxorën njerëzit në rrugë nuk gjen përgjigje në atë buxhet.
Në vend të tyre, gjejmë borxhin. Rreth shtatë mijë e pesëqind euro për çdo shqiptar. Për çdo shqiptar të Shqipërisë, sepse shqiptarët e Kosovës kanë vetëm 1200 euro.
Edhe për foshnjën që lind sot, e që, pa u regjistruar ende, e ka borxhin në emër. Ky kryeministër e kjo qeveri do të ikin, por ne atë borxh do ta kemi përherë në shpinë.
Kush e paguan? Klasa e mesme, që e ka paguar gjithmonë. Biznesi i vogël, të cilit i premtuan të mos i vihej taksë deri në vitin 2029, por po e fusin në TVSH. Profesionet e lira, që tani do t'i numërojë një byro e re kontrolli. Dhe pse? Sepse një buxhet i menduar për t'u bërë rrush e kumbulla kërkon të shtrydhë sa më shumë ata që punojnë.
Dhe gjithë ky borxh, gjithë këto taksa shtesë, askush nuk pret t'i shohë të kthyera në shërbime apo në cilësi jete. Për arsimin ka buxhet, por për ata që dalin prej tij, asnjë vend pune. Për malet ka një paketë, por për ata që jetojnë atje, as një rresht.
E vërteta është që ky buxhet nuk po rritet për t’i bërë shqiptarët më të pasur, por sepse qeverisë i duhen miliarda euro për të mbuluar gropat e zeza financiare të krijuara nga vetë aferat e saj korruptive. Ajo gropë me 400 milionë euro që lanë pas inceneratorët fantazmë, ku tjetër do të fshihet përveçse në buxhet? Buxheti i 2027-ës, i miratuar pa konsensus, vetëm me forcën e kartonave, është thjesht një thes më i madh për t'u vjedhur.
Ai mund ta quajë buxhet. Unë e shoh si buxheticid.
Sepse buxheticidi nuk është vrasja e një buxheti. Është vrasja e gjithë asaj që na kishin premtuar. Është vrasja e ekonomisë familjare sime dhe tënden, përgjatë një viti./piranjat news
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi.
Lexo edhe
INVESTIGIME
Laboratorët pa mjekë të specializuar/ Pas denoncimit të Piranjave, Ministria ndryshon rregulloren

Një histori mbijetese që preku gjithë shqiptarët/ Rrëfimi ekskluziv i Alvin Berishës

Një jetë mes torturave, burgut dhe dinjitetit/ “Piranjat” risjellin intervistën e rrallë me Gjergj Hanin, të burgosurin fëmijë të diktatu...
A do të ma hapni derën?
Dramë familjare në Vlorë/ Dy motra të mitura jashtë çdo kontrolli, babai kërkon ndihmën e Piranjave





