Laboratorët pa mjekë të specializuar/ Pas denoncimit të Piranjave, Ministria ndryshon rregulloren

Kohë më parë, ju kemi folur se si operojnë laboratorët e analizave private në Shqipëri. Me metoda jo edhe aq korrekte, të cilat do jua rikujtojmë.
Sipas Qendrës Kombëtare të Licencimit, në Shqipëri operojnë mbi 957 laboratorë klinikë, ku çdo ditë analizohen mostra biologjike të pacientëve, gjak, urinë, feçe dhe lëngje të tjera trupore, me qëllim diagnostikimin, monitorimin dhe ndjekjen e sëmundjeve.
Në secilën nga këto struktura, krahas laborantëve dhe teknikëve, është i domosdoshëm edhe një staf mjekësor i kualifikuar, i cili ka për detyrë (titra):
– validimin mjekësor të rezultateve përpara publikimit
– mbikëqyrjen e kalibrimit të aparaturave për të garantuar saktësinë
– mbikëqyrjen e kontrollit të cilësisë për të garantuar besueshmërinë
– interpretimin profesional të rezultateve
– garantimin e sigurisë së pacientit
Thënë shkurt, një mori detyrash, që e ngarkojnë me shumë përgjegjësi mjekun e laboratorit.
Për më tepër, ky rol kërkon prani reale profesionale dhe mbikëqyrje aktive gjatë një orari të plotë pune prej 40 orësh në javë për një laborator dhe pikërisht këtu nis problemi. Sepse sipas Urdhrit të Mjekut, në të gjithë vendin rezultojnë të licencuar vetëm 106 mjekë laboratori. Pra, një mjek për afro 9 laboratorë.
Një formulë tërësisht e pamundur të funksionojë. Ndaj, për të mbuluar këtë mangësi, hyjnë në lojë teknikët e laboratorit, të cilët në realitet kanë për detyrë të ndjekin vetëm procedurën teknike të analizave. Ndërsa, siç thamë, personat përgjegjës për nxjerrjen, interpretimin dhe firmosjen e rezultateve duhet të jenë mjekët e laboratorit.
Pra, këta 106 personat e licencuar në të gjithë Shqipërinë, që vendosin firmën për një punë të bërë nga teknikët e laboratorit.
Por pse jemi kaq të sigurt që gjërat funksionojnë kështu siç po i tregojmë?
Ose më saktë, nuk funksionojnë.
Për ta dokumentuar këtë, vendosëm të bëjmë një xhiro në disa laboratorë të Tiranës.
Pasi kemi kryer analizat në laboratorin e parë, përgjigjja na vjen fillimisht në WhatsApp… dhe pak minuta më vonë edhe në telefon.
Meqenëse rezultatet preferojmë t’i marrim nga afër, nuk mjaftohemi me telefonatën, por vendosim ta takojmë mjekën e laboratorit. Dhe gjërat shkojnë pikërisht ashtu siç e kishim parashikuar.
Recepsionistja flet me shumë siguri për rolin e mjekut të laboratorit, por pas insistimit tonë, vendos të na çojë tek mjekja.
Të paktën kështu menduam. Ja pra që mjeke nuk paska. Dhe ky nuk është aspak një rast i izoluar. Pasi pamë që në një nga laboratorët më të njohur në Shqipëri skema funksionon siç ne e kishim parashikuar, shkojmë për të testuar një tjetër laborator.
Me shpresën se jo të gjithë operojnë në të njëjtën mënyrë.
Edhe këtu u zhgënjyem, pasi u përballëm me të njëjtën strategji pune: mjekët e laboratorëve nuk ndodhen në klinikë, duke e lënë gjithë peshën e interpretimit të analizave tek teknikët e laboratorit, të cilët thuajse gjithmonë janë të rinj e të reja, që pavarësisht kualifikimit, nuk kanë kompetencën për të interpretuar rezultatet.
Sidoqoftë, e treta e vërteta.
Një mjeke laboratori, e cila po bën një përdorim formal të licencës. Sidoqoftë, doktoresha është në rregull. Për sa kohë nga Ministria e Shëndetësisë janë hapur laboratorë në disproporcion të plotë me numrin e mjekëve, ajo dhe 105 kolegët e saj mund të jenë në 9 e më shumë vende njëkohësisht.
Skandali bëhet edhe më i madh kur kupton se njerëzit që votojnë ligjet në Parlament janë njëkohësisht edhe pronarë të këtij biznesi gjigant, që funksionon me mangësi dhe parregullsi të përsëritura, siç është rasti i deputetit Vasil Llajo, i cili është pronar i Intermedica, rrjeti më i madh laboratorik në vend, me të paktën 20 pika në të gjithë Shqipërinë. Zoti Llajo, i cili është edhe vetë mjek, nuk jep një përgjigje konkrete për problemin, duke ia kaluar përgjegjësinë Ministrisë së Shëndetësisë.
Por mos harrojmë që në këtë rast kemi të bëjmë jo thjesht me një pronar laboratori, por me një ligjvënës, që fare mirë mund ta ngrejë këtë shqetësim në sallën e Parlamentit.
Po cili është problemi që duhet të na shqetësojë në këtë vëzhgim që bëmë? Numri tepër i lartë i laboratorëve apo mungesa e mjekëve laboratorikë?
Për ta kuptuar, mjafton një krahasim me Kosovën.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, atje janë të licencuar rreth 194 laboratorë mjekësorë privatë për një popullsi prej afro 1.6 milion banorësh.
Pra, një laborator për rreth 8200 persona. Ndërkohë, në Shqipëri kemi mbi 957 laboratorë për rreth 2.3 milionë banorë.
A është vërtet i nevojshëm një numër kaq i madh laboratorësh? Aq sa sot në çdo lagje i gjen më shpesh se furrat e bukës?
Dhe tani një tjetër krahasim interesant. Në Kosovë janë rreth 80 mjekë për 192 laboratorë.
Pra, një mjek për dy laboratorë.
Në ndryshim nga 106 mjekët e Shqipërisë që mbulojnë mbi 957 laboratorë. A mos vallë kolegët e tyre përtej kufirit janë kaq të paaftë sa të mos guxojnë të hapin e të hapin pafund laboratorë të tjerë?
Apo mos ndoshta atje nuk lejohet që firma e një mjeku të përdoret dhe të delegohet pa asnjë kriter, e gjitha kjo në kurriz të shëndetit të pacientëve? Këtu ndoshta përgjigje duhet të na japë Ministria e Shëndetësisë.
Zonja Spahiu, gjatë takimit me piranjën Luela Gaxhja, tha se do ta analizojnë si shqetësim problemin e adresuar.
Këtë nuk duam ta vëmë aspak në dyshim dhe, për të qenë të sinqertë, jemi përballë një problemi të bartur, që të paktën deri në këtë moment nuk e ngarkon me përgjegjësi ministren aktuale. Por problemin ama duhet t'ia përcjellim. Dhe Ministria e mbajti fjalën.
Disa ditë më pas nxori urdhrin nr. 852, datë 12.11.2026, për miratimin e rregullores për organizimin dhe funksionimin e laboratorëve mjekësorë.
Një hap i parë tepër i rëndësishëm për mbarëvajtjen e këtyre strukturave dhe funksionimin e tyre me standardet e duhura, si në çdo vend normal./piranjat news
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Piranjat.al sipas ligjit Nr. 35/2016 “Për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi pa autorizimin e Piranjat.al në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi.
Lexo edhe
INVESTIGIME
Një histori mbijetese që preku gjithë shqiptarët/ Rrëfimi ekskluziv i Alvin Berishës

Një jetë mes torturave, burgut dhe dinjitetit/ “Piranjat” risjellin intervistën e rrallë me Gjergj Hanin, të burgosurin fëmijë të diktatu...
A do të ma hapni derën?
Dramë familjare në Vlorë/ Dy motra të mitura jashtë çdo kontrolli, babai kërkon ndihmën e Piranjave

1700 euro për një pasaportë false/ Si u asgjësua rrjeti që premtonte Europën online?





