Drejtori i ri i Portit të Durrësit, Andrea Shllaku u kap me shkelje nga KLSH, do të menaxhojë 30 mln Euro në vit!
Një raport voluminoz prej më shumë se 300 faqesh ka nxirë rëndë Autoritetin Portual të Durrësit, një institucion shtetëror

Një raport voluminoz prej më shumë se 300 faqesh ka nxirë rëndë Autoritetin Portual të Durrësit, një institucion shtetëror që menaxhon një buxhet prej 30 milionë eurosh në vit. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur një mori shkeljesh, që nga shpërblimi i punonjësve të pa merituar, shpërblimi i anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, tenderat, kontratat e qirasë apo edhe transferimin e aseteve te privatëve pa marrë mbrapsht kompensimin financiar.
Me pak fjalë, një dosje e denjë për Prokurorinë e Posaçme, me abuzime të rënda me detyrën, aq sa kontrolli konstatoi se 60 punonjës të APD-së kanë shpërdoruar detyrën, teksa duhen hetime të tjera për të përcaktuar dëmin e saktë. Raporti flet për dëme të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit, teksa ajo që bie në sy është se, porti më i madh i Shqipërisë, i cili duhej të ishtë shëmbëlltyra e vetë shtetit, është katandisur si mos më keq.
Audituesit e KLSH-së kanë kontrolluar periudhën 2021-2024, ku del qartë se abuzimi ka ardhur nga “koka” dhe jo nga punonjësit, pasi për ish-drejtorin e APD-së, Pirro Vengu, raporti rekomandon shkarkimin e menjëhershëm nga detyra. Madje, në shumë raste tenderash apo kontratash, Vengu është gjetur “fajtor”, por katapultimi i tij fillimisht në Ministrinë e Mbrojtjes dhe më pas marrja e mandatit të deputetit, deri më tani e kanë “mbrojtuar”.
Skandali thellohet më tej për shkak se, një nga njerëzit më të besuar të Pirro Vengut, ish drejtori i Divizionit Operacional, Andrea Shllaku, është emëruar ditët e fundit si Drejtori Ekzekutiv. Shllaku ka qenë një nga njerëzit më të besuar të Pirro Vengut, teksa edhe pas largimit të tij nga detyra, e emëroi zëvendësministër të Mbrojtjes.
Megjithatë, emri i drejtorit të ri të Portit të Durrësit, Andrea Shllaku, gjendet në shumë faqe të raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke e gjetur me shkelje të rënda. Aq sa, vetë KLSH-ja rekomandoi masën e paralajmërimit për shkarkim nga detyra, nëse do të punonte ende në Durrës.
Dyshimet janë se, si ka mundësi që një person i kapur gafil me shkelje, aq më tepër njeriu i besuar i ish-drejtorit po të kapur me abuzime të shumta, të emërohet drejtor ekzekutiv?! Nëse herën e parë ke abuzuar, po tani që ka marrë “frenat” e të gjithë Portit të Durrësit, çfarë do të bësh?
Aktualisht, APD-ja ka një çek prej 30 milionë eurosh, teksa auditimet ndër vite, kanë nxjerrë fakte të rënda të abuzimit të detyrës, aq sa ka pasur dhjetëra procedime penale. Duket se lidhjet e forta të Vengut e Shllakut po i mbajnë deri më tani larg dyerve të organeve ligjzbatuese, teksa drejtori i ri ka edhe bashkëshorten të punësuar në Këshillin e Ministrave.
Duket se, emërimi i këtyre personave në poste kyçe të shtetit është bërë e modës, teksa rekomandimet, auditimet apo edhe hetimet, as nuk u bëjnë përshtypje drejtuesve të shtetit. Si mund të emërohet një person që është nën hetim, i kapur me shkelje, apo që rekomandohet të shkarkohet, në një pozicion kyç?
Nëse veprohet në këtë mënyrë, atëherë “peshku është qelbur nga koka”, ku ata drejtorë që emërohen janë totalisht të varur nga krerët e shtetit. Për më tepër që Porti i Durrësit është futur në një qorrsokak, për shkak se në territorin aktual po ngrihen pallate dhe porti i ri në Porto Romano është zvarritur e zvarritur.
Dokumentet tregojnë abuzime të rënda në APD, me dëme dhjetëra miliona euro.
“Të ardhura të munguara në vlerën 838,818 mijë” thotë raporti, pra një shumë prej 8.5 milionë euro. Më tej vijon se, i njëjti autoritet nuk ka mbledhur detyrime në shumën prej 3.5 milionë eurosh.
“Niveli tejet i ulët i realizimit të investimeve, është një tregues i cili tregon për një punë jo në nivelet e pritshme të Autoritetit Portual Durrës. Miratimi i fondit të shpërblimeve për punonjësit, në vlerën totale prej 140 milionë lekë për periudhën 2021- 2024 ka qenë i padrejtë” thotë raporti.
Më tej shton se në 9 procedura prokurimi nga 23 të audituara, janë konstatuar mangësi. Madje, firmat që kanë fituar dhjetëra milionë euro nuk përmbushnin të gjitha kërkesat për kualifikim. Të gjitha këto shkelje kur Portin e Durrësit e drejtonte Pirro Vengu dhe Andrea Shllaku. Tashmë Vengu është deputet dhe Shllaku është riemëruar si Dretjtor Ekzekutiv. A do të vijojnë të njëjta abuzime?!/ VoxNews
Lexo edhe
AKTUALITET
Shqipëria ndër tregjet më të shtrenjta të energjisë në rajon, çmimi 14% më i lartë se në Greqi

Kërkojnë uljen e kostove dhe kufizimin e licencave, taksistët dalin në protestë

HUFFINGTON POST: Mafia shqiptare e drogës po ‘pushton’ Romën edhe ekonomikisht

EMRAT/ Njëri në kërkim nga Turqia për mashtrim, tjetri i dënuar për “vjedhje me dhunë”, dy të arrestuar në Rinas

Sherr për një vend parkimi në Vlorë, nxirret thika në mes të qytetit para dhjetëra qytetarëve





