EDITORIAL

Rreziku që fshihet pas “dhuratës” së AI: Kush kontrollon mënyrën si mendojmë?

Ilir Beqaj Përditësimi i fundit 6 Shtator 2026, 11:15

Jam me profesion informaticien, diplomuar ne 1990.

Edhe pse kanë kaluar rreth dyzet vjet që kur fillova studimet dhe pjesën më të madhe të jetës profesionale jam marrë edhe me fusha të tjera, vazhdoj ta përdor këtë fjalë: informaticien.

Ndoshta edhe sepse i përkas një brezi tjetër.

Por jo vetëm për këtë. Për mua, informatika nuk ka qenë kurrë sinonim i computer science, sikurse ordinatori nuk ka qenë thjesht sinonim i kompjuterit si objekt fizik.

Në shtator të vitit 1985 fillova studimet për informatikë. Ne veren përpara fillimit të tyre pata mundësinë të lexoja një libër në frëngjisht që tim ati ia pati dhënë profesor Kristian Bukuroshi, një nga njerëzit që me të drejtë mund të konsiderohet ndër themeluesit e informatikës shqiptare.

Nga ai libër më ka mbetur në kujtesë, për gati dyzet vjet, një fraze e shkruar në kopertinën e pasme. Nuk guxoj sot ta riprodhoj si citim të saktë pa pasur librin përpara, por kuptimi ishte: “L’informatique ce n’est pas l’ordinateur.”

Ajo fjali më shoqëroi gjatë studimeve dhe edhe më shumë pas tyre, sepse informatika teorikisht praktikisht nuk eshte shkenca e makinës. Eshte shkenca e informacionit.

Vetë fjala frënge informatique, e krijuar në fillim të viteve 1960, vjen nga bashkimi i dy fjalëve: information + automatique. Pra, përpunimi automatik i informacionit. Makina eshte mjeti, ndersa informacioni eshte objekti.

Ky dallim, që mund të duket vetëm terminologjik, më duket sot më aktual se kurrë. Sepse pas disa dekadash gjatë të cilave fuqia e makinës u shumëfishua në mënyrë marramendëse, kemi mbërritur te inteligjenca artificiale, ku makina nuk përpunon më vetëm informacionin që i japim.

Ajo fillon të marrë pjesë në mënyrën se si ne e kërkojmë, e përzgjedhim, e organizojmë dhe e kuptojmë informacionin. Dmth makina fillon te marre pjese ne procesin e te menduarit. Ne ate qe quhet cognitive. Dhe pikërisht këtu buron dyshimi im.

“Dhuratat” e teknologjisë!

Kam qenë gjithmonë disi mosbesues ndaj atyre që, me një dozë shpotie, mund t’i quajmë “dhuratat” e teknologjisë për njerëzimin.

Jo sepse teknologjia është e keqe dhe as sepse zhvillimi teknologjik duhet ndalur. Por sepse teknologjia moderne nuk lind dhe nuk shpërndahet në vakum. Pas saj ka shtete, interesa strategjike, kompani, kapital dhe modele biznesi.

Një teknologji mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme për njerëzimin dhe njëkohësisht jashtëzakonisht e vlefshme për atë që kontrollon infrastrukturën e saj.

GPS është një shembull interesant.

Sistemi u zhvillua nga Shtetet e Bashkuara fillimisht për qëllime ushtarake. Më pas u bë i disponueshëm për përdorim civil dhe, në vitin 2000, Shtetet e Bashkuara hoqën degradimin e qëllimshëm të saktësisë së sinjalit civil. Rezultati ishte revolucionar. Sot GPS-i është një nga infrastrukturat më të dobishme që njerëzimi përdor praktikisht falas.

GPS na orienton, na lehteson udhëtimet. Na mbeshtet transportin, logjistikën, bujqësinë, shërbimet e emergjencës dhe një pjesë të madhe të ekonomisë moderne.

Por mbi të njëjtën infrastrukturë u ndërtua edhe diçka tjetër: ekonomia e lokalizimit. Telefoni ynë filloi të dijë ku jemi dhe te tregoje ku jemi.

Aplikacionet mund të kërkojnë të dinë ku jemi. Shërbimet mund të personalizohen sipas vendit ku ndodhemi.
Një informacion që dikur ishte jashtëzakonisht privat — pozicioni fizik gjeografikisht i një personi — u transformua gradualisht në një të dhënë digjitale të gjurmueshme dhe te përpunueshme.

Kjo nuk provon se GPS iu dha botës për të përgjuar njerëzit. Një pretendim i tillë do të kërkonte prova që nuk i kemi. Por provon diçka tjetër, shumë më interesante. Një teknologji mund të krijohet për një qëllim, të ofrohet për një tjetër dhe të prodhojë pasoja shoqërore që shkojnë shumë përtej të dyjave.

Telefoni që nuk fle plotësisht!

Edhe evolucioni i telefonit celular është ilustrues. Telefonat e gjenerates se parë kishin një karakteristikë shumë të thjeshtë. Nese hiqje baterinë, pajisja nuk kishte më energji.

Në shumë telefona modernë sot bateria është e integruar.

Madje disa funksione të pajisjes mund të vazhdojnë të mbeten aktive me konsum minimal energjie edhe pasi përdoruesi e ka “fikur” telefonin. Kjo nuk do të thotë se çdo telefon i fikur vazhdon normalisht të komunikojë me rrjetin cellular, por kufiri intuitiv që dikur ekzistonte — ON/OFF — është bërë teknikisht më kompleks.

Për përdoruesin telefoni është fikur. Për inxhinierin, disa nënsisteme mund të vazhdojnë të kenë energji dhe funksione të kufizuara.

Ky ndryshim është shumë domethënës. Sepse tregon se në botën digjitale edhe një koncept kaq elementar sa “e fika pajisjen” nuk do të thotë domosdoshmërisht atë që përdoruesi mendon se do të thotë.

Dhe këtu lind një parim që duhet ta marrim me vete në epokën e AI. Ajo që përdoruesi mendon se teknologjia po bën dhe ajo që teknologjia është teknikisht në gjendje të bëjë nuk janë domosdoshmërisht e njëjta gjë.

Prandaj, kur sot më ofrohet një “dhuratë” shumë më e fuqishme — inteligjenca artificiale — më duket e arsyeshme të bëj një pyetje përpara se të mahnitem prej saj:

Cili është modeli që qëndron pas saj?

AI është diçka më shumë!

Sepse AI ndryshon cilësisht nga teknologjitë e mëparshme.
- Google mund të dijë çfarë kërkoj.
- Facebook mund të dijë çfarë më pëlqen.
- GPS mund të tregojë ku ndodhem.
Por një sistem AI me të cilin bisedoj çdo ditë mund të fillojë të kuptojë edhe si mendoj.

Pyetjet që i bëjmë një sistemi AI janë të një natyre tjetër.
- Ne mund t’i tregojmë një problem profesional.
- Mund t’i kërkojmë këshillë.
- Mund t’i tregojmë një dilemë.
- Mund t’i kërkojmë të analizojë argumentet tona.
- Mund t’i japim dokumentet tona.
- Mund t’i kërkojmë të na kundërshtojë.
- Mund të punojmë me të për muaj apo vite.

Kështu, teorikisht, profili që mund të ndërtohet nuk është më vetëm çfarë konsumon ky njeri ne jeten e perditshme ne baze te informacionit qe kerkon.

Profili i njeriut perdorues mund të plotesohet edhe me:
- Çfare mendon ky njeri?
- Si arsyeton?
- Çfarë e bind?
- Çfarë nuk e bind?
- Çfarë e shqetëson?
- Cilat janë dobësitë e argumentimit të tij?

Kjo është një kategori krejt tjetër informacioni. Dhe pikërisht këtu dyshimi im ndaj inteligjencës artificiale nuk më duket konspiracionizëm. Më duket një pyetje normale e informaticienit. Çfarë informacioni hyn në sistem, çfarë përpunimi i bëhet, ku ruhet, kush e kontrollon dhe për çfarë mund të përdoret rezultati?

Në fund të fundit, kjo është pikërisht informatika: information + automatique.

Pyetja e gabuar dhe pyetja e duhur!

Prandaj ndoshta pyetja “A është inteligjenca artificiale e mirë apo e keqe?” është pyetje e gabuar. Edhe pyetja: “A duhet ta ndalojmë?” është tashmë pothuajse pa kuptim.

Pyetja që duhet të bëjmë është tjetër. “Kush e kontrollon përpunimin automatik të informacionit në epokën kur informacioni për t’u përpunuar jemi gjithnjë e më shumë ne vetë?”

Këtu bashkohen, pas më shumë se gjashtëdhjetë vjetësh, origjina e fjalës informatique dhe problemi i inteligjencës artificiale.

Në vitet 1960 sfida ishte se si ta përpunojmë automatikisht informacionin?

Në vitet 2020 sfida po bëhet se si ta qeverisim fuqinë e atij që e përpunon automatikisht informacionin?

Dhe ndoshta pikërisht këtu duhet të fillojë diskutimi për një arkitekturë globale të qeverisjes së inteligjencës artificiale.

A na duhet inteligjenca artifi ciale?

Pyetja mund të duket e vonuar. Inteligjenca artificiale është tashmë mes nesh dhe, me shumë gjasë, rruga e kthimit pas nuk ekziston më. Por pikërisht për këtë arsye ia vlen të shtrohet një pyetje që entuziazmi teknologjik shpesh e anashkalon. Për çfarë na sherben Inteligjenca Artificiale?

Ndoshta nisem nga një paragjykim. Por është një paragjykim që buron nga një fakt elementar. AI që përdorim sot nuk na ofrohet nga një institucion filantropik global apo nga vete shteti. 

Na ofrohet nga tregu, i cili krejt legjitimisht, vepron për fitim.

Kjo nuk do të thotë se një teknologji e zhvilluar për fitim nuk mund t’i sjellë përfitime të jashtëzakonshme njerëzimit. Historia ekonomike boterore na tregon të kundërtën. Problemi është tjetër. Interesi ekonomik i atij që krijon dhe kontrollon teknologjinë nuk është domosdoshmërisht i njëjtë me interesin e shoqërisë që e përdor atë.

Pikërisht këtu duhet të fillojë diskutimi për AI-në.

Nga mjeti te ndërmjetësi i dijes!

Rrota, leva, motori me avull apo qarku i integruar shumëfishuan aftësitë fizike dhe llogaritëse të njeriut.

Inteligjenca artificiale ka një karakteristikë tjetër. Ajo fillon të ndërhyjë midis njeriut dhe informacionit.

Nuk na ndihmon vetëm të bëjmë diçka më shpejt. Gjithnjë e më shumë na ndihmon të përcaktojmë çfarë dimë, çfarë lexojmë, çfarë konsiderojmë relevante dhe, potencialisht, çfarë besojmë.

Ky proces nuk filloi me AI.

Motorët e kërkimit e bënë hapin e parë. Pyetjet që bëjmë tek keta motore tregojnë çfarë na intereson. Kërkimet e përsëritura, gjuha, pajisja dhe të dhëna të tjera të disponueshme të krijojnë një profil gjithnjë e më të hollësishëm të interesave tona.

Rrjetet sociale e çuan modelin më tej.

Nuk prisnin më vetëm të kërkonim informacion. Algoritmi filloi të vendoste se çfarë informacioni do të na shfaqej edhe pa e kërkuar ne.

Në këtë mënyrë ndodhi një ndryshim i rëndësishëm. Nga kërkimi i informacionit kaluam te përzgjedhja algoritmike e informacionit për ne.

AI gjeneruese përfaqësn hapin tjetër.

Ajo nuk përzgjedh vetëm informacionin. Ajo formulon përgjigjen.

Dhe ky është një ndryshim shumë më i madh nga sa duket.

Kush e përcakton përgjigjen!

Marrim një pyetje elementare. Cili është roli i Skënderbeut në historinë e Shqipërisë?

Të njëjtën pyetje ua kam bere dy sistemeve të inteligjencës artificiale (ChatGPT dhe Claude) dhe dy versioneve të ndryshme të të njëjtit sistem (ChatGPT Instant dhe Pro Mode) dhe kam marrë tre përgjigje të ndryshme.

Në vetvete kjo nuk është domosdoshmërisht problem. Historia përmban interpretime dhe shkolla të ndryshme mendimi.

Problemi fillon kur përdoruesi nuk e di pse përgjigjet janë të ndryshme.

A ndryshojnë sepse modelet janë trajnuar mbi burime të ndryshme?
- Sepse njëri model ka kapacitete më të mëdha
- Sepse udhëzimet e vendosura nga zhvilluesi janë të ndryshme
- Sepse njëri sistem ka akses në burime të jashtme dhe tjetri jo
- Sepse përdoruesit i është personalizuar përgjigjja
Apo thjesht sepse modeli ka prodhuar një përgjigje statistikisht të besueshme në formë, por faktikisht të pasaktë.

Për përdoruesin e zakonshëm këto mekanizma janë kryesisht të padukshëm.

Kështu lind paradoksi.

Kemi ndoshta mjetin më të fuqishëm të krijuar ndonjëherë për demokratizimin e dijes, por njëkohësisht mund të kemi krijuar një ndërmjetës të dijes, mekanizmin e të cilit shumica e njerëzve nuk mund ta kontrollojnë.

Problemi i së vërtetës!

Një motor tradicional kërkimi na jep një grup burimesh informacioni. Ne mund të hapim njërin prej tyre, të shohim autorin, gazetën, universitetin ose institucionin dhe, të paktën teorikisht, ta vlerësojmë burimin.

AI ndryshon marrëdhënien. Ajo sintetizon informacionin dhe na jep drejtpërdrejt një përgjigje. Kjo është jashtëzakonisht komode.

Por komoditeti ka një çmim, sepse distanca midis përdoruesit dhe burimit rritet.

Prandaj pyetja thelbësore nuk është nëse AI “thotë të vërtetën”.

Asnjë bibliotekë, gazetë, profesor apo enciklopedi nuk ka monopol mbi të vërtetën.

Pyetja është nese mund ta verifikojë përdoruesi se mbi çfarë mbështetet përgjigjja?

Për çështjet faktike, një sistem që bëhet pjesë e infrastrukturës së dijes duhet të na lejojë, sa është teknikisht e mundur, të dallojmë faktin nga interpretimi, burimin nga sinteza dhe sigurinë nga pasiguria.

AI përpiqet te nderhyje ne thelbin e komunikimit njerezor. Ky i fundit dominohet nga tri tipare. I qarte, bindes, i vertete.

AI eshte pak e inteteresuar për tiparin e trete.

Një përgjigje e shkruar keq e ben njeriun skeptik. Një përgjigje e gabuar, por e shkruar jashtëzakonisht mirë, mund të të bindë.

Njeriu, kur nuk di diçka, shpesh komunikon sinjale pasigurie te tipi “nuk jam i sigurt”, “më duket”, “duhet ta kontrolloj”. Ndersa AI mund të prodhojë me të njëjtën rrjedhshmëri një fakt të sigurt, një fakt të pasigurt dhe një fakt të gabuar.

AI nuk duhet te jete burim dominimi mbi njeriun. AI duhet te jete instrument kërkimi dhe arsyetimi.

AI mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme pikërisht nëse nuk i besojmë verbërisht.

AI mund të gjejë kundërargumentin që nuk e kemi menduar, të identifikojë një kontradiktë, të krahasojë dhjetëra dokumente, të propozojë interpretime alternative ose të na tregojë se ku duhet të kërkojmë më tej.

AI nuk duhet te na binde se ajo qe thote eshte e vertete, por duhet te na binde pse ajo qe thote eshte e vertete.

Soveraniteti i dijes!

Çfare rreziku mund te na vije nga fakti qe AI eshte bindes?

Për shekuj me radhë, sovraniteti ka qene i lidhur me territorin. Një shtet ishte sovran kur kontrollonte kufijtë, ligjet, institucionet dhe vendimmarrjen brenda territorit të tij.

Me tej u zhvilluan sovraniteti ushqimor, ekonomik, energjitik, digjital, berthamor, hidrik.

Nëse sovraniteti klasik lidhej me kontrollin e territorit, sovraniteti i së ardhmes mund të lidhet me kontrollin mbi mënyrën se si një shoqëri formon dijen e saj.

Deri dje, teknologjia ishte kryesisht një mjet për të gjetur informacion. Motori i kërkimit na paraqiste burimet dhe, të paktën teorikisht, ishim ne që i lexonim, i krahasonim dhe krijonim një përfundim.

AI ndryshon diçka thelbësore në këtë marrëdhënie. AI nuk na çon vetëm tek informacioni. Ajo e kërkon, e përzgjedh, e rendit, e përpunon dhe në fund na e paraqet në formën e një përgjigjeje të gatshme.

Ketu fillon problemi.

Një përgjigje bindëse nuk është domosdoshmërisht një përgjigje e vërtetë. Por sa më e aftë të bëhet AI në komunikimin me ne, aq më e natyrshme bëhet prirja jonë për t’i besuar.

Nëse nesër AI përdoret gjerësisht në shkolla për të mësuar, në administratë për të hartuar politika, në drejtësi për të kërkuar jurisprudencë, në ekonomi për të marrë vendime dhe nga qytetarët për të kuptuar botën, atëherë pyetja se kush i ndërton dhe kontrollon këto sisteme nuk është më thjesht teknologjike.

Për këtë arsye, ndoshta krahas sovranitetit territorial, ekonomik dhe digjital duhet të fillojmë të flasim edhe për sovranitetin e dijes, madje edhe me shume edhe te formimit dhe perdorimit te dijes. Thene ndryshe, te fillojme te flasim per aftësinë e një shoqërie për të ruajtur autonominë mbi mënyrën se si krijon dije, verifikon të vërtetën dhe formon gjykimin e saj.

Në shekullin XX, humbja e sovranitetit ishte e dukshme, sepse dikush tjetër kontrollonte territorin tënd.

Në shekullin XXI mund të shfaqet një formë shumë më e padukshme varësie.

Territori mbetet i yti. Institucionet mbeten të tuat. Por një pjesë gjithnjë e më e madhe e mënyrës se si shoqëria jote njeh dhe interpreton botën mund të ndërmjetësohet nga sisteme që nuk i kontrollon.

Ky eshte debati i vërtetë për inteligjencën artificiale.

Cognitive divide!

AI mund të krijojë edhe një pabarazi të re, sepse ekziston edhe një problem tjetër që diskutohet më pak.

Imagjinojmë dy nxënës të së njëjtës klasë.

Të dy bëjnë të njëjtën pyetje.

Njëri përdor një sistem AI pa pagese. Tjetri, sepse familja e tij mund ta përballojë, përdor një version më të avancuar me pagesë.

Nëse versioni me pagesë ka model më të aftë, kërkim më të mirë, kontekst më të madh, mjete më të fuqishme dhe përgjigje më të sakta, atëherë diferenca ekonomike midis familjeve mund të transformohet në diferencë në aksesin ndaj inteligjencës së asistuar.

Kjo nuk është më thjesht digital divide.

Është potencialisht një cognitive divide.

Njëri fëmijë ka në dispozicion një tutor të avancuar 24 orë në ditë. Tjetri ka një version dukshëm më të kufizuar.

Nëse AI bëhet pjesë normale e arsimit, kjo çështje nuk mund t’i lihet vetëm tregut.

Shoqëria duhet të vendosë se cili është niveli minimal i inteligjencës artificiale cilësore që duhet të jetë i aksesueshëm për çdo nxënës, pavarësisht nga të ardhurat e familjes së tij.

Problemi nuk është vetëm privatësia!

Debati mbi teknologjinë digjitale është fokusuar për vite te të dhënat personale, por AI ngre një problem potencialisht më të gjerë.

Një sistem me të cilin bisedojmë vazhdimisht mund të njohë jo vetëm çfarë blejmë apo çfarë kërkojmë. Pyetjet tona mund të zbulojnë interesat, pasiguritë, ambiciet, problemet profesionale, mënyrën e arsyetimit dhe çështjet për të cilat kërkojmë ndihmë.

Prandaj duhet bërë një dallim i fortë ndërmjet asaj që teknikisht mund të mësohet për përdoruesin dhe asaj që juridikisht duhet të lejohet të përdoret për profilizimin e tij.

AI nuk duhet të trashëgojë automatikisht modelin ekonomik të epokës së rrjeteve sociale, pasi keto te fundit udhehiqen nga parimi se sa më shumë të di për përdoruesin, aq më mirë mund ta monetizoj vëmendjen ose sjelljen e tij.

Sepse marrëdhënia me një asistent inteligjent mund të bëhet shumë më intime dhe shumë më ndikuese sesa marrëdhënia me një feed social.

Atëherë, pse na duhet AI?

Po! Na duhet, sepse potenciali I avantazheve është tepër i madh për ta mohuar.

AI mund të demokratizojë aksesin në dije, të përshpejtojë kërkimin shkencor, të ndihmojë mjekësinë, të rrisë produktivitetin, të kapërcejë barrierat gjuhësore dhe t’i japë pothuajse çdo individi akses në aftësi që deri dje kërkonin ekipe specialistësh.
- Një nxënës mund të ketë tutor personal.
- Një mjek mund të analizojë më shpejt një masë të madhe informacioni.
- Një sipërmarrje e vogël mund të ketë kapacitete që dikur i kishin vetëm korporatat.
- Një qytetar mund të kuptojë një dokument kompleks.
- Një shkencëtar mund të analizojë në orë atë që më parë kërkonte javë.

Prandaj pyetja nuk është më nëse duhet ta ndalojmë AI-në. Kjo është, praktikisht, një rrugë pa kthim.

Pyetja është se ne çfarë kushtesh duhet të bashkejetojme jetojmë me të?

Nga qeverisja e internetit te qeverisja e AI!

Këtu historia e internetit mund të na japë një mësim.

Interneti nuk ka një qeveri botërore. Megjithatë ai nuk është pa qeverisje.

Organizma si IETF zhvilluan protokollet e përbashkëta që lejojnë rrjetet të komunikojnë. ICANN ndërtoi mekanizma globalë koordinimi për identifikuesit dhe sistemin e emrave. W3C zhvilloi standardet themelore të Web-it.

Shtetet ndërkohë ruajtën sovranitetin e tyre juridik.

Ky model mund të jetë pikënisja edhe për inteligjencën artificiale.

Jo një autoritet botëror që vendos çfarë duhet të mendojë AI. As një institucion global që përcakton “të vërtetën”.

Por një arkitekturë globale qeverisjeje që përcakton disa rregulla teknike të përbashkëta.

Mund të kërkojmë që sistemet e rëndësishme të AI të kenë identitet teknik të verifikueshëm.

Të dimë modelin dhe versionin me të cilin po komunikojmë.

Të ekzistojnë standarde të përbashkëta auditimi.

Të ekzistojnë mekanizma të standardizuar për raportimin e incidenteve.

Të përcaktohet kur një përdorues duhet të dijë se po komunikon me një AI.

Të ketë standarde për identifikimin e agjentëve artificialë që veprojnë në emër të njerëzve ose kompanive.

Dhe, veçanërisht për sistemet që përdoren si burime dijeje, të zhvillohen standarde për gjurmueshmërinë dhe verifikueshmërinë e informacionit.

Arkitektura globale nuk duhet të përcaktojë se cila është përgjigjja e saktë për Skënderbeun.

Kjo do të ishte e rrezikshme.

Duhet të bëjë diçka tjetër. Te na ndihmojë të kuptojmë pse sistemi na dha atë përgjigje dhe sa mund t’i besojmë asaj.

Ky është ndryshimi midis qeverisjes së informacionit dhe qeverisjes së infrastrukturës së informacionit.

E para mund të çojë drejt censurës.

E dyta mund të krijojë transparencë.

Një kushtetutë teknike minimale!

Në fund, AI mund të ketë nevojë për atë që interneti arriti ta krijonte gradualisht gjatë disa dekadave,


Një kushtetutë teknike minimale globale. Jo për të zëvendësuar ligjin. As për të zëvendësuar shtetin. Dhe as për të penguar tregun. Por për të vendosur kufijtë brenda të cilëve tregu, shteti dhe teknologjia mund të bashkëjetojnë.

Pyetja e vërtetë është: “Nëse inteligjenca artificiale do të bëhet një nga ndërmjetësit kryesorë midis njeriut dhe dijes, kush do të vendosë rregullat sipas të cilave funksionon ky ndërmjetës?”

Nëse përgjigjja është vetëm tregu, kemi arsye të jemi të shqetësuar.

Nëse përgjigjja është vetëm shteti, kemi po aq arsye të jemi të kujdesshëm.

Pikerisht këtu duhet të fillojë diskutimi për një arkitekturë globale të qeverisjes së inteligjencës artificiale.

Ndoshta për këtë na duhet një model i ndermjetem. Standarde globale, institucione të hapura dhe shumëpalëshe, transparencë teknike, konkurrencë në treg dhe sovranitet demokratik në ligj.

Kjo mund të jetë arkitektura mbi të cilën duhet të ndërtohet epoka e inteligjencës artificiale.

Artikuj te sugjeruar

EDITORIAL 2 Shtator17:12

Tirana është marrë peng

Nga Gentian Gaba Kryeqyteti me një milion banorë është marrë peng nga brenda burgut të Durrësit, me një kryetar ba...

Ditmir Bushati EDITORIAL 2 Shtator12:31

Një moment vendimtar për Shqipërinë

Nga Ditmir Bushati  NJË MOMENT VENDIMTAR PËR SHQIPËRINËSikurse shumë prej revolucioneve të Europës Lindore, protestat n...

Ilir Beqaj EDITORIAL 2 Shtator12:09

Kufiri mes provës dhe jetës private

(Nga sekuestrimi i celularit te kontrolli i jetës digjitale. Standardi që po ndërton Gjykata Kushtetuese) Deri me sot vite procedura penale e ka...

Besnik Kreka EDITORIAL 29 Gusht14:20

Ngjitja dhe rënia e Ergys Agasit

“Zhvilluam një bisedë prej gati gjysmë ore në telefon. ‘Nuk të shoh në atë vend ty, nuk duhet të mërzit...

Nga Andi Bushati EDITORIAL 17 Gusht13:50

Pse Rama nuk tërhiqet dot nga Zvërneci

Mjaftojnë qoftë dhe disa prova të vogla, gati gati të papërfillshme, për të kuptuar se platforma Besa, që Edi Rama shp...

video

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

Si u tentua të shantazhohej me 100 mijë euro shefi i kabinetit të Përparim Ramës përmes mediave

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 16

Gruaja me dy identitete që premton “shërim” me ujin e kufomave në Pejë

A ka Shqipëria një Nicola Gratteri?

Katër nëna në kërkim të fëmijeve/ Bisedat që zbuluan rrjetin e errët

Flamur Gjuzi, i dënuar për"shpërdorim detyre" sot drejtor i Policisë Bashkiake, sërish shkel ligjin?

Pallatet u zhytën“Durrës Marina" dhe Autoriteti Portual bëjnë veprimin e papritur përballë skandalit

Ekskluzive/ Nicola Gratteri çmonton skemën e pastrimit të parave të ndërtimit në Tiranë

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 15

Enkel Demi duke luftuar paragjykimet për shqiptarët. (kamera e fshehtë)

Milva Ekonomi i firmosi miliona euro Vilma Nushit, kjo e fundit i investoi te kulla e Ervin Matës

Ajo çfarë mund të na mësojë Kosova.

Laboratorë “copy-paste”/ I njëjti mjek firmos analiza në disa pika, skema që ngre pikëpyetje

Rrjeti i ‘errët’ i vajzave të zhdukura! Bisedat tronditëse si funksiononte grupi.

Bleu 300 m2 tokë në vitin 2004, kthehet nga emigrimi dhe gjen aty vilë 3-katëshe.

“Na detyruan nga Dubai”/ Konstruktori i Durrës Marina zbulon pse u zhytën pallatet

Drejtori që tregon sjellje të pahijshme me nxënësen: Jam i fortë edhe në parti

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 14

Turisti zemërgjerë nga Italia dhe patatinat falas

Aksidentet “pushtojnë” oborrin e familjes në Klos, banori: Një ditë do ndodhë tragjedi

Lidhja jashtëmartesore që përfundoi në makth /32-vjeçarja rrëfen shantazhin me video intime

Sherr në terminalin e Peshkopisë, shoferi: Mos më vidh pasagjerët! Shko ha bukë te pjesa jote

Artisti dhe Frika

Si u kthye në urrejtje dashuria mes ish-bashkëshortëve dhe ‘lufta’ për 200 mijë euro!

14-vjeçare me dr*gë dhepro*titucion, rrjeti i errët i minoreneve të zhdukura

Zhytja e pallateve te Alabarit/ IKMT pranon anomalitë në “Durrës Marina”: Janë zhytur 28 cm

"Ederlezi", festa e veçantë e komunitetit rom.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 13

Do t’i fus duart edhe nëse bërtet, motra e 13 vjeçares rrëfen tmerrin e mesazheve që mësuesi ia çon

“Inspektori gjobëvënës” i bashkisë terrorizon qytetarët

Pagat e mohura të druvarëve në Navaricë! Miliona lekë për të marrë dhe kërcënime

Rruga Thumanë–Kashar/ 1 miliard euro dhe “5 lekëshi” që po merret nga xhepat e qytetarëve

Me viza turistike ose kontrata futbolli drejt Europës/ Kush fshihet pas skemës së trafikimit?

Nënat denoncojnë ikjet nga shtëpia dhe jetën e dyshimtë të adoleshentëve

Për mediat dhe fëmijët

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 12

Muzikanti i rruges “vjedh” koleget. Banka e fundit

Dajak për 50 metra rrugë në Dibër, kushërinjtë në ’luftë’ për pronën.

Fisnik Syla, “BAMIRËS” apo shantazhues

A janë "idiotë "shqiptarët e Maqedonisë së Veriut? Çfarë do të thoshte Arbën Xhaferraj?

Presidenti i FSHP reagon për deklaratat e Erkand Qerimaj: Lajthita atëherë, tani kam reflektuar

Nga jetimorja te humbja e kujdestarisë. Rrëfen nëna që kërkon bashkimin me vajzën pas 13 vitesh

Tigrat e Vlorës: energjia që prodhohet 6 herë më shtrenjtë se sa shitet.

Skandali i zhytjes së pallateve në Durrës Marina / Ndërhyn IKMT.

PIRANJAT SHOW - SEZONI 9 EPISODI 11

Dhjetëra punonjës fasonerie pa marrë pagat: Blerimi mori lekët dhe u zhduk! Pronari premton zgjidhje

Hapet filial i bankës turke në “zemër” të Bllokut, reklamat vendosen pa leje

Energji për brezin tim

Nga ‘Viola’ tek Dorina: Si përfundoi në borxh një histori dashurie në distancë

Firma “Trade Minerals Al” po shkatërron mjedisin dhe infrastrukturën e fshatit Gjegjan në Kukës