Gjykata Kushtetuese nxjerr "bllof" qeverinë/ Pezullon pjesërisht aktin normativ për tubimet, protestuesit nuk gjobiten për bllokimin e rrugës

Gjykata Kushtetuese ka vendosur të pezullojë pjesërisht zbatimin e aktit normativ nr. 5, të datës 28 tetor 2026, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, përmes të cilit u ndryshua ligji “Për tubimet”. Vendimi vjen pas shqyrtimit të kërkesës së paraqitur nga disa organizata të shoqërisë civile dhe grupe studentore, të cilat kanë kundërshtuar ndryshimet ligjore dhe kanë kërkuar shfuqizimin e plotë të aktit normativ.
Me shumicë votash, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi të pezullojë zbatimin e nenit 5 të aktit normativ, konkretisht të pjesës që parashikon vendosjen e sanksioneve administrative për bllokimin e rrugëve automobilistike gjatë protestave dhe tubimeve, në rastet kur kjo sjell pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.
Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që çështja të shqyrtohet me përparësi. Kërkesa për shfuqizimin e plotë të aktit normativ do të shqyrtohet në seancë plenare publike, të caktuar për datën 25 nëntor 2026.
Njoftimi i Plotë:
Më 26.11.2026, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese shqyrtoi kërkesën për pezullimin e pjesshëm të zbatimit të aktit normativ nr. 5, datë 28.10.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8773, datë 23.04.2001, ‘Për tubimet’”.
Kërkesa për pezullim u paraqit nga Qendra “Res Publica”, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, Qendra për Ruajtjen e Ekosistemeve Natyrore në Shqipëri dhe grupimet informale studentore “Studentët n’Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, të cilat kanë kërkuar edhe shfuqizimin në tërësi të aktit normativ.
Në përfundim të shqyrtimit, Mbledhja e Gjyqtarëve, me shumicë votash, vendosi:
1. Pranimin e pjesshëm të kërkesës për pezullim.
2. Pezullimin e zbatimit të nenit 5 të aktit normativ, në pjesën që shton nenin 24/1, pika 2, të ligjit “Për tubimet”. Kjo dispozitë parashikon sanksion administrativ për bllokimin e rrugëve automobilistike ose të akseve rrugore gjatë një tubimi, me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit.
3. Shqyrtimin me përparësi të çështjes.
Çështja për shfuqizimin e aktit normativ ishte kaluar për shqyrtim në seancë plenare publike më 25.11.2026.
Lexo edhe
AKTUALITET
FOTO/ Monika Lubonja thirrje qytetarëve para protestës së 28 Nëntorit: Mos plagosni simbolet që na bashkojnë

KLGJ rrëzon kërkesën e ILD për masë ndaj gjyqtares së Beratit

Shiste kokainë pranë shkollave në Tiranë, arrestohet 43-vjeçari, sekuestrohen 407 gramë kokainë

Moti i keq në Kukës, përmbyten rrugët dhe rrezikohen akset malore nga rënia e gurëve

Skandali/ Vinçesk Piroli në kërkim për vrasjen e policit, gjyqtarët e Apelit e liruan nga qelia





