Lumenj parash për fundvitin/ ARRSH hap 180 milionë euro tendera në një ditë të vetme

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka çelur brenda një dite të vetme 9 procedura prokurimi me një vlerë totale prej 16.11 miliardë lekësh (ose 178.97 milionë euro pa TVSH), duke lëshuar një lumë fondesh publike në sistemin e prokurimeve pak javë para mbylljes së vitit kalendarik.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara në portalin e Agjencisë së Prokurimit Publik, të nënta procedurat do të zhvillohen në të njëjtën ditë, në datën 23 dhjetor.
Praktikisht, në prag të festave të fundvitit dhe ndërrimit të viteve, gara për gati 180 milionë euro do të mbyllet në të njëjtën ditë dhe të njëjtën orë për tre nga kantieret kryesore rrugore në vend.
Projektet
Pjesën më të madhe të kësaj torte e merr ndërtimi i aksit rrugor Ura e Grykshit – Peqin, për të cilin janë vënë në dispozicion 83.56 milionë euro të ndara në tri faza paralele.
Pas tij renditet zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës, që thith 53.54 milionë euro për vijimin e punimeve në fazat IV dhe V, ndërsa rruga e vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa përfiton 39.61 milionë euro për rikonstruksionin e loteve 4, 5 dhe 6.
Fatura e plotë mbyllet me 2.26 milionë euro të akorduara për sistemimin dhe asfaltimin e segmentit nga kryqëzimi i rrugës "Miqësia" deri te Eco Park në Durrës.
Hapja e menjëhershme e 9 tenderëve të mëdhenj nga i njëjti institucion—dhe mbyllja e garës më 23 dhjetor, vetëm pak ditë para festave të fundvitit—ndjek një skemë të njohur të përqendrimit të prokurimeve në fund të vitit kalendarik.
Ndarja e të njëjtave vepra publike në faza dhe lote të veçanta, me vlera që sillen mes 10.6 dhe 29.7 milionë eurove secila, krijon terrenin ideal që operatorët e mëdhenj të tregut të ndajnë kontratat mes tyre, ndërsa afati i ngjeshur i fundvitit zbeh vëmendjen publike dhe vështirëson skanimin e detajuar të kritereve teknike.
Lexo edhe
AKTUALITET
U godit me plumb gome në sy nga policia gjatë protestës së studentëve, prokuroria thërret për të dëshmuar Erion Vishkullin

Vodhi pensionet/ Ish-drejtoresha e Postës së Durrësit kërkon tjetër masë sigurie, gjykata vendos moskompetencë

Prokuroria e Vlorës konfiskon 16 milionë euro pasuri të paluajtshme në zonën e "Ujit të Ftohtë"

Kanabis xhelatinë nga Britania në Elbasan/ Detaje nga operacioni “Risia”, Flavio Islamaj braktisi automjetin dhe u arratis, Mariglen Vata...

Konfiskohen 16 milionë euro prona në Vlorë, u përfituan me dokumente të falsifikuara





