“Ndihmë, ka një gjarpër në tualet”/ F*mija alarmon policinë. Zjarrfikëset shkojnë në vendngjarje dhe zbulojnë të vërtetën befasuese

Një fotografi që bëri xhiron e internetit, ku shfaqej një gjarpër që dyshohej se kishte dalë nga tualeti i një banese në Castelfidardo, në provincën e Ankonës, në Itali, shkaktoi alarm edhe te autoritetet. Karabinierët, të specializuar për mbrojtjen e specieve ekzotike, nisën kërkimet për atë që dukej si një piton mbretëror.
Por, siç raporton gazeta Corriere Adriatico, e vërteta doli të ishte krejt ndryshe: fotografia ishte e falsifikuar dhe gjithçka ishte një shaka e përgatitur nga një fëmijë 9-vjeçar, i cili kishte modifikuar imazhin përmes një aplikacioni me inteligjencë artificiale.
Fotografia u bë virale
Gjithçka nisi rreth 48 orë më parë. 9-vjeçari po kalonte kohën me një shoqe të vogël. Të dy ishin maskuar dhe grimuar, ndërsa fëmija kishte vendosur të fotografonte momentet që po kalonin së bashku.
Por njëra prej fotografive nuk kishte dalë ashtu siç dëshironte. Për këtë arsye, ai ishte larguar për të shkuar në tualet, duke i thënë shoqes se do të përpiqej të realizonte një fotografi më të mirë përpara pasqyrës.
Pak më vonë, ai u kthye duke treguar fotografinë e gjarprit të pretenduar. Fëmija shpjegoi se kishte dëgjuar një zhurmë të çuditshme nga tualeti dhe kishte vënë re praninë e zvarranikut.
Alarmi u dha menjëherë. Zjarrfikësit kryen një kontroll në banesë, por nuk gjetën asnjë gjarpër. Për këtë arsye, u ngrit dyshimi se zvarraniku mund të kishte dalë nga dritarja e banjës, e cila ishte lënë hapur.
Edhe karabinierët pyjorë të CITES nisën verifikimet për të vlerësuar ndërhyrjet e mundshme dhe për të garantuar sigurinë në rast se bëhej fjalë për një piton të vërtetë.
Kontrollet fillimisht u përqendruan në banesën e shoqes së vogël, ku fëmijët kishin qenë duke luajtur dhe ku ishte realizuar fotografia. Pasi kontrolluan tualetin, efektivët u drejtuan edhe në banesën ku 9-vjeçari jeton me familjen e tij.
Karabinierët morën fotografinë drejtpërdrejt nga telefoni me të cilin ishte realizuar. Në atë moment, fëmija pranoi se imazhi ishte ndryshuar në mënyrë dixhitale dhe se gjarpri brenda tualetit ishte shtuar përmes inteligjencës artificiale, duke përdorur një aplikacion.
Pra, gjithçka kishte qenë një shaka. Sipas Corriere Adriatico, për karabinierët çështja u mbyll pas këtij sqarimi dhe nuk do të ketë pasoja për 9-vjeçarin. /PiranjatNews/
Lexo edhe
LIFESTYLE
Kafeja dhe shëndeti, çfarë ndodh me trupin kur pini 3-4 filxhanë në ditë?

Horoskopi i së dielës! Çfarë kanë rezervuar yjet për 12 shenjat e zodiakut?

Horoskopi ditor për sot, e Shtunë 14 Nëntor 2026

Plastika e fshehur në produktet që përdorim çdo ditë, nga çamçakëzët te çaji dhe faturat e dyqaneve

Sot duhej të ishte fundi i botës, zbulohet historia pas profecisë 66-vjeçare




