“Nëse nuk do të ishte politika, do të ishim miq të mirë”, zbulohet letra që Trump i la Bidenit në Zyrën Ovale

Një letër e shkruar nga Donald Trump për Joe Biden, të cilën ish-presidenti amerikan ia la pasardhësit të tij në Zyrën Ovale më 20 janar 2021, është bërë publike pas gati pesë vitesh.
Ish Presidenti Joe Biden ka zbuluar përmbajtjen e asaj që e përshkroi si një letër “shumë bujare”, të cilën paraardhësi i tij, Presidenti Trump, ia kishte lënë në Zyrën Ovale në vitin 2021 – një gjest që dëshmon për njëfarë vullneti të mirë mes kundërshtarëve politikë pas një fushate zgjedhore presidenciale tejet të ashpër.
Në këtë letër, e cila botohet e plotë në librin e ardhshëm të kujtimeve të Bidenit, “Promise Me, America”, Trump vlerëson dashurinë e Bidenit për vendin dhe shpreh besim te aftësia e tij për të udhëhequr, sipas një fragmenti të publikuar nga “The New York Times”.
“Tani keni mundësinë të zgjidhni vendin tuaj në histori dhe e di që do t’i qëndroni besnik vetes dhe popullit amerikan,” shkruan Trump në letrën e datës 20 janar 2021.
“Shumë presidentë kanë ardhur e kanë ikur, duke qeverisur thjesht si republikanë ose demokratë. Në thelb, ata nuk e ndryshuan historinë; thjesht u morën me vete nga rryma e saj e pandalshme. Kjo nuk do t’ju ndodhë juve, sepse e di se sa shumë e doni popullin amerikan.”
Letra ishte lënë në një zarf ku shkruhej “Për ‘46-ën’”, duke iu referuar renditjes së Bidenit në listën e presidentëve amerikanë. Pak pasi mori detyrën, Biden u tha gazetarëve se Trump i kishte lënë një “letër shumë bujare”, por nuk pranoi të zbulonte përmbajtjen e saj.
Shtëpia e Bardhë konfirmoi për “NewsNation” se letra është autentike, duke theksuar në një deklaratë se Biden nuk i mori parasysh fjalët e presidentit.
Kjo letër bie në kundërshtim të plotë me mënyrën se si Trump e trajtoi publikisht Bidenin – të cilin e sulmoi vazhdimisht gjatë fushatës presidenciale të vitit 2020 – përpara se të refuzonte të pranonte humbjen në zgjedhje. Trump gjithashtu theu traditën duke refuzuar të marrë pjesë në ceremoninë e betimit të Bidenit, e cila u zhvillua dy javë pasi mbështetësit e tij sulmuan Kapitolin më 6 janar 2021.
Sipas Bidenit, pavarësisht se Trump kishte destabilizuar demokracinë amerikane dhe nuk kishte respektuar traditën e kalimit të pushtetit, letra përmbante fjalë që mund të vinin nga një mik i vjetër. Në letrën e lënë në Zyrën Ovale, ai i uronte Bidenit sukses dhe i kujtonte përgjegjësinë e madhe që mbart posti i presidentit amerikan.
“Po të mos ishte politika, do të ishim miq të mirë”, shkroi ai.
Në librin e Bidenit, i cili pritet të dalë në shitje më 17 nëntor, ish-presidenti e pranoi këtë kontradiktë, duke shkruar se ishte “sikur të kishte dy Donald Trump-ë”.
Lexo edhe
BOTA
Alarme për bomba në shkollat italiane, reagon Meloni: Nuk ka rrezik konkret, po hetohet një strategji për të krijuar panik

Dyshime për një operacion rus në Ukrainë, 23 ushtarë dyshohet se u helmuan përmes takimeve të kurdisura

Rusia “përjashton” Europën nga negociatat për Ukrainën, Medinsky: Pozicioni i saj është i paqartë, të mësojë nga amerikanët

Bisedimet për paqen në Ukrainë zgjasin më pak se dy orë, SHBA, Rusia dhe Kievi pa marrëveshje

Thellohet kriza te Nvidia, fshihen 430 miliardë dollarë nga vlera në treg pas skandalit të spiunazhit





