Nga mafia në politikë/ John Alite sërish nën akuza! Në telashe edhe i biri, zbulohen armë e para

Nga vrasës me pagesë i mafies Gambino në politikan, por John Alite duket se nuk po arrin të shkëputet nga e kaluara kriminale. Ish-mafiozi shqiptaro-amerikan, i cili arriti të siguronte një vend në këshillin bashkiak të Englishtown në New Jersey, është rikthyer në qendër të një dosjeje penale. Këtë herë, bashkë me të, nën akuza është edhe djali i tij, John P. Alite, 35 vjeç.
Prokuroria e New Jersey ka ngritur akuza të reja ndaj Alites, 64 vjeç, për fajde, zhvatje, pastrim parash, kërcënime dhe komplot kriminal. Në dosje përfshihen edhe djali i tij dhe Stephen Locrotondo, 68 vjeç, të dyshuar si pjesë e një skeme të paligjshme huadhënieje.
Nga rrugët e mafies në zyrat e pushtetit lokal, por metodat që përshkruan prokuroria ngjajnë me ato të botës kriminale ku Alite dikur bënte pjesë. Para me fajde, interesa marramendëse, kërcënime dhe presion ndaj personave që nuk shlyenin borxhet.
Sipas hetuesve, paratë jepeshin me interesa që nisnin nga 7% në muaj. Në një rast, për një hua prej 50 mijë dollarësh, dyshohet se është kërkuar kthimi i plot 250 mijë dollarëve. Në dosje përshkruhen edhe kërcënime me dhunë fizike dhe shkop bejsbolli ndaj debitorëve.
Por detajet më interesante kanë dalë nga dokumentet e reja për konfiskimin e pasurive, ku përshkruhen sendet e zbuluara gjatë kontrolleve policore.
Në pronën e Alites, hetuesit sekuestruan armë të ftohta, mes tyre hanxhar, bajonetë, kamë, thika, shkopinj dhe dorezë metalike. U gjetën gjithashtu 48 pilula të dyshuara si steroide anabolike, dokumente biznesi dhe 1,245 dollarë që autoritetet dyshojnë se lidhen me aktivitetin e fajdeve.
Ndërkohë, në banesën e bashkëpandehurit Locrotondo, policia zbuloi mbi 33 mijë dollarë të ndara në 12 zarfe, dinarë irakianë, telefona dhe pajisje elektronike, disa prej të cilave ishin fshehur në një hapësirë të murit të dhomës së gjumit.
Goditja më e rëndë për Aliten nuk është vetëm rikthimi para drejtësisë, por përfshirja e djalit të tij në të njëjtën çështje. Një histori që ngre pyetjen nëse ish-mafiozi arriti ndonjëherë të linte pas mënyrën e jetesës që mësoi në organizatën Gambino.
Alite, i njohur për të kaluarën e tij në krimin e organizuar amerikan dhe bashkëpunimin e mëvonshëm me drejtësinë, u përpoq të ndërtonte një imazh të ri përmes politikës. Por pas arrestimit në qershor, ai humbi edhe postin në këshillin bashkiak.
Tashmë, nga politika është kthyer sërish te avokatët, akuzat dhe gjykatat. Prokuroria pretendon se pas imazhit të ish-mafiozit të reformuar fshihej një skemë kriminale që përdorte metoda të njohura të botës së mafies.
Megjithatë, Alite dhe të pandehurit e tjerë nuk janë shpallur fajtorë për këto akuza, ndërsa mbrojtja e tij i ka kundërshtuar pretendimet e prokurorisë.
Nga mafia Gambino në politikë dhe nga politika sërish në bankën e të akuzuarve. Për John Aliten, e kaluara duket se nuk po mbetet thjesht e kaluar.
Lexo edhe
SHOWBIZ
Luiz Ejlli sërish në një film me Olta Gixharin? Frederik Ndoci bën zgjedhjen e papritur

Mbi 800 objekte personale të Princeshë Dianës, koleksionistja amerikane zbulon historinë pas koleksionit milionësh

Ori Nebijaj flet për Arbana Osmanin: Është fallco, më ka zhgënjyer sepse...

“E mbivlerësuar, lë për të dëshiruar nga ana vokale”/ Deklarata e Jonida Maliqit, reagon Rozana Radi: Do të ishte film nëse…

Shefi i Nvidia-s, Jensen Huang, është i dashuruar me një spiune kineze. Një "kurth mjalti" kundër mbretit të mikroçipave?





